Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të hënën më 19 janar me parashtrimet në çështjen e vetingut të gjyqtares së Korçës, Sonjela Voskopi. Prokurori Adnan Xholi, i cili përfaqëson në këtë çështje drejtuesin e SPAK, Klodian Braho, u shpreh se u qëndronin në parim gjithë shkaqeve të ankimit të ngritur për të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit. Xholi kërkoi që në përfundim të shqyrtimit të shkaqeve të ankimit, të vendoset në mënyrë alternative, shkarkimi ose lënia në fuqi e konfirmimit të subjektit.
Gjyqtarja Voskopi i kundërshtoi shkaqet si të pabazuara dhe pretendoi se Komisioneri Publik nuk e kishte trajtuar në mënyrë të barabartë me subjekte rivlerësimi të tjerë, për të cilët nuk kishte kryer ankim megjithëse rrethanat kishin qenë të ngjashme.
Gjyqtarja Voskopi u konfirmua në detyrë me shumicë votash prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK më 31 maj të vitit 2024. Vendimarrja e Komisionit u ankimua nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, i cili i kërkoi Kolegjit që të rishqyrtojë pasurinë e gjyqtares dhe të analizojë sërish provat e mbledhura. Po ashtu, u konstatua fakti se raporti për figurën ishte përmbyllur pa pasur përgjigje nga Shërbimi Informativ Shtetëror, si dhe u sollën në vëmendje konstatime për konflikt interesi në dukje dhe moszbatim i arsyetimeve të Gjykatës së Lartë.
Prokurori Xholi i nisi parashtrimet me gjetjet në kriterin e figurës. Ai vërejti se KPK kishte kryer hetime për bashkëjetuesin e subjektit, duke mbajtur korespodencë edhe me SPAK. Xholi u shpreh se SPAK ka kthyer përgjigje se nuk rezultojnë të dhënat për personin me gjeneralitetet e përcjella nga Komisioni, shtetasi I.F., i lindur në vitin 1948. Ndërkohë, ai solli në vëmendje se bashkëjetuesi i subjektit rezulton të ketë lindur në vitin 1980.
Sipas tij, nisur nga fakti se Komisioni ka shënuar të dhëna të ndryshme në kërkesë, është e nevojshme të kryhen sërish verifikime pranë SPAK lidhur me bashkëjetuesin e subjektit.
Voskopi shpjegoi se pasi ishte njohur me ankimin, kishte konstatuar se Komisioni kishte vendosur datëlindjen e vjehrrit. Ajo deklaroi se ndaj bashkëshortit nuk ka asnjë procedim penal në SPAK dhe për këtë arsye nuk kishte bërë një kërkesë për të mësuar nëse në këtë institucion kishte të dhëna.
Në përfundim të seancës, kryesuesi i trupit gjykues të Kolegjit, gjyqtari Sokol Çomo e pyeti Xholin nëse kishte informacion konkret lidhur me bashkëjetuesin e subjektit, që mund të sillte ndikim në procesin e rivlerësimit të saj.
Prokurori Xholi deklaroi se SPAK disoponon të dhëna për personin me gjeneralitetet e bashkëshortit të subjektit, por jo për emrin e përcjellë nga ana e KPK, me datëlindjen e vjehrrit. Ai kërkoi që nga ana e Kolegjit të kërkohen në SPAK të dhëna lidhur me bashkëshortin e gjyqtares Voskopi, gjë që u pranua prej Kolegjit.
Në vijim, Xholi kërkoi që të verifikohen në burim disa informacione të klasifikuara të SHISH, pasi aktet e administruara prej Komisionit nuk kanë të dhëna të qarta.
Gjyqtarja Voskopi i kundërshtoi si të pabazuara informacionet e institucioneve ligjzbatuese për dyshimet se bashkëshorti ka kryer ndikim të paligjshëm. Sipas subjektit, bashkëshorti në cilësinë e avokatit ka qenë, si gjyq fitues, ashtu dhe gjyq humbës.
Subjekti theksoi se bashkëshorti nuk ka pasur asnjë ndikim në ushtrimin e detyrës së saj, gjë që konfirmohet dhe nga fakti se nuk ka informacione të tilla që ngrenë dyshime.
Në aspektin profesional, Xholi solli në vëmendje konstatimet fillestare të Komisionit për gjendjen e subjektit në kushtet e konfliktit të interesit në dukje, gjatë gjykimit të çështjeve me palë zyrën e Avokatit të Shtetit, që drejtohej nga bashkëshorti. Sipas Xholit, subjekti nuk ka treguar kujdesin e duhur për t’u dorëhequr nga gjykimi këtyre çështjeve. Ai kërkoi që ky konstatim të konsiderohet në vlerësimin tërësor.
Gjyqtarja Voskopi deklaroi se e ka shmangur konfliktin e interesit rast pas rasti. Ajo theksoi se drejtuesi i zyrës së Avokatit të Shtetit nuk mund të ndikojë tek avokatët që përfaqësojnë çështjen në seancë, e për rrjedhojë nuk ka qenë në kushtet e konfliktit të interesit në dukje.
Në vijim, Xholi tha se subjekti nuk ka arritur të provojë të kundërtën e barrës së provës lidhur me disa konstatime për mosmbajtjen në konsideratë të hierarkisë së vendimeve të Gjykatës së Lartë. Duke i cilësuar qëndrimet e subjektit të përsëritura, Xholi kërkoi që dhe këto konstatime të konsiderohen në vlerësimin tërësor.
Gjyqtarja Voskopi shpjegoi se Gjykata e Lartë në një prej çështjeve të kthyera për rishqyrtim, ka arsyetuar në mënyrë të përgjithshme, por pa dhënë një orientim se si duhej të veprohej. Në këtë rast, ajo solli në vëmendje, se ndryshe nga sa kishte arsyetuar Gjykata e Lartë për një vendim të vitit 2012, nuk mund të orientonte palët për të rregulluar ndërgjygjësinë, në kushtet që legjislacioni për këtë gjë ishte miratuar pesë vjet më vonë, në 2017-ën.
Subjekti këmbënguli se ka zbatuar gjithmonë ligjin dhe se nuk ka cënuar asnjë vendim unifikues të Gjykatës së Lartë. Sipas saj, çështjet që lënë vend për intepretim, si në këto raste, nuk mund të sjellin penalizim në drejtim të rivlerësimit kalimtar. Po ashtu, vërejti se nuk mund të përdoret si argument ndryshimi vendimeve nga Gjykata e Lartë.
Pasuria
Ankimi ka në fokus një apartament në Korçë blerë nga prindërit e gjyqtares dhe përdorur nga kjo e fundit prej vitit 2015. Sipas Xholit, çmimi i blerjes në 2012-ën, është dukshëm më i ulët se ai i referencës sipas Entit Kombëtar të Banesave. Po ashtu, Xholi konstatoi se nuk provohet ligjshmëria e një pjese të burimeve të deklaruara për krijimin e kësaj pasurie, duke rezultuar me bilanc negativ në vlerën rreth 340 mijë lekë.
Pamundësi financiare u konstatua dhe për mobilimin e apartamentit. Xholi vërejti se nuk provohet ligjshmëria e 500 mijë lekëve të bashkëshortit, të krijuara prej familjes së tij të origjinës prej të ardhurave të siguruara nga toka bujqësore. Ai argumentoi se nuk janë provuar të ardhurat nga bujqësia e për rrjedhojë rezulton një balancë negative në shumën prej rreth 750 mijë lekësh për mobilimin dhe kursimet e deklaruara.
Sipas tij, pamundësitë financiare ndikojnë në vlerësimin përfundimtar të çështjes. Ndryshe nga KPK, drejtuesi i SPAK vlerëson se subjekti nuk ka arritur nivel të besueshëm për t’u konfirmuar në detyrë. Në përfundim, prokurori Xholi kërkoi që Kolegji, pasi të shqyrtojë gjithë shkaqet e ankimit dhe provat e adminstruara të vendosi në mënyrë alternative, lënien në fuqi ose ndryshimin e vendimit të Komisionit.
Gjyqtarja Sonjela Voskopi pretendoi se Komisioneri Publik ka imponuar dy standarte të ndryshme për përllogaritjen e të ardhurave dhe shpenzimeve, megjithëse mënyra e përllogaritjeve është unifikuar nga praktika e Kolegjit dhe e Komisionit. Ajo e cilësoi të padrejtë rishikimin e llogaritjeve të Komisionit dhe ILDKPKI-së për shpenzimet jetike, duke pretenduar se Komisioneri Publik e ka vendosur në pozitë të pabarabartë me subjektet e tjera të rivlerësimit, që për raste të ngjashme as nuk është ushtruar ankim.
Lidhur me të ardhurat e familjarëve, ajo shpjegoi se babai ka punuar si shofer në parkun e mallrave prej vitit 1983 dhe se në ‘91-in, kishte privatizuar kamionin. Voskopi tha se ka arritur të gjejë të dhëna vetëm për numrin përkatës të privatizimit, por jo kontratën. Ajo deklaroi se babai kishte siguruar të ardhura të konsidrueshme për kohën, ku vetëm për vitin 1994 provohej se kishte pasur fitim neto në shumën 1.4 milionë lekë, vlerë që sipas saj ka qenë mjaft e lartë krahasuar me pagat e asaj kohe.
Subjekti kundërshtoi konstatimin e Komisionit për mosvërtetimin e faktit se babai kishte blerë kamionin. Sipas saj, vetë KPK shprehet dy paragrafe sipër këtij konstatimi se, babai rezulton të ketë punuar me kamion.
Subjekti pretendoi se nëse do të përllogariten drejt të ardhurat dhe shpenzimet e familjes së origjinës, atëherë blerja e apartamentit rezulton me bilanc pozitiv.
Për pamundësinë lidhur me mobilimin dhe kursimet e krijuara, subjekti deklaroi se prindërit e bashkëshortit, vërtetohet të kenë siguruar të ardhur nga toka bujqësore dhe pemtaria, pasi kanë zotëruar edhe 250 pemë qershie. Ajo shpjegoi se blerësit ishin të rastit dhe nuk mund të siguroheshin fatura.
Në përfundim, Kolegji vendosi çelejen e shqyrtimit gjyqësor, administrimin e provave dhe të aksesojë në mënyrë të drejtëpërdrejtë informacionet e klasifikuara. Po ashtu, u vendos të kërkohen të dhëna nga SPAK lidhur me bashkëshortin e subjektit.
Seanca e radhës u shty për më datë 4 shkurt, në orën 14:00, kur palët u ftuan të paraqesin konkluzionet përfundimtare.




