Kreu i Prokuorisë se Apelit Tiranë, Dritan Peka | Foto :LSA
Artikull kryesor Lajme KPA Lajme Vendi

KPA largon nga sistemi i drejtësisë prokurorin Dritan Peka

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe shkarkimin nga detyra të drejtuesit të Prokurorisë së Apelit, Dritan Peka për deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë.

Kreu i Prokuorisë se Apelit Tiranë, Dritan Peka | Foto :LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të enjten vendimin për drejtuesin e Prokurorisë së Apelit Tiranë, prokurorin Dritan Peka. Në përfundim, trupi gjykues i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Rezarta Schuetz relatore dhe Ina Rama, Ardian Hajdari dhe Sokol Çomo anëtarë, konkludoi se prokurori Dritan Peka ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për pasurinë dhe vendosi shkarkimin nga detyra të tij.

Kryesuesja e trupit gjykues, Natasha Mulaj tha gjatë shpalljes së vendimit, se prokurori Peka ka kryer deklarim të pasaktë për pasurinë, pasi nuk ka pasqyruar në deklaratën veting gjendjen cash në vlerën 1.5 milionë lekë, të pretenduara prej tij më pas gjatë gjithë procesit të rivlerësimit, përfshirë edhe në Kolegj.

Mulaj sqaroi se nga analiza financiare e kryer për periudhën 2003-2016 ka rezultuar se subjekti i rivlerësimit nuk kishte mundësi financiare për të mbulur me të ardhura të ligjshme shpenzimet dhe kursimet e deklaruara, si dhe ato të pretenduara gjatë procesit të rivlerësimit.

“Shpjegimet e subjektit të rivlerësimit lidhur me mospërputhjet e deklarimeve të likujditeteve cash, në kushtet kur kjo pasuri gjendet jashtë sistemit bankar dhe kur e vetmja mënyrë verifikimi janë deklarimet në deklaratat periodike, mbeten të paargumentuara bindshëm dhe në nivel deklarativ”, pohoi Mulaj.

Në përfundim, trupi gjykues i Kolegjit konkludon se për kriterin  deklarimit të pasurisë, prokurori Dritan Peka gjendet në kushtet e deklarimit të paplotë dhe të pasaktë së pasurisë së tij, duke u përpjekur të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasurinë e tij në formën e likuiditetit cash.

Kolegji e vlerëson të padrejtë dhe të pabazuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit KPK për konfirmimin në detyrë të prokurorit Peka dhe vendosi ndryshimin e tij duke e larguar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë.

Gjatë paraqitjeve të konkluzioneve përfundimtare, më 8 tetor, Komisioneri Publik, Dariel Sina u tërhoq nga qëndrimi i tij lidhur me shkaqet e ngritura në ankim për aspektin profesional dhe etikën, ndërkohë që kërkoi shkarkimin e Pekës për deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë.

Sipas Sinës subjekti nuk mbulonte me burime financiare një pjesë të shpenzimeve për udhëtime jashtë shtetit të bëra që nga viti 2004.

Komisioni la në çmimin e Kolegjit shkaqet fillestare të ankimit ndaj subjektit që lidheshin me një kredi të butë për strehim. Gjithashtu, Sina u tërhoq edhe nga ankimi për punësimin e një të afërmi  të pakualifikuar të ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla në Prokurorinë e Apelit Tiranë, si dhe nga  tre denoncimet që kishin ardhur kundër subjektit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Prokurori Peka deklaroi se nuk kishte balanca negative në analizën financiare nga udhëtimet, por pranoi që në deklarimit vjetore pranë ILDKPKI nuk kishte deklaruar gjendjen ‘cash’.

Dritan Peka e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në Shqipëri në vitin 2000. Ai ka punuar si prokuror i Prokurorisë së Tiranës deri në vitin 2008, kur është promovuar si prokuror i Apelit të Tiranës dhe më pas, në vitin 2015, si drejtues i këtij institucioni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *