Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Valdete Hoxha pas seancës në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Veting

KPA lë në fuqi vendimin e konfirmimit të gjyqtares Valdete Hoxha

Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi të premten lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtares së Gjykatës së Apelit të Tiranës Valdete Hoxha.

Kryesuesja e trupës, gjyqtarja Albana Shtylla, lexoi se pas hetimit në Kolegj shumica kishte rënë dakord se shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik ndaj vendimit të KPK nuk qëndronin. Shtylla tha se Hoxha kishte arritur “nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë, nivel të besueshëm në vlerësimin e figurës dhe nivel të mirë të kualifikimit profesional”.

Gjyqtarja Valdete Hoxha u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK më 1 korrik 2020, pasi u konkludua se kishte arritur nivel të besueshëm në të tre kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profeisonalizmit.

Por ky vendim u ankimua nga ish-komisioneri Darjel Sina, i cili vlerësoi se nevojitej riçelje e hetimit në Kolegj lidhur me aftësinë financiare të kunatës së subjektit për dhënien hua në shumën 93 mijë dollarë kanadezë për shkollimin e vajzës së Hoxhës në Kanada, si dhe për dhurime në vlerën 11 mijë dollarë. Në ankim u përfshi edhe pamundësia financiare e familjes së subjektit për blerjen e një automjeti.

Trupa e Kolegjit e kryesuar nga Albana Shtylla me anëtarë, Sokol Çomo, Ina Rama, Rezarta Schuetz dhe Natasha Mulaj, shqyrtoi çështjen në dy seanca. Në seancën e parë Komisioneri Publik i përfaqësuar tashmë nga Komisionerja Irena Nino tha se u qëndronte shkaqeve të ankimit. Në seancën e dytë pas provave të reja Komisionerja Nino vërejti se provat e sjella dëshmonin mundësitë e huadhënëses dhe i kërkoi KPA të lërë në fuqi vendimin e konfirmimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *