Gjyqtarja e Apelit Shkodër, Lindita Hoxha.
Analiza Korrupsioni KPK Në Fokus

Shkarkimi i Lindita Hoxhës, argumentet e kundërta për pasurinë dhe konfliktin e interesit

Vendimi i arsyetuar i KPK-së për shkarkimin e gjyqtares së Apelit të Shkodrës, Lindita Hoxha tregon se shumica gjeti mungesë burimesh të ligjshme dhe konflikt interesi, ndërsa relatorja argumentoi për të kundërtën.

Gjyqtarja e Apelit Shkodër, Lindita Hoxha.

Gjyqtarja e Apelit të Shkodrës, Lindita Hoxha u shkarkua nga detyra më 6 gusht, me votat e dy anëtareve të trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Etleda Çiftja dhe Xhensila Pine. Relatorja Valbona Sanxhaktari argumentoi në pakicë se gjyqtarja Hoxha duhej të ishte konfirmuar në detyrë, pasi “nuk kishte fshehur pasurinë dhe nuk ishte në kushtet e konfliktit të interesit”.

Komisioni konstatoi pamundësi financiare për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 92 m² në Shkodër në vitin 2006 me vlerë 2 milionë lekë, pasi shumica nuk e konsideroi një hua prej 1 milion lekësh, të deklaruar në vitin 2006, por pa emrin e huadhënësit.

Identiteti i tij, S.B ishte deklaruar nga gjyqtarja Hoxha në deklaratën veting.

Pasqyrimi i identitetit në deklaratën veting është konsideruar nga shumica si një përpjekje për të justifikuar burimin e huasë, që kishte shërbyer për blerjen e apartamentit. Dy anëtaret e KPK-së argumentuan gjithashtu se një overdraft i pasqyruar gjithashtu si burim për blerjen e apartamentit ishte marrë disa ditë pas kontratës së shit-blerjes.

Por relatorja Valbona Sanxhaktari nuk pajtohet me mendimin e shumicës dhe argumenton se subjekti ka përmbushur detyrimin për të pasqyruar me saktësi të dhënat e pasurisë së saj në dekalaratën veting si edhe gjatë procesit të rivlerësimit.

Sanxhaktari evidenton një deklaratë noteriale të marsit 2015, ku huadhënësi S.B. deklaron se i ka dhënë bashkëshortit të subjektit shumën 1 milion lekë, me qëllim blerjen e një apartamenti dhe se detyrimi për këtë shumë është shlyer në vitin 2007.

Sanxhaktari çmon ndryshe edhe lidhur me mundësitë financiare të huadhënësit. Sipas saj, subjekti ka shpjeguar në mënyrë shteruese se S. B. ka pasur të ardhura të mjaftueshme nga një aktivitet i tij tregtar si person fizik dhe si aksioner në një shoqëri.

Lidhur me konkluzionin e shumicës për overdraftin, Sanxhaktari konstaton se vlera është përdorur në këtë periudhë. Relatorja arrin në përfundimin se gjyqtarja Hoxha kishte pasur burime të ligjshme për blerjen e apartamentit.

Dy anëtaret e trupës së KPK-së argumentuan gjithashtu se subjekti nuk kishte pasur burime të ligjshme financiare për ndërtimin e një objekti informal në fshatin Shtoj i Vjetër në Shkodër në vitin 2013, për vlerën 1.4 milion lekë.

Hoxha ka deklaruar se ndërtimi informal është njëkatësh dhe është bërë me një kosto të ulët, me material të blerë në treg të lirë, pa faturë shoqëruese të mallit. Gjithashtu, ka pretenduar se punimet e ndërtimit janë realizuar me punën e dajës dhe shokut të bashkëshortit.

Sipas kadastrës së Shkodrës, sipërfaqja e bazamentit të ndërtesës dykatëshe pa leje ishte 100 m² dhe me sipërfaqe totale ndërtimore 220 m2. Për shkak të mospërputhjeve, KPK konkludon se Hoxha është përpjekur të fshehë dhe të paraqesë në mënyrë të pasaktë ndërtimin informal në Shkodër.

Sipas shumicës, subjekti i rivlerësimit gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë në deklaratën e pasurisë së rivlerësimit, në lidhje me truallin 1000 m2 ku është ndërtuar objekti informal, pasi nuk e ka pasqyruar dhe nuk e ka provuar me dokumentacion ligjor pronësinë mbi këtë pasuri.

Duke iu referuar kostove mesatare të ndërtimit të përcaktuar nga Enti Kombëtar i Banesave, shumica konkludon se investimi duhej të kishte kapur vlerën rreth 6 milionë lekë dhe se subjekti i rivlerësimit ka mungesë të burimeve të ligjshme për të financuar ndërtimin informal.

Gjithashtu, vlerësohet se gjyqtarja nuk ka provuar se një hua prej 600 mijë lekësh rridhte nga burime të ligjshme.

Sanxhaktari nuk ka rënë dakord me konkluzionet e arritura nga shumica për mungesë burimesh për ndërtimin informal. Ajo evidenton faktin se marrëdhënia e huasë është deklaruar në vitin 2013 kur është kryer investimi.

Duke iu referuar fotove të paraqitura nga subjekti për ndërtimin informal, Sanxhaktari shprehet se investimi duket që është modest, si një përpjekje për të organizuar një veprimtari tregtare për rritjen dhe mbarështimin në formë natyrore të shpendëve, në një terren të njohur për bashkëshortin e subjektit.

Qëndrime të ndryshme ka pasur edhe për një apartament të blerë në vitin 2016 në Shëngjin të Lezhës, pasi dy anëtaret në shumicë argumentuan se kur është paguar kësti i parë prej 10 mijë eurosh, Hoxha nuk kishte deklaruar pakësimin e shumës në cash.

Sanxhaktari e konsideron këtë interpretim të gabuar të ligjit dhe arsyeton se Hoxha e kishte deklaruar saktë pagesën e këstit të parë prej 10 mijë eurosh.

Një tjetër argument që solli shkarkimin ishin dy hua në vlerën e 5 mijë euro për blerjen e një automjeti “Benz 270 C Class”. Shumica argumenton se Hoxha nuk kishte provuar mundësinë financiare të huadhënësve si dhe mbërritjen e këtyre parave në Shqipëri.

Sipas relatores Sanxhaktari, të ardhurat e huadhënësve janë të mjaftueshme dhe se Hoxha e ka përmbushur detyrimin e saj për të provuar mundësitë financiare të tyre.

Konflikti i interesit

Komisioni konstaton se në llogaritë bankare të bashkëshortit të Lindita Hoxhës për periudhën tetor 2008 – nëntor 2014, janë derdhur të ardhura nga qiraja prej një shoqërie sigurimesh, në vlerë totale rreth 3 milionë lekë. Ndërkohë, në deklaratën veting, Hoxha ka shënuar si të ardhura nga kjo marrëdhënie qeraje vetëm vlerën 240 mijë lekë.

E pyetur për këtë marrëdhënie, subjekti ka shpjeguar se nuk ka pasur dijeni dhe ka deklaruar se për periudhën 2008 − 2012, bashkëshorti i saj nuk ka përfituar të ardhura. Gjyqtarja Hoxha ka sqaruar se kjo llogari ka shërbyer vetëm për depozitimin e shumës së qirasë nga shoqëria dhe se tërheqja e vlerave është bërë në bankomate, duke ia dorëzuar në vijim pronarit të objektit Gj.P.

Në vendim thuhet se subjekti ka pretenduar se pagesa është kryer në emër të bashkëshortit të saj, pasi pronari i njësisë së dhënë me qira, z. Gj. P., nuk ka pasur llogari bankare në atë periudhë.

Pasi është njohur edhe me qëndrimin e gjyqtares Hoxha, Komisioni arsyeton se nuk mbështeten në asnjë fakt dhe asnjë provë pretendimet e subjektit, se kjo vlerë i është kthyer shtetasit Gj. P.. Sipas shumicës, këto depozitime në llogarinë bankare, për periudhën 2008 − 2012, nuk janë deklaruar në deklaratat periodike përkatëse dhe as në deklaratën veting, edhe pse ishte detyrim.

KPK thekson se në vitet 2013 dhe 2014, kur bashkëshorti i subjektit ka përfituar vlera monetare nga shoqëria e sigurimeve, gjyqtarja Hoxha ka shqyrtuar dy çështje në të cilat kjo shoqëri ka qenë palë ndërgjyqëse.

Sipas shumicës, subjekti duhet të merrte të gjitha masat e duhura për të evituar situatat e tilla të konfliktit, duke qenë e vetëdijshme se legjislacioni e ngarkonte me përgjegjësi për shmangien e tyre.

Trupi gjykues vlerëson se dy vendimet e marra nga trupa gjykuese ku Hoxha ka qenë pjesë, e vendosin atë në kushtet dhe situatën e konfliktit të interesit.

Sanshaktari del kundër arsyetimit të shumicës së trupit gjykues, me argumentin se bashkëshorti i subjektit, G. A. nuk ka patur ndonjë marrëdhënie të veçantë të një interesi të drejtpërdrejtë apo të tërthortë lidhur me këtë shoqëri. Sipas saj, ishte shoqëria që kishte shprehur interesin për marrjen me qira të një objekti modest, i cili as nuk ishte në pronësi të z. G. A.

Sanxhaktari evidenton se nga vendimet rezulton se gjyqtarja Hoxha nuk është përpjekur të favorizojë shoqërinë e sigurimeve dhe argumenton se kjo marrëdhënie nuk mund të përbëjë shkak për situatë të mundshme të konfliktit të interesit.

Në përfundim, kryesuesja Etleda Çiftja dhe anëtarja Xhensila Pine konsiderojnë se Hoxha ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të pasurisë dhe se ka vepruar e gjendur në kushtet e konfliktit të interesit, duke vendosur shkarkimin e saj për këtë kriter.

Sanxhaktari, në vlerësim të përgjithshëm të çështjes, evidenton se në asnjë rast të dhënat në deklaratën veting nuk bien ndesh me deklarimet periodike vjetore të dorëzuara prej gjyqtares Hoxha dhe se pasaktësitë e konstatuara nuk mund të përbëjnë shkak shkarkimi kur ato rezultojnë të paqëllimshme.

“…Në të gjitha hetimet e Komisionit lidhur me subjektin e rivlerësimit, ka rezultuar se ajo ka integritet të lartë në punë dhe se nuk vihet lehtësisht nën presion nga strukturat kriminale”, evidenton Sanxhaktari, e cila arsyeton se gjyqtarja Hoxha duhej të ishte konfirmuar në detyrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *