Foto arkive - seancë gjyqësore në KPA
Analiza Artikull kryesor ! KPA Veting

Si u ndanë ‘fatet’ e Elbana Llurit dhe ish-bashkëshortit Gerd Hoxha në KPA

Gjyqtarja e Apelit Tiranë, Elbana Lluri u shkarkua nga detyra prej Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA më 6 korrik 2022, për mosjustifikimin e ligjshmërisë së burimeve për blerjen e një apartamenti në Vlorë së bashku me ish-bashkëshortin Gerd Hoxha, i cili në të njëjtën ditë ruajti me shumicë votash konfirmimin e tij.

Vendimi i KPA për konfirmimin e Hoxhës u kundërshtua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, që theksoi se vendimmarrja duhej të ishte bazuar në fakte dhe jo t’i përshtatej rezultatit të dëshiruar.

Ankimet e Komisionerëve Publikë ndaj vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin e Llurit dhe të Hoxhës u shqyrtuan në Kolegj nga trupa që kishin në përbërje katër gjyqtarë të njëjtë.

Gjyqtarët Sokol Çomo dhe Ina Rama mbetën në pakicë kur vlerësuan se Hoxha duhej të shkarkohej për mungesa financiare dhe fshehje të të drejtave të pronësisë mbi një automjet luksoz, pasi dy anëtareve Albana Shtylla dhe Natasha Mulaj ju bashkua Rezarta Szhuetz që nuk i gjetën bindëse shkaqet e ankimit.

Në rastin e gjykimit të Llurit, arsyetimi i Çomos dhe Ramës u mbështet nga gjyqtarja Mimoza Tasi e cila nuk ishte pjesë e gjykimit të Hoxhës, duke krijuar kështu shumicën që solli ndryshimin e vendimit të Komisionit. Në vendimmarrjen për Llurin mbetën në pakicë Shtylla dhe Mulaj, që edhe në këtë rast mbajtën qëndrim të njëjtë si për ish-bashkëshortin e subjektit.

Problemi kryesor që u evidentua gjatë dy proceseve në Kolegj kishte të bënte me ligjshmërinë e burimeve për blerjen e një apartamenti në Vlorë.

Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Elbana Lluri u konfirmua në detyrë prej Komisionit më 2 shkurt 2021, por Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit rekomandoi apelimin e saj, duke arsyetuar se hetimi nuk kishte qenë i plotë ose ishte në kundërshtim me praktikën e vendosur tashmë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Komisioneri Publik ankimoi gjithashtu vendimin e konfirmimit duke kërkuar rihetim për Llurin.

Qëndrimet ndryshe për burimet

Kolegji vëren se Komisioneri hoqi dorë nga shkaqet e ankimit që lidheshin me një apartament në Tiranë; me verifikimin e mundësisë financiare të prindërve të subjektit për t’i dhënë asaj një hua prej 25 mijë eurosh që ka shërbyer për shlyerjen e një kredie; si edhe ato për të drejtat e Llurit mbi automjetin tip “Audi Q7” në pronësi të babait të ish-bashkëshortit.

Bazuar në këtë tërheqje të Komisionerit nga një pjesë e shkaqeve të ngritura, Kolegji ka çmuar të analizojë dhe shqyrtojë pretendimet e ngritura për pamundësi financiare të blerjes së nja apartamenti në Vlorë në vitin 2016 kundrejt çmimit 55 mijë e 546 euro.

Sipas komisionerit, deklarimi i subjektit në deklaratën “veting” dhe në atë fillestare të vitit 2004 lidhur me kursimet cash në masën 5 milionë lekë për shumat e përfituara nga motra në shumën 35 mijë lekë në muaj për periudhën 1997-2004 dhe për dhurimin e një vlere 2 milionë lekë, rezultojnë se mbështeten në deklarime kontradiktore dhe të paprovuara, që nuk mundësojnë kontrollin e vërtetësisë së tyre.

Po ashtu, Ballhysa pretendoi se analiza e deklarimeve për kursimet në cash të subjektit e personit të lidhur për vitet 2006- 2012, tregon për vlera të ndryshme nga ato që pretendon Lluri, duke pakësuar kështu masën kursimeve të mundshme e të provuara si të ligjshme që kanë shërbyer për blerjen e këtij apartamenti.

Mosllogaritja si kursim e shumës prej 1.2 milion lekësh nga shitja e një automjeti në vitin 2011, së bashku me rillogaritjen e shpenzimeve të udhëtimit për vitin 2016 sipas deklarimeve të subjektit dhe metodologjisë së aplikuar nga Kolegji, konsiderohen prej komisionerit se afektojnë analizën financiare të apartamentit në Vlorë, por edhe të gjithë analizës financiare.

Lluri ka deklaruar në vitin 2004 si gjendje cash të kursyer vlerën prej 5 milionë lekësh, si të holla “cash” të ruajtura në shtëpi, me burim nga të ardhurat e saj e të familjes dhe dhuratë nga motra.

Në vitet në vijim, ajo ka deklaruar kursime të tjera cash që kanë shërbyer për të krijuar fondin e përbashkët bashkë me ish-bashkëshortin, për financimin e pasurisë apartament në Vlorë.

Ndërkohgë, ish-bashkëshorti Hoxha ka deklaruar në vitin 2003 se ka disponuar cash shumën 2.5 milionë lekë të krijuar nga të ardhurat të realizuara nga paga mujore gjatë viteve 2000-2003 si student në Shkollën e Magjistraturës, si dhe të ardhura nga puna në sektorin privat gjatë periudhës shtator 1995 deri në janar të 2000-it. Ashtu si Lluri, edhe Hoxha ka deklaruar kursime të tjera në vitet në vijim.

Kolegji konstaton se subjekti nuk ka pasqyruar në vitin 2004, në deklaratën “veting” dhe as në pyetësorin e parë, vlerën e pretenduar si të dhuruar nga motra në shumën 2 milionë lekë, duke vlerësuar të pabesueshëm këtë deklarim gjatë hetimit administrativ.

“Kjo paqartësi dhe paplotësi e përsëritur në deklarime dhe e pashoqëruar me akte shkresore provuese të kohës, por vetëm me deklarimet noteriale të motrës e bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit gjatë procesit të rivlerësimit, për vlerën e të cilave Kolegji tashmë ka një jurisprudencë të konsoliduar17 , i vënë organet e rivlerësimit në vështirësi për të verifikuar vërtetësinë e tyre”, vlerëson shumica dhe i konsideron të pabazuara pretendimet e përsëritura të subjektit gjatë procesit të rivlerësimit në Komision dhe në Kolegj, se e motra gëzonte një situatë financiare shumë të mirë dhe kishte mundësi financimin jo vetëm të kësaj shume apo të privilegjeve të tjera, por edhe të vlerave shumë më të mëdha.

Megjithëse motra e subjektit ka justifikuar burimin e vlerave të pretenduara nga subjekti, Kolegji vlerëson se Lluri në cilësinë e magjistrates ka pasur detyrim kushtetues dhe ligjor të shpjegojë bindshëm burimet e ligjshme të pasurive të saj. Po ashtu, shumica thekson se ka mbetur i paprovuar përfitimi nga subjekti i shumës 2 milionë lekë e deklaruar si e dhuruar nga motra.

Shumica ka rrëzuar si jo bindëse edhe deklarimet e Llurit lidhur me përfitimin prej punësimit tek biznesi i motrës gjatë periudhës 1997-2004 të shumës 3 milionë e 360 mijë lekë.

Kolegji konstaton se në versionin e paraqitur në deklaratën “veting”, subjekti e ka përshkruar si një marrdhënie punësimi, ndërkohë që nuk ka depozituar asnjë dokument për ta provuar një gjë të tillë.

“Deklarimet se këto shuma ishin simbolike për subjektin e rivlerësimit e, për pasojë, nuk dukej se meritonin një interes të dedikuar drejt dokumentimit të tyre për efekt provueshmërie, konsiderohen prej Kolegjit si pa vend, për sa kohë këto shuma të përfituara sipas deklarimit të subjektit, tejkalonin ndjeshëm edhe pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në kohën e përfitimit të tyre dhe, për më tepër, kanë shërbyer për krijimin e një shume prej 5.000.000 lekësh gjendje cash në banesë, e cila nuk mund të nënvleftësohej për kohën e krijimit, madje edhe sot, kur pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë rritur në mënyrë të ndjeshme”, argumenton shumica.

I pambështetur është gjetur edhe pretendimi se për krijimin e kësaj shume kanë shërbyer edhe të ardhurat e prindërve e dhurimet që motra u ka bërë atyre periodikisht në vite, që sipas saj do të ndryshonin balancën financiare.

“[…]Fakti që subjekti i rivlerësimit prezanton në mbrojtjen në seancë gjyqësore në Kolegj, dy versione që lidhen me situatën financiare të familjes së saj, të ndryshme në zërat që përcaktojnë të ardhurat e shpenzimet, vlerësohet nga Kolegji si një element që potencon mungesën e besueshmërisë te deklarimet e subjektit, për sa kohë që ajo vetë nuk ka një të vërtetë të vetme jetësore për të mbrojtur, por e prezanton atë në versione alternative, në përputhje dhe në funksion të një rezultati pozitiv për të”, vlerëson shumica dhe çmon se Lluri dështoi të provonte përfitimin e shumës 3 milion e 360 mijë lekë duke mos e përfshirë këtë vlerë në analizën financiare për kursimet 5 milionë lekë. Për rrjedhojë, ka rezultuar balancë negative në shumën 3.7 milionë lekë.

Dy anëtaret në pakicë, Albana Shtylla dhe Natasha Mulaj që kanë votuar kundër shkarkimit të Llurit vlerësojnë ndryshe. Shtylla çmoj se në analizën e fakteve dhe provave të administruara, si dhe pretendimeve të paraqitura në ankim, Lluri ka arritur vlerësim të besueshëm në kriterin e pasurisë.

Ajo shpreh mosdakordësinë me shumicën lidhur me vlerën 2 milionë lekë të dhuruar subjektit nga e motra, duke argumentuar se subjekti ka deklaruar në mënyrë të detajuar burimet e krijimit të shumës 5 milionë lekë. Shtylla vëren se Lluri ka deklaruar si burim të kursimeve të ardhurat paga si studente e Shkollës së Magjistraturës; punësimi si pedagoge në një universitet jopublik; punësimi tek biznesi i motrës; si dhe dhurime nga motra për shkak të mbarimit shkëlqyer të Shkollës së Magjistraturës.

Ajo ka sqaruar se të gjitha shpenzimet në këtë periudhe janë përballuar nga bursa si studente e shkëlqyer nga Fakulteti i Drejtësisë; nga prindërit me cilët banonte; si dhe nga e motra.

Shtylla vlerëson se përcaktimi i vlerës së dhuruar gjatë hetimit administrativ ka pasur si qëllim evidentimin e kësaj shume dhe jo nevojën për ndreqje të situatës financiare. Sipas Shtyllës, kjo duket dhe nga fakti se Komisioni nuk ka evidentuar ndonjë problem në momentin që ka pyetur subjektin, që do të mund ta kishte shtyrë këtë të fundit të jepte vlera jo të sakta dhe jo të vërteta.

Kërkesën e shumicës për formalizimin e marrdhënies së dhurimit dhe për vërtetimin me transfertë bankare të kohës, Shtylla e konsoideron përtej jurispudencës së Kolegjit.

Fakti se motra e subjektit ka pasur burime financiare të ligjshme të mjaftueshme për dhurimin e kryer, vlerësohet prej Shtyllës me peshë bindëse për besueshmërinë e ekzistencës së kësaj marrëdhënie, si dhe për vlerën.

Lidhur me të ardhurat e deklaruara prej subjektit si të përfituara në vitet 1997-2004 nga punësimi te biznesi i motrës në vitet 1997-2004, Shtylla e kundërshton shumicën duke u bazuar në shpjegimet e subjektit.

Sipas saj, Luri nuk ka pranuar asnjëherë se marrëdhënia e saj me biznesin e familjarëve të saj ka qenë një marrëdhënie punësimi e mirëfilltë, duke shpjeguar se kjo marrëdhënie nuk ka qenë e formalizuar. “Do të ishte naiv prezumimi se subjekti i rivlerësimit, znj. Elbana Lluri, në plotësimin e deklaratës së rivlerësimit, nuk ka qenë e ndërgjegjshme për konsekuencat që sillte deklarimi se marrëdhënia e punësimit nuk ka qenë e formalizuar, në raport me parashikimin kushtetues të nenit D, pika 3 e Aneksit të Kushtetutës, se pasuri të ligjshme konsiderohen të ardhurat që janë deklaruar dhe për të cilat janë paguar detyrimet tatimore”, vëren Shtylla dhe vlerëson se deklarimi i kësaj marrëdhënie pune ka pasur si qëllim theksimin e periodicitetit të përfitimit të shpërblimit të dhënë nga familjarët e saj, për një punë apo ndihmë që ajo ka dhënë përgjatë viteve.

Sipas Shtyllës, pretendimet e subjektit janë të besueshme edhe për shkak të faktit se të ardhurat e motrës së saj e kalojnë testin e ligjshmërisë.

Në përfundim, Shtylla arrin në konikluzionin se Lluri kishte mundësi që me burime të ligjshme të krijonte kursimet në cash, në shumën 5 milionë lekë që ka shërbyer për blerjen e apartamentit në Vlorë.

Lidhur me kursimet deklaruara prej subjektit se janë krijuar deri në vitin 2012, sipas shumicës është arritur të justifikohet vetëm shuma 1 milion e 789 mijë lekë, kundrejt vlerave 6.2 milionë lekë dhe 5 milion e 994 mijë lekë të pretenduara nga Lluri në mënyrë alternative.

Ndërsa pakica vlerëson se kursimet gjatë kësaj periudhe janë në shumën 1 milion e 824 mijë lekë. Sipas Shtyllës, vlera e ndryshme e konstatuar nga shumica vjen si pasojë e shpërndarjes së ndryshme matematikore të shumës totale të të ardhurave të përfituara nga subjekti nga një universitet jopublik.

Duke përfshirë edhe shumën 5 milion lekë, Shtylla vlerëson se në fund të vitit 2012, shuma e kursimeve e disponuar prej subjektit ishte në vlerën 5 milion e 824 mijë lekë.

Për çështjen e tretë të shtruar për zgjidhje e që u referohet kursimeve të deklaruara në cash të ish-bashkëshortit të subjektit Gerd Hoxha në vitin 2003 në shumën 2.5 milionë lekësh dhe ato në vijim deri në 2012-ën, Kolegji ka analizuar deklarimet e tij dhe ka verifikuar mundësinë e kursimeve të deklaruara, si një nga burimet e kursimeve që ka krijuar shumën e financuar për blerjen e apartamentit Vlorë.

Duke ju referuar jurispudencës së KPA-së, shumica e vlerëson të pamundur të përllogarisë të ardhurat e ish-bashkëshortit nga puna në sektorin privat për periudhën 1995-2000, për shkak të mungesës së dokumentacionit provues. Për rrjedhojë, deklarimet e subjektit dhe të Hoxhës për këto të ardhura janë konsideruar në nivel deklarativ.

Në këto kushte, Kolegji ka përllogaritur si të ardhura të gjitha të ardhurat e tjera të ish-bashkëshortit të dokumentuara, por sipas shumicës, nuk është arritur të provohet krijimi i kursimeve nga Hoxha në masën 2.5 milionë lekë në 2003-in, pasi ka rezultuar me balancë negative në shumën 1 milion e 281 mijë lekë.

Për pretendimet e Komisionerit Publik për balanca negative në vitet 2012 dhe 2016, Kolegji ka konkluduar se Lluri rezulton me bilanc pozitiv në 2012-ën, ndërsa balanca negative në vlerën 6.2 milionë lekë në 2016-ën është konkluduar për shkak të mungesës së burimeve për blerjen e apartamentit në Vlorë, konkluzion që solli shkarkimin e saj.

Ndërsa pakcia vlerëson se gjendja e kursimeve të ligjshme cash të ish-bashkëshortit të subjektit në fund të vitit 2004 ka qenë në shumën 713 mijë lekë. Shtylla sqaron se ky vlerësim i ndryshëm vjen për shkak të analizimit në një optikë objektive të deklarimit të ish-bashkëshortit në vitin 2004. “[…]Pakica çmoi se gjendja e kursimeve në cash në fund të vitit 2004, është produkt kumualtiv i kursimeve të ligjshme të mbetura nga viti 2003, në shumën 70.438 lekë, dhe mundësisë së kursimit të subjektit gjatë vitit 2004, në shumën 643.382 lekë, e rezultuar si diferencë mes të ardhurave të përfituara dhe shpenzimeve të kryera gjatë këtij viti”, arsyeton Shtylla.

KPA ka analizuar deklaratat e periodike të pasurisë së ish-bashkëshortit për të përcaktuar gjendjen e cash-it që ai mund të kishte si shumatore deri në vitin 2012. Nga analiza e kryer prej Kolegjit ka rezultuar se pas pakësimit të kursimeve për shkak të blerjes së një automjeti tip “Citroen C4”, gjendja e cashit ka rezultuar në vlerën zero lekë.

Duke ju referuar deklarimeve të subjektit dhe ish-bashkëshortit për gjendjen cash në vitet 2013, 2014, 2015 dhe 2016, gjendja e likujditeteve jashtë sistemit bankar deri në momentin e blerjes së apartamentit është përllogaritur se mund të ishte rreth 1 milion lekë, që sipas shumicës është e pamjaftueshme për shlyerjen e çmimit rreth 7.6 milionë lekë.

Shtylla në pakicë konstaton se shuma kumulative e kursimeve në cash që ish-bashkëshorti dispononte nga burime të ligjshme në fund të vitit 2011, ishte në vlerën 2.3 milionë lekë. Duke konsideruar pakësimin e kursimeve për vlerjen e automjetit tip “Citrohen C4”, pakica vlerëson se kursimet evolojnë në vlerën 1 milion e 629 mijë lekë.

Bazuar në këtë analizë, pakica vlerëson se Lluri dhe Hoxha kanë pasur kursime të akumuluara në fillim të vitit 2016 në masën 6 milion e 953 mijë lekë dhe për rrjedhojë mbetet një balancë negative në shumën 957 mijë lekë për blerjen e apartamentit në Vlorë, por që Mulaj dhe Shtylla e konsiderojnë të pamjaftueshme për të sjellë penalizim.

Kyesuesja Natasha Mulaj shpreh dakordësi me vlerësimin ligjor dhe financiar të anëtares tjetër në pakicë, Albana Shtylla. Ajo konstaton se gjatë gjykimit është evidentuar se gjyqtarja Elbana Lluri ka formim si magjistrate e shkëlqyer dhe se ajo e meritonte të ishte pjesë e sistemit të drejtësisë. Ajo shprehet se shumica duhej të kishte vlerësuar me objektivitet provat e administruara në raport me rrethanat e çështjes.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *