Fatri Islamaj pas seancës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme Veting

KPA pranon provat e Fatri Islamajt dhe mbyll hetimin gjyqësor

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të enjten më 17 mars të pranojë të gjitha provat e dorëzuara nga gjyqtari i Apelit të Tiranës, Fatri Islamaj në funksion të ankimit të tij kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK që e shkarkoi nga detyra më 10 dhjetor 2019.

Pasi Islamaj paraqiti parashtrimet dhe kërkimin përfundimtar për ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe konfirmimin e tij në detyrë, KPA vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor dhe u tërhoq për të marrë vendim, që u njoftua se do të shpallet më 31 mars.

Sipas vendimit të KPK-së për Islamajn, dy komisioneret në shumicë Valbona Sanxhaktari dhe Pamela Qirko arritën në përfundimin se subjekti kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për një apartament të blerë nga i ati në vitin 2010 për 65 mijë euro. Sipas shumicës, babai i subjektit nuk kishte pasur burime të ligjshme për blerjen e kësaj pasurie të përdorur nga Islamaj.

Në pakicë, Lulzim Hamitaj e kundërshtoi këtë arsyetim me argumentin se babai i Islamajt kishte pasur burime financiare dhe se kërkesa e shumicës për dokumentim të shkëmbimeve financiare për qiranë brenda familjes ishte e tepruar.

Gjatë seancës të enjten, gjyqtari Islamaj paraqiti parashtrimet kundër gjetjeve të Komisionit për apartamentin në pronësi të babait të tij, që kanë çuar në konkluzionin e deklarimit të pamjaftueshëm, si dhe për një llogari dyemërore të bashkëshortes me vëllanë e saj të krijuar para martesës, që subjekti nuk e ka deklaruar.

Ai vërejti se kishte dorëzuar prova të reja me ankimin, ku dhe kishte cituar prova të tjera që priste t’i administronte në vijim, të cilat i kishte dorëzuar më pas. Sipas Islamajt, dokumentet e depozituara vërtetonin të ardhurat e një vëllai nga puna e tij në Zyrih të Zvicrës në masën rreth 259 mijë franga zviceriane, si dhe ato të përfituara nga shitja e kuotave të një shoqërie prej vëllait tjetër.

Islamaj theksoi se aktet e reja të dorëzuara në KPA nuk ishin depozituar më parë në KPK, jo për faj të tij, por për shkak të rrethanave të pavarura. Ai shtoi se për një pjesë të provave që kishte dorëzuar së fundmi, KPK nuk i kishte kërkuar të dhëna dhe për këtë arsye kishte konsideruar se shpjegimet dhe dokumentet e dorëzuara më parë prej tij kishin qenë bindëse.

Për konstatimin e Komisionit për mosdeklarimin e qirasë, Islamaj pretendoi se kjo lloj marrëdhënie nuk ishte e detyruar për t’u deklaruar. Ai e cilësoi kontradiktore KPK-në, që sipas tij nga njëra anë e konsideronte si huapërdorje marrdhënien që subjekti kishte pasur me apartamentin në pronësi të babait të tij, ndërsa nga ana tjetër kishte konsideruar në analizën financiare shpenzimet e qirasë.

Gjyqtari Islamaj këmbënguli se nuk mund të ekzistonte ndonjë dyshim për fshehje të kësaj pasurie, pasi që prej vitit 2014 dhe në vijim e kishte deklaruar si adresë faktike. Për të mbrojtur këtë qëndrim, ai solli në vëmendje jurispudencën e KPA-së në raste të ngjashme, një deklaratë noteriale të vitit 2016 për qiradhënien e banesës, si dhe deklaratat e të atit të vitit 2019 lidhur me këtë marrdhënie.

Islamaj deklaroi se e kishte filluar qëndrimin me qira në apartamentin e të atit për një afat të shkurtër, por sipas tij rrethanat e kishin detyruar të qëndronte më gjatë. Ai shtoi se kontrata e qirasë ishte ripërtërirë në heshtje. “Deklarata noteriale e vitit 2016 ka pasur si qëllim rregullimin dhe formalizimin e kontratës së qirasë,” pohoi Islamaj.

Ai e konsideroi si gabim vlerësimin e KPK-së se marrëdhënia me këtë apartament ishte huapërdorje dhe i kërkoi Kolegjit që ta korrigjojë për të njohur marrëdhënien e qirasë.

Po ashtu, Islamaj u shpreh se Komisioni ka interpretuar gabim legjislacionin, duke konsideruar të atin si person tjetër të lidhur dhe duke i kaluar barrën e provës për të gjithë pasuritë që ai zotëron. Subjekti evidentoi se ai nuk kanë pasur marrëdhënie dhurimi apo huadhënie me të atin që të konsiderohej si person i lidhur. Islamaj solli në vëmendje vendime të Kolegjit, ku arsyetohej lidhur me konsiderimin e personave të lidhur dhe kërkoi që trupa gjykuese ti mbajë në vëmendje dhe në rastin e tij.

Pavarësisht pretendimeve, Islamaj theksoi gjithashtu se kishte sjellë prova për të ardhurat e babait dhe të anëtarëve të tjerë të familjes së origjinës, që vijojnë ende të jenë në të njëjtin trung familjar, që sipas tij vërtetojnë burimin e ligjshëm të gjithë pasurive dhe shpenzimeve, madje i tejkalojnë ato.

Duke analizuar provat e depozituara në Kolegj dhe ato më parë në KPK, Islamaj kërkoi që të konsiderohen të ardhura të ligjshme të gjitha ato që rezultojnë të jenë tatuar. Ai e konsideroi të padrejtë vendimarrjen e KPK-së për përjashtimin nga analiza financiare të të ardhurave të familjarëve të tjerë, kur ata rezultojnë në të njëjtën certifikatë familjare me prindërit.

Pasi renditi të ardhurat e siguruara nga vëllezërit nga puna në emigracion në Zyrih të Zvicrës dhe për shitjen e kuotave në një shoqëri, për të cilat theksoi se i kishte provuar me dokumentacion ligjor, Islamaj tha se rezultonte që familja e prindërve kishte pasur mundësi të kursente një vlerë gjashtë herë më të madhe nga ajo e shpenzuar për blerjen e apartamentit. Ai kërkoi të korrigjohet analiza financiare, duke përfshirë të gjithë të ardhurat neto të familjarëve të tij.

“Unë jam ndarë nga trungu familjar që prej vitit 2007 ndërsa vëllezërit vijojnë të jenë në të njëjtën certifikatë familjare,” shtoi Islamaj.

Në vijim ai u ndal në konstatimin e KPK-së për deklarim të pamjaftueshëm lidhur me mosdeklarimin e një llogarie bankare dyemërore në emër të bashkëshortes së tij dhe vëllait të saj në shumën 260 mijë lekë, të krijuar përpara martesës. Subjekti sqaroi se bashkëshortja kishte harruar që e zotëronte këtë llogari së bashku me vëllanë dhe se mosdeklarimi nuk kishte qenë i qëllimshëm, pasi nuk kishte pasur dijeni.

Në përfundim ai pretendoi se e kishte deklaruar saktë pasurisë, se nuk ishte përpjekur ta fshihte atë dhe kërkoi administrimin e gjithë provave të dorëzuara.

KPA vendosi me shumicë votash që t’i administrojë si provë të gjitha dokumentet e dorëzuara nga gjyqtari Islamaj në ankim dhe ato në vijim, si dhe mbylli shqyrtimin gjyqësor.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *