Arjana Gumbardhi në KPK
Analiza KPK Veting

Gjyqtarja Arjana Gumbardhi u shkarkua për balanca negative në vlera të mëdha

Gjyqtarja Arjana Gumbardhi (Caco) e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë u shkarkua nga detyra më 7 tetor 2022, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konkludoi balanca negative në vlera të mëdha për krijimin e pasurive dhe likujditeteve. Ndërkohë, ajo u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe se kishte arritur nivel minimal kualifikues për profesionalizmin.

Procesi i vetingut për gjyqtaren Gumbardhi u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relator Roland Ilian dhe anëtare Etleda Çiftjan.

Ariana Gumbardhi (Caco) e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993. Ajo punoi prej më shumë se dy dekadash si gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Të ardhurat dhe depozitat

Në deklaratën “veting”, bashkëshorti subjektit ka deklaruar të ardhura nga avokatia në vlerën 24.3 milionë lekë; nga angazhimi pranë një projekti të Ministrisë së Bujqësisë për periudhën 2000 – 2006, në masën 40 mijë USD; nga angazhimi pranë dy shoqërive shumat 1 milion e 950 mijë lekë, 960 mijë lekë dhe 24 mijë euro; si dhe nga administrimi i pronave të një familje, por në këtë rast nuk ka përcaktuar një vlerë konkrete.

Po në këtë deklaratë, ai ka shënuar depozita të krijuara me të ardhurat nga puna si avokat, konkretisht në vlerat 22 mijë e 779 USD; 40 mijë e 255 euro; 1 milion e 992 mijë lekë; 80 mijë e 652 USD; 2.348 USD;  37 mijë e 159 USD; si dhe një llogari rrjedhëse në vlerёn 51 mijë e 438 USD.

Komisioni ka hetuar mundësinë e krijimit të këtyre depozitave sipas burimit të deklaruar. Nga verifikimet ka rezultuar se bashkëshorti i subjektit ka ushtruar aktivitet të ligjshëm prej vitit 2007 e në vijim dhe vetëm të ardhurat e siguruara në këtë periudhë janë përfshirë në analizën financiare.

Veç të ardhurave nga puna si avokat që vërtetohen me dokumentacion tatimor nga viti 2007 e në vijim, KPK ka konsideruar edhe të ardhurat e përfituara nga një projekt i Ministrisë së Bujqësisë për vitet 2000-2005. Nga kjo analizë ka rezultuar se bashkëshorti i subjektit ka krijuar të ardhura nga puna si avokat në masën 17.2 milionë lekë deri në vitin 2016, ndërkohë që gjendja e depozitave në emër të tij në fund të 2016-ës është në vlerën 41.3 milionë lekë.

Në përfundim të hetimit administrativ, Komisioni ka arritur në konkluzionin se subjekti i rivlerësimit nuk provoi me dokumentacion justifikues ligjor burimin e krijimit të totalit të likuiditeteve bankare me burim të deklaruar të ardhurat e bashkëshortit nga puna si avokat.

Ndërkohë, për të vërtetuar të ardhurat nga administrimi i pronave të familjes M., subjekti ka sjellë si prove një prokurë të përgjithshme të vitit 2001; një vendim të vitit 1996 të Komisionit të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave në favor të familjes M.; disa kontrata qiraje për një pronë të kësaj familjeje; si dhe urdhërpagesat në banka të ndryshme për likuidimet e qirave.

Gjatë hetimit KPK ka evidentuar shumë veprime bankare ku rezulton të jenë kryer depozitime cash nga shtetasi A.H. dhe të tjerë persona. Subjekti ka shpjeguar se shtetasi që ka kryer depozitimet e vlerave cash ka marrë me qira një lokal të familjes M., pronat e të cilës administrohen prej bashkëshortit të saj prej vitit 2001.

KPK vëren se Gumbardhi nuk ka shpjeguar në mënyrë shteruese se sa ka qenë vlera e qirasë që bashkëshorti u ka dhënë pronarëve të lokalit dhe sa është është shpërblimi nga dhënia e shërbimit të avokatisë dhe administrimi i pronave që ai duhet të mbante.

Bazuar në deklarimet e subjektit, KPK vëren se, po të bëhet diferenca mes vlerave që Gumbardhi pranon të ketë marrë bashkëshorti nga familja M. për periudhën 2000 – 2016 në shumën totale 535 mijë USD dhe shumave të transferuara tek kjo familje në masën 246 mijë USD, rezulton se nga kjo marrëdhënie është mbajtur duke shtuar pasuria në një vlerë totale prej 289 mijë USD.

KPK konstaton se subjekti në asnjë deklaratë periodike dhe as në atë “veting”, nuk ka shënuar ndonjë detyrim për t’i kthyer familjes pronat e së cilës i administron bashkëshorti, si dhe as vlerën monetare që ju takon nga këto të ardhura.

Gumbardhi ka deklaruar se puna e bashkëshortit të saj në marrdhënien me familjen M., ka qenë kryesisht administrim dhe se ai duhet të trajtohet si individ natyral dhe jo si avokat. Ajo ka theksuar se nuk ka përfunduar kontrata e porosisë dhe se shumat e vjela të qirave të pronave të familjes M janë në bankë dhe për rrjedhojë bashkëshorti i saj nuk ka shtuar pasuri me to, prandaj nuk duhet të përfshihen në analizën finnaciare.

Në vijim, Gumbardhi ka pretenduar se shpërblimi i punës dhe përqindjes së bashkëshortit për administrimin e pronave të familjes M. do të përcaktohet pas rakordimit përfundimtar, ku do të ndahet shërbimi i avokatisë nga ai i administrimit, duke zbritur edhe shpenzimet e kryera.

Por, Komisioni i vlerëson kontradiktore dhe në nivel deklarativ këto pretendime dhe e konsideron të pamundur verifikimin e të ardhurave të përfituara nga secili burim. “Këto likuiditete në llogari dhe depozita nga administrimi i pronave të familjes M janë të shpërndara në disa llogari bankare dhe ndarja e tyre nga të ardhurat e tjera të bashkëshortit të subjektit është pothuajse e pamundur”, citohet në vendimin e arsyetuar.

KPK konstaton se shërbimi dhe administrimi i kryer ndër vite nga bashkëshorti i subjektit për familjen M. është i pashoqëruar me faturë tatimore dhe se ky fakt pranohet edhe nga vetë Gumbardhi.

“[…]Bashkëshorti i subjektit, gjithsesi, në këtë marrëdhënie shërbimi dhe administrimi me familjen M, edhe në mënyrë hipotetike, po të ishte e sqaruar tashmë pozita dhe roli i bashkëshortit në këtë marrëdhënie, prapëseprapë do të kishte të bënin me një veprim (kontratë apo marrëveshje), që pason ofrimin e shërbimit nga bashkëshorti i subjektit në bazë të prokurës së vitit 2001 (moment kohor i mëparshëm) dhe mënyra e shpërndarjes së fitimit nuk do të shuante detyrimin ligjor të bashkëshortit të subjektit për të faturuar shërbimin e ofruar në të shkuarën dhe detyrimin e subjektit për ta deklaruar atë ndër vite”, arsyeton trupa e KPK dhe arrin në përfundimin se çdo shërbim i bashkëshortit të subjektit në këtë marrëdhënie shërbimi dhe administrimi me familjen M., do të duhej të shoqërohej me faturë tatimore.

Komisioni arrin në në konkluzionin se depozitat e pasqyruara nga bashkëhsorti në deklaratën “veting” dhe në ato periodike, me burim nga avokatia dhe nga administrimi i pronave të familjes M., janë pasuri të krijuara me të ardhura për të cilat nuk u arrit të provohej me dokumentacion justifikues ligjor përkatësia dhe ndarja e tyre. Për rrjedhojë, Komisioni vlerëson se janë pasuri të bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit.

Nisur nga fakti se nuk është arritur të provohej me dokumentacion ligjor vlera e këtyre likuiditeteve nëdhe pagesa e detyrimit tatimor përkatës, KPK vlerëson se Gumbardhi dhe bashkëshorti i saj kanë bërë deklarim të pasaktë me qëllim fshehjen e vlerave reale të përfituara nga shërbimi dhe administrimi i pronave të familjes M..

Në përfundim, Komisioni çmon se Gumbardhi gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe se ka mungesë burimesh financiare të ligjshme për të justifikuar likujditetet bankare në emër të bashkëshortit të saj.

Veprime fiktive dhe balanca negative

Bashkëshorti i subjektit ka shënuar në deklaratën “veting” një sipërfaqe toke 20 mijë m2 në Lezhë, e përfituar nëpërmjet një kontrate shitblerje të vitit 2013 për çmimin 2.5 milionë lekë. Ndërkohë, ka rezultuar se në vend të pagesës janë ofruar shërbime avokatie, konsulenca ligjore dhe përfaqësim në gjykim, por pa u dokumentuar faturimi shërbimit që i është ofruar bashkëpronarëve të tokës.

Nga hetimi Komisionit është konstatuar se bashkëshorti i subjektit dhe një kolegu tij kanë nënshkruar kontratën për shitblerjen e pasurisë moçal me sipërfaqe 20 mijë m2 me çmim 2.5 milionë lekë për efekt regjistrimi të pasurisë në ZVRPP.

KPK arrin në përfundimin se bashkëshorti i subjektit, në cilësinë e avokatit, ka kryer veprime fiktive, duke nënshkruar një kontratë shitblerjeje, e cila realisht ishte kontratë shkëmbimi, duke mos lëshuar faturë tatimore për shërbimin e kryer, si dhe duke shmangur pagimin e detyrimeve përkatëse në buxhetin e shtetit.

Nga analiza financiare e kryer në KPK ka rezultuar pamundësi për blerjen e një automjeti në vitin 2006 për vlerën 350 mijë lekë, me burim të ardhurat e bashkëshortit si avokat. Komisioni i ka kaluar subjektit barrë prove për mosvërtetimin e burimit të kësaj pasurie, pasi nuk janë vërtetuar të ardhurat e bashkëshortit nga puna si avokat në vitin 2006. Nisur nga fakti se në shpjegimet përfundimtare, Gumbardhi ka pretenduar se si kontribut për blerjen e mjetit kanë shërbyer edhe të ardhurat e saj, KPK vlerëson se ajo ka kryer deklarim të pasaktë.

Megjithëse në analizën përfundimtare Komisioni ka konsideruar të ardhurat e bashkëshortit të subjektit nga pagat prej angazhimit në projektin e Ministrisë së Bujqësisë, sërish ka rezultuar balancë negative.

Komisioni nuk ka gjetur probleme për një apartament banimi me sipërfaqe 39 m2 në Tiranë e përfituar nga familja e origjinës së subjektit nëpërmjet privatizimit në vitin 1993, ku ajo rezulton se zotëron 1/3-ën pjesë takuese. Po ashtu, nuk janë gjetur probleme në përfitimin e një apartamenti me sipërfaqe 54 m2 në Vlorë nga familja e bashkëshortit në vitin 1994.

Ndërkohë, është konkluduar se Gumbardhi ka kryer deklarim të pasaktë dhe se nuk ka pasur mundësi financiare për ndërtimin e një shtese 68 m2 në vitin 2000 bashkëngjitur apartamentit të përfituar prej familjes së saj nga privatizimi në ’93-in.

Vlera e shpenzimeve për shtesën është deklaruar në shumën 1 milion lekë dhe si burim të ardhurat e subjektit nga pagat si gjyqtare, si dhe tё bashkëshortit.

Komisioni konstaton se subjekti nuk ka paraqitur dokumentacion ligjor për vlerën e punimeve, por ka pasqyruar një vlerë deklarative. Në mungesë të dokumentacionit ligjor për kostot e punimeve, është përfshirë në analizë një vlerë të përllogaritur sipas referencave të Entit Kombëtar të Banesave për vitin 2000, që ka rezultuar shuma 1 milion e 685 mijë lekë.

KPK ka pranuar një pjesë të provave lidhur me të ardhurat e siguruara nga bashkëshorti i subjektit si mësues, por nuk ka përfshirë në analizë ato të siguruara nga puna si avokat. Në vendimin e arsyetuar sqarohet se Gumbardhi ka depozituar vendime gjyqësore ku bashkëshorti figuron si gjyqtar, por nuk janë konsideruar të ardhurat nga ky profesion, për shkak se nuk është vërtetuar pagesa e detyrimeve tatimore.

Në përfundim, nga analiza financiare përshtimin e pasurive, likujditeteve dhe mbulimin e shpenzimeve të jetesës gjatë periudhës 1993-2000, ka rezultuar një balancë negative në shumën 4.3 milionë lekë.

Ngjashëm ka rezultuar edhe lidhur me një shtesë të ndërtuar bashkëngjitur apartamentit të familjes së bashkëshortit në Vlorë, për të cilën është dorëzuar kërkesa për legalizim në vitin 2013. Komisioni konstaton deklarim të pasaktë dhe mungesë burimesh të ligjshme për ndërtimin e shtesës së apartamentit në Vlorë.

Komisioni e ka ndarë në dy pjesë analizën financiare përfundimtare. Për periudhën 1993-2002 ka rezultuar balancë negative financiare në shumën totale 6.7 milionë lekë, kurse për vitet 2003-2016 në masën 35.5 milionë lekë, ku pamundësia financiare për gjithë periudhën e hetuar arrin në vlerën 42.3 milionë lekë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *