Seanca ndaj ish-prokurorit Besnik Cengu në KPA
Analiza KPA Veting

KPA e shkarkoi prokurorin Naim Tota për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë

Prokurori i Tiranës, Naim Tota u konfirmua në detyrë prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK me shumicë votash më 10 mars 2023, pasi shpjegimet e tij për barrat e provës në kriterin e pasurisë dhe gjetjet për profesionalizmin, u konsideruan bindëse nga shumica e përbërë nga komisioneret Brunilda Bekteshi dhe Pamela Qirko.

Anëtari në pakicë, Roland Ilia vlerësoi se Tota duhej të ishte shkarkuar pasi nuk arrinte nivel të besueshëm për pasurinë. Ilia çmoi se subjekti nuk dha shpjegime bindëse për një apartament që ka blerë nga kunati në vitin 2016 nëpërmjet një kontrate cedimi, pasuri për të cilën u ngritën fillimisht dyshime se ishte fshehur për 12 vjet, pasi ishte përdorur vetëm nga prokurorit Tota prej vitit 2004, thuajse pa kundërshpërblim.

Ilia nuk e vlerësoi bindëse përgjigjen e Totës se lidhja e posaçme familjare; fatkeqësia në vitin 2006 kur i ndërroi jetë bashkëshortja e ndjerë; si dhe huadhënia e një shume 40 mijë euro kunatit – janë arsyet e përfitimit dhe gëzimit në vitin 2004 të kësaj banese, pa kundërshpërblim. Po ashtu, Ilia ndryshe nga shumica, çmoi se subjekti nuk arriti të provojë aftësinë paguese të kunatit për të blerë këtë apartament në vitin 2003, kundrejt vlerës 50 mijë euro, po aq sa pagoi edhe Tota në 2016-ën.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM rekomandoi apelimin e çështjes dhe Komisionerja Publike, Irena Nino e ankimoi atë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit në maj 2023.

Ashtu si ONM, edhe Nino vlerësoi se subjekti ka qenë poseduesi de facto i apartamentit në Tiranë dhe kërkoi që kjo situatë të konsiderohej në vlerësimin e përgjithshëm në lidhje me cenimin e besimit të publikut tek drejtësia. Po ashtu, Komisionerja Publike vlerësoi se Tota nuk arriti të përmbyste barrën e provës lidhur me vërtetimin e burimit të ligjshëm të një huaje 400 mijë lekë të marrë prej bashkëshortes së ndjerë nga motra e saj, me qëllim investimin në shoqërinë ku punonte, prej nga më vonë subjekti ka përfituar një vlerë prej 40 mijë eurosh. Nino u shpreh se balancat negative të konstatuara nuk justifikojnë në mënyrë objektive masën e proporcionalitetit.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shqyrtuar fillimisht pretendimin e Komisioneres Publike se subjekti i nuk ka arritur të përmbysë barrën e provës, për sa i përket shpjegimit të arsyeve të sjelljes së tij si pronar de facto i apartamentit që në vitin 2004, si një nga elementët mbi të cilët është ngritur dyshimi se kjo pasuri ka qenë e tij që në fillimet e krijimit të saj.

KPA konstaton se Komisioni ka arritur në përfundime konfirmuese të shpjegimeve të subjektit lidhur me këtë situatë, duke konsideruar se ai kishte qenë bindës për sa i takon sjelljes në dukje si pronar i kësaj pasurie, si veprime që ishin kryer në mirëbesim për shkak të marrëdhënieve të posaçme, veçanërisht në kontekstin e situatës së vështirë jetësore në të cilën u gjend familja pasi bashkëshortja ndërroi jetë. Sipas shumicës së KPK, Tota e ka deklaruar këtë pasuri si adresën e tij të banimit për të gjithë periudhën që ka banuar në të, duke demonstruar se nuk ka pasur asnjëherë qëllim për fshehje të saj.

Trupi gjykues i KPA çmon se duhen vlerësuar në harmoni të gjitha të dhënat e nxjerra nga hetimi për këtë pasuri dhe rendit ato që duhet të merren në analizë. Kolegji vlerëson se Tota, që prej vendosjes në këtë banesë në vitin 2004, duhej ta deklaronte marrëdhënien juridike nga i buronin të drejtat reale për përdorimin e kësaj pasurie.

“[…]Sjellja e subjektit të rivlerësimit me pronën, gëzimi dhe përdorimi i saj jo prej pronarëve të pretenduar, por vetëm prej subjektit të rivlerësimit dhe familjes së tij, në raport me gjithë provat e tjera të analizuara, duket se qëndron në një raport të zhdrejtë, për sa i përket asaj që subjekti pretendon apo ofron në këmbim të këtij përfitimi”, vëren KPA dhe shton se pronarët de jure kanë investuar 50- mijë USD në vitin 2003 për këtë pasuri, duke shpenzuar një pjesë të rëndësishme të të ardhurave të tyre që kanë qenë të kufizuara.

Në vijim, KPA sjell në vëmendje se familja e motrës së subjektit ka jetuar me të ardhura nga puna, e cila është pretenduar se ka prodhuar edhe shpërblime të tjera veç pagës, si komisione të paprovuara. “[…]Por që edhe në versionin që jep subjekti nuk përfaqësojnë në asnjë rast vlera të tilla që do të bënin indiferentë krijuesit e tyre, për investimin në këtë vlerë dhe mospërdorimin e pronës, për një periudhë kaq të gjatë kohe”, vlerëson Kolegji dhe konstaton se kunati i Totës që e ka blerë këtë pasuri, jo vetëm nuk e ka përdorur asnjëherë, por ka jetuar vetë me qira deri sa ka ndërtuar banesën e tij private.

Për rrjedhojë, trupi gjykues i Kolegjit çmon se është i drejtë dhe i mbështetur në situatën faktike pretendimi i Komisioneres Publike se subjekti nuk ka mundur të japë një shpjegim të logjikshëm dhe bindës për përdorimin e apartamentit.

Në vijim, KPA analizon pretendimin e Komisioneres, se subjekti nuk ka arritur të provojë mundësinë e kunatit për blerjen e apartamentit, që e ka përdorur pa kundërshpërblim.

Duke mos konsideruar si burime për blerjen e apartamentit nga familja e motrës, të shumave monetare në depozitat e tyre bankare për shkak të mospërfshirjes së bonuseve nga komisionet e pretenduara si të përfituara prej motrës nga shoqëritë e sigurimit, ka rezultuar një bilanc negativ në vlerën rreth 3.3 milionë lekë.

Megjithëse kjo balancë negative e familjes së motrës së subjektit vlerësohet se nuk ngarkon atë drejtpërdrejtë me përgjegjësi, është çmuar të vlerësohet së bashku me konkluzionet e tjera të arritura nga kontrolli i marrëdhënies së subjektit me këtë pasuri.

Qëndrimi i shumicës së Komisionit mënyra e kontrollit të këtyre burimeve, për shkak të faktit se këta individë nuk janë në rrethin e personave të lidhur me subjektin, gjendet pa lidhje në këtë rast. “Përderisa vetë Komisioni në raportin e rezultateve paraprake të hetimit ka ngritur dyshime të artikuluara qartë e të shoqëruara me barrën e provës për t’i kundërshtuar ato, niveli i kontrollit të burimeve të personave që mbajnë pasurinë de jure nuk mund të limitohet për shkak të ndonjë standardi ligjor, por ai vlerësohet rast pas rasti prej vetë organeve të rivlerësimit në përputhje me nevojat e rastit për hetim”, shprehet KPA.

Nga analizimi i rrethanave të kontratës së cedimit të vitit 2016, është konstatuar se subjekti pas 12 vitesh posedim të pandëprerë dhe pothuaj pa shpërblim, i ka fituar të drejtat për të njëjtin çmim të paguar nga kunati në vitin 2003, megjithëse sipas çmimit të tregut, vlera ishte trefish më e lartë. Kjo, rrethanë vlerësohet se duket se e favorizon Totën në mënyrë të paarsyeshme.

KPA vlerëson se, nisur nga deklarimi se subjekti i kishte dhënë hua kunatit shumën 40 mijë euro në në vitin 2008, kjo duhej të ishte konsideruar në mënyrën e shlyerjen së detyrimit për apartamentin, si kompensim i detyrimeve.

“Mos përdorja e këtij instituti për të shuar dy detyrime, të cilat sipas deklarimeve i përkasin një kohe të largët dhe që pavarësisht se ekzistonin njëkohësisht në vitin 2016, e duket se kanë humbur qëllimin e tyre, sugjeron për dyshime të arsyeshme rreth mosekzistencës së tyre apo edhe pagimit në realitet të çmimit të përcaktuar në kontratën e cedimit, rrethanë që i bashkëlidhet fakteve të tjera të arsyetuara më lart, të cilat konfirmojnë panoramën e pretenduar prej Komisionerit Publik në ankim se apartamenti ka qenë gjithmonë pasuri de facto e subjektit të rivlerësimit”, arsyeton Kolegji.

Megjithatë, Kolegji nuk e gjen të saktë pretendimin e Komisioneres Publike se Tota e ka fshehur këtë pasuri, pasi rezulton që ai ta ketë pasqyruar në deklaratën “veting”.

“[…]Në vlerësimin e trupit gjykues nuk do të gjente vend zbatimi i nenit 33, pika 5, shkronja “c” e ligjit nr. 84/2016, e cila do të kualifikonte situatën në të cilën në deklaratën vetting subjekti do të kishte heshtur për ekzistencën e marrëdhënies së tij me këtë pasuri, duke synuar shmangien e kontrollit të organeve të rivlerësimit për të”, citohet në vendim.

Por, evidentohet se situata e paligjshmërisë rreth deklarimeve të subjektit qëndron dhe se ato duhen konsideruar si të pavërteta e të rreme me synim deformimin e rezultateve të kontrollit që do ushtrohet mbi këtë pasuri prej organeve të vetingut në drejtim të burimeve të krijimit. Sipas KPA, në vitin 2003 kanë munguar burimet financiare për këtë pasuri.

Në përfundim, Kolegji konkludon se prokurori Naim Tota ka kryer deklarim të rremë për apartamentin.

KPA ka gjetur të drejtë pretendimet e Komisioneres Nino se subjekti nuk ka pasur burime të ligjshme për blerjen e aksioneve nga bashkëshortja në vitin 2005, prej nga ka përfituar shumën prej 40 mijë eurosh, të pasqyruar në deklaratën “veting”. Në vendim konstatohet se familja e subjektit rezulton me bilanc negativ në shumën 19 milionë lekë në vitin 2005.

Pasi ka marrë në shqyrtim dhe shkakun e ankimit të Ninos për analizën financiare të kryer nga Komisioni për periudhën 2003-2016, Kolegji ka konkluduar bilanc negativ në vlerë më të madhe. KPK ka gjetur bilanc negativ në disa vite kur janë konstatuar pasaktësi në deklarime, në vlerën totale prej reth 1.5 milionë lekësh. Nga korrigjimi kësaj analize në Kolegj, është konklduar pamundësi financiare në vlerën totale prej rreth 3.4 milionë lekësh.

Në përfundim, Kolegji çmon se prokurori Tota ka bërë deklarime të pamjaftueshme në kriterin e pasurisë.

KPA ka analizuar dhe shkaqet e ngritura prej Komisioneres për aspektin profesional. Në shqyrtimin e një çështje të hetuar nga subjekti, KPA e gjen të drejtë konstatimin e Ninos se subjekti ka treguar mangësi në ushtrimin e funksioneve, për sa kohë që në mënyrë të përsëritur nuk ka zbatuar urdhërimet e vendimit të gjykatës, duke vepruar në kundërshtim me detyrimin e përcaktuar në Kodin e Procedurës Penale.

Situata të ngjashme për mungesë hetimesh, kryerjen e hetimeve të cunguara dhe moszbatim të urdhërimeve të vendimeve të gjykatave për kryerjen e hetimeve shtesë, janë konstatuar dhe në çështjet e trajtuara nga subjekti, të cilat janë identifikuar në denoncimet e paraqitura në Komision. Por, mangësitë e gjetura në kriterin profesional nuk janë vlerësuar të mjaftueshme për të sjellë penalizim.

Mbështetur në konkluzionin e arritur në kriterin e vlerësimit të pasurisë, Kolegji çmon se ankimi i paraqitur prej Komisioneres Publike Irena Nino është i drejtë dhe ka vendosur ndryshimin e vendimit të Komisionit, duke e larguar prokurorin Naim Tota nga sistemi i drejtësisë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *