Edina Kurti, prokurore e Prokurorisë Durrës: Foto Edmond Hoxhaj
KPK Veting

Edina Kurti jep shpjegime për konstatimet për pamundësi të krijimit të pasurive

Prokurorja Edina Kurti e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës u përball të premten më 28 tetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore ajo dha shpjegime për burimet dhe pamundësitë financiare për dy apartamente dhe një automjet. Po ashtu, ajo dha shpjegime edhe për gjetjet në disa çështje profesionale.

Procesi i vetingut për prokuroren Kurti po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtar Olsi Komicin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Maria Tuma.

Edina Kurti e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2002 si oficere e policisë gjyqësore. Ajo u emërua prokurore në vitin 2012 dhe pasi e ushtroi funksionin për afro një dekadë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë, së fundmi është transferuar në atë të Durrësit.

Kurti u paraqit në seancën dëgjimore së bashku me përfaqësuesen e saj ligjore, avokaten Antoneta Sevdari.

Barrat e provës për pasuritë

Komisioni i ka kaluar barrë prove prokurores Kurti për burimet e një apartamenti me sipërfaqe 127 m2 në Durrës për të cilën është nënshkruar kontratë sipërmarrje në vitin 2014 me një shoqëri ndërtuese, kundrejt çmimit 9.7 milionë lekë. Relatorja Pine vërejti se për të njëjtin apartament është lidhur kontratë porosie nga vjehrra e subjektit në vitin 2011, për vlerën 101 mijë euro. Sipas Pines, në kontratën e 2014-ës nuk pasqyrohen ndryshimet e përcaktimeve në porosinë e vitit 2011.

Si burime krijimi të kësaj pasurie të deklaruar në bashkëpronësi me prindërit e bashkëshortit dhe këtë të fundit, subjekti ka shpjeguar se 5.2 milionë lekë janë shlyer nga vjehrra në vitin 2011, ku për këtë shumë ka kontribuar edhe kunata e cila jeton në Kanada; kredi 2.4 milionë lekë e marrë nga vjehrra si e pastrehë në vitin 2014; si dhe 2 milionë lekë që sipas Kurtit përfaqësojnë kursimet e saj familjare si dhe të bashkëshortit nga emigracioni në Greqi.

Ndërkohë, në deklaratën noteriale të sipërmarrjes në vitin 2014 është shënuar se çmimi është likujduar nëpërmjet tre kësteve, ku shuma rreth 5.2 milionë lekë në 2011-ën nga vjehrra; 2 milionë lekë në vitin 2014 nga kursimet e Kurtit dhe bashkëshortit të saj; si dhe një hua rreth 2.4 milionë lekë të marrë prej vjehrrës nga nëna e subjektit, që është përcaktuar se do të shlyhet me anë të kredisë si e pastrehë.

Sipas Pines, nga hetimi ka rezultuar se vjehrra e prokurores Kurti ka marrë edhe një hua në vlerën 38 mijë e 600 euro në vitin 2014 nga administratori shoqërisë ndërtuese.

Pine vërejti se KPK konstaton deklarim të pasaktë lidhur me burimin e të ardhurave që kanë shërbyer për shlyerjen e çmimit të kësaj pasurie, pasi në deklaratën “veting” nuk janë shënuar dy huatë e marra nga vjehrra e subjektit të rivlerësimit. Në vijim, KPK konstaton se Kurti nuk ka provuar me dokumentacion ligjor kohën e pagesës së këstit të parë në shumën 5.2 milionë lekë nga prindërit e bashkëshortit të saj në vitin 2011, si dhe nuk ka vërtetuar burimin e ligjshëm të kësaj vlere.

Sipas KPK, nuk është provuar as burimi i ligjshëm i huave, pasi prindërit e subjektit kanë pasur në llogaritë e tyre bankare të njëjtat vlera dhe nuk justifikohet shuma e dhënë hua vjehrrës, si dhe administratori i shoqërisë nuk ka padur likujditete të mjaftueshme të disponueshme.

Për me kredinë me kushte lehtësuese të përfituar nga vjehrra, subjektit i është kaluar barrë prove për të vërtetuar se nuk ka qenë në kushtet e konfliktit të interesit me Bashkinë Durrës, gjatë ushtrimit të detyrës.

Po ashtu, ka rezultuar se subjekti nuk ka deklaruar pakësimin e gjendjes cash në vitin 2014 dhe për rrjedhojë shuma 2 milionë lekë nuk mund të konsiderohet se është përdorur si burim.

Lidhur me këtë pasuri në bashkëpronësi, prokurorja Kurti deklaroi se ka shpjeguar pagesat e kryera prej prindërve të bashkëshortit dhe ato të kryera prej saj, duke specifikuar edhe burimet financiare përkatëse.

Ajo deklaroi se prindërit e bashkëshortit nuk i kishte konsideruar si persona të lidhur dhe se për këtë arsye nuk kishte pasqyruar në deklaratën “veting”  burimet specifike që kishin shërbyer për shlyerjen e kësteve të apartamentit nga ana e tyre. “Kur jam pyetur kam vendosur në dispozicion dukumentacion për të ardhurat dhe burimet”, theksoi Kurti.

Sipas saj, ishte provuar mundësia e dhënies së shumës 5.2 milionë lekë në vitin 2011, me të ardhurat e prindërve të bashkëshortit dhe motrës së tij që jeton dhe punon në Kanada, për cilën pohoi se kishte kontribuar me rreth 40 mijë dollarë kanadezë.

Ajo theksoi se gjithë procedura e përfitimit të kredisë nga vjehrra si e pastrehë nga vjehrra kishte qenë ligjore, si dhe se nuk kishte pasur në hetim asnjë çështje ku palë të kishte qenë Bashkia e Durrësit apo institucionet shtetërore që ishin pjesëmarrëse në procedurat e përzgjedhjes së përfituesve të kredive si të pastrehë.

Në vijim subjekti u ndal në konstatimin për mosdeklarimin e pakësimit të gjendjes cash në vitin 2014, që sipas saj është përdorur për pagesën e vlerës 2 milionë lekë që është kontributi i saj dhe i bashkëshortit për këtë pasuri. Ajo vërejti se në deklaratën para fillimit të detyrës në vitin 2012 kishte pasqyruar kursimet cash nga të ardhurat e bashkëshortit në emigracion si dhe të ardhurat e saj. Po ashtu, argumentoi se nuk kishte shënuar gjendje cash në deklaratën “veting” dhe për rrjedhojë kjo provonte shpenzimin e këtyre likujditeteve në 2014-ën, pavarësisht mosdeklarimit të pakësimit të shumës 2 milionë lekë në atë periudhë.

Kurti shpjegoi se kishte arritur të vërtetonte të ardhurat e bashkëshortit në emigracion nga një kontratë me një shtëpi diskografike në vlerën totale rreth 70 mijë euro dhe kërkoi që të njihen si të ligjshme.

Avokatja Antoneta Sevdari shpjegoi se kontrata e dytë e vitit 2014 me shoqërinë ndërtuese ishte nënshkruar pasi kjo e fundit nuk i kishte zbatuar përcaktimet e kontratës së 2011-ës. Sipas saj, çmimi më i ulët ishte dakortësuar pasi punimet nuk ishin cilësore. Sipas Sevdarit, fakti i nënshkrimit të një kontrate të dytë në vitin 2014, kur ndërtimi apartamentit ishte vonuar dhe pritej të vonohej për shkak të problemeve të shoqërisë ndërtuese, konfirmonte se ishte kyer pagesa e shumës 5.2 milionë në vitin 2011 – që sipas saj ishte dhe arsyeja pse prindërit e bashkëshortit të subjektit ishin detyruar të vijonin marrdhënien me të njëjtën shoqëri.

Sevdari dhe Kurti këmbëngulën se, familja e kësaj të fundit kishte pasur mundësi financiare për dhënien e huasë vjehrrës. Po ashtu, shpjeguan se kjo vlerë ishte marrë hua pasi shoqëria kishte llogaritë bankare të bllokuara, e për rrjedhojë nuk mund të kalonte shuma e kredisë. Në këto kushte ishte dëkordësuar me sygjerimin e bankës, që të merrej një hua me të cilën është shlyer kësti për llogari të shoqërisë, në të njëjtën ditë kur është nënshkruar akti noterial për marrjen e shumën rreth 2.5 milionë lekë nga vjehrra prej prindërve të subjektit.

Subjekti vërejti se megjithëse nuk e kishte pasqyruar në deklaratën “veting” huan e marrë prej vjehrrës nga nëna e saj, kishte dorëzuar bashkëngjitur dokumentacion që vërtetonte veprimin e kryer.

Ndërsa u këmbëngul se nuk qëndronte konstatimi për huanë e marrë nga shoqëria ndërtuese, si dhe se kjo shumë nuk ishte deklaruar apo përdorur ndonjëherë si burim për apartamentin.

Avokatja Sevdari shpjegoi se shuma 38 mijë e 600 euro e shënuar si detyrim nuk ishte pjesë e çmimit të apartamentit, por ishte dakorëtësuar pas çmimit të dytë më të ulët, si garanci për punime më cilësore, gjë që nuk ishte kryer prej shoqërisë ndërtuese.

“Ne pranojmë pasaktësitë në deklarime, por kanë qenë të paqëllimshme pasi janë bashkëngjitur dokumentet”, pohoi Sevdari dhe shtoi se sipas audituesit të pajtuar nga subjekti, rezultonte se subjekti dhe familjarët e saj kishin pasur burime financiare të ligjshme për shlyerjen e pagesave për apartamentin me sipërfaqe 127 m2 në Durrës.

Komisioni konstatoi pamundësi financiare për pagesën vlerës së një apartamenti me sipërfaqe 66 m2 në zonën e Plazhit në Durrës, të blerë nga subjekti dhe bashkëshorti i saj në vitin 2005, kundrejt çmimit 26 mijë euro. Si burime krijimi të kësaj pasurie, Kurti ka deklaruar një kredi në shumën 16 mijë euro dhe 10 mijë euro nga të ardhurat e bashkëshortit nga emigracioni, si dhe të ardhurat e familjes së saj.

Pine tha se kishte rezultuar mospërputhje në lidhje me kohën e pagesës dhe me burimin e të ardhurave të deklaruara nga subjekti për blerjen e këtij apartamenti, krahasuar këto me dokumentacionin e administruar.

Sipas relatores, çmimi i apartamentit rezulton të jetë paguar përpëra marjes së kredisë dhe për rrjedhojë shuma 16 mijë euro nuk mund të ketë shërbyer si burim. Megjithëse është konstatuar se bashkëshorti dukej se kishte pasur mundësi për kursimin e vlerës 5 mijë euro, familja e subjektit ka rezultuar në pamundësi për kursimin e të njëjtës shumë të deklaruar nga prokurorja Kurti si burim për këtë apartament.

Subjekti theksoi se provohej me dokumentacion se shuma e disbursuar nga kredia kishte kaluar për llogari të palës shitëse. Sipas saj, pavarësisht se në kontratë ishte shënuar se vlera ishte shlyer e gjitha, ky përcaktim ishte bërë pasi pasuria do të vendosej si kolateral për kredinë. Ajo solli në vëmendje edhe një deklaratë noteriale të nënshkruar me palën shitëse për borxhin që i kishin shoqërisë, që ishte likujduar menjëherë sapo ishte marrë kredia.

Kurti këmbënguli se kishte provuar se edhe ajo e familja e saj e origjinës, kishin pasur mundësi për kursimin e vlerës 5000 euro.

Komisioni konstaton pamundësi financiare edhe për blerjen e një automjeti tip “Opel Zafira” në vitin 2010 kundrejt shumës 8000 euro. Pine pohoi se një kredi 1.2 milion lekë e deklaruar si burim për këtë pasuri të luajtshme, rezultonte të ishte marrë për financimin e një apartamenti dhe nuk mund të provohej se kishte shërbyer për blerjen e makinës.

Kurti argumentoi se çmimi i makinës ishte i njëjtë me vlerën e kredisë dhe për rrjedhojë vërtetohej se kishte shërbyer për automjetin. Ajo shtoi se kredia nuk mund të kishte destinacionin për të cilin ishte shënuar se merrej, pasi nuk kishin nënshkruar asnjë kontratë për porositjen apo blerjen e ndonjë banese në atë periudhë.

Avokatja Sevdari argumentoi në mënyrë të detajuar pretendimet e subjektit lidhur me barrat e provës si dhe variantin e analizës financiare të saj, duke theksuar se balanca negative që mbetej nuk mund të ishte penalizuese. Por, në mënyrë të përsëritur i’u tërhoq vëmendja nga kryesuesja Sanxhaktari që të ishte e përmbledhur, pasi vetë prokurorja Kurti dha shpjegime, si dhe i sygjeroi të kalonte në kriterin profesional.

Tre anëtarët e trupës së KPK dhe vëzhguesja ndërkombëtare u shprehën se nuk kishin asnjë pyetje.

Profesionalizmi

Prokurorja Edina Kurti u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës. Për profesionalizmin u evidentuan gjetje në disa prej pesë çështjeve të shortuara, për 8 denoncime të kryera nga publiku, si dhe për dy çështje të trajtuara ne medie.

Për njërën prej çështjeve të trajtuara në emisionin “Fiks Fare”, që kishte të bënte me një denoncim për moszbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Italisë për uljen e dënimit të një dënuari, subjekti sqaroi se ashtu si vetë pala kërkesuese, edhe ajo i ishte drejtuar gjykatës për njohjen e atij vendimi. Sipas saj, fakti se vendimi i gjykatës nuk ishte ankimuar prej saj, nuk kishte sjellë qëndrimin e të dënuarit në burg tej afatit të dënimit të rishikuar.

Në përfundim, Kurti deklaroi se kishte punuar gjithmonë me ndershmëri dhe profesionalizëm dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 1 nëntor, në orën 09:50.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *