Prokuori Hysen Keta duke dalë nga KPA | Foto : V. Karaj
KPA Lajme Veting

KPA rrëzon Komisionin dhe rikthen në detyrë prokurorin Hysen Keta

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të enjten vendimin për rikthimin në detyrë të drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Përmet, Hysen Keta.

Keta ishte shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 25 korrik 2019, por Kolegji e cilësoi atë vendim si të pabazuar në prova dhe në kundërshtim me ligjin.

Vendimi i KPK-së u ankimua nga prokurori Hysen Keta, që pretendoi vlerësim të gabuar të provave. Trupa Kolegjit, e kryesuar nga Sokol Çomo me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Albana Shtylla, Ardian Hajdari e Ina Rama, vendosi ta kalojë çështjen në seancë publike me qëllim “konstatimin e drejtë të gjendjes faktike të çështjes, nëpërmjet përsëritjes së marrjes së provave të nevojshme”.

Gjatë shpalljes së vendimit, kryesuesi Sokol Çomo sqaroi se kalimi i shqyrtimit të çështjes në seancë publike u krye me qëllim marrjen e provave nga institucionet tatimore lidhur me pagesën e detyrimeve për të ardhurat e subjektit nga avokatia për periudhën 1994-1998.

Ai konstatoi se për ndërtimin e një shtëpie me tre kate në truallin e trashëguar nga babai gjatë periudhës 1996-2011, subjekti ka deklaruar si burim të ardhurat familjare dhe ato nga avokatia për periudhën 1996-1998, që nuk janë konsideruar nga KPK.

“Për faktin se subjekti ka paguar sigurimet shoqërore për periudhën ‘94-‘98 dhe të përgjigjeve të administratës tatimore që shprehet se është në pamundësi të vendosë dokumente për regjistrimin e subjektit dhe pagimit e detyrimeve si pasojë e kohës së largët, Kolegji e çmoi të pabazuar qëndrimin e KPK-së se subjekti nuk ka pasur të ardhura për krijimin e kësaj pasurie,” sqaroi Çomo.

Sipas KPA-së, rezulton e provuar se Keta e ka ushtruar profesionin e avokatit, megjithëse nuk janë provuar të ardhurat nga avokatia. Duke konsideruar përgjigjet e institucioneve tatimore se nuk disponojnë të dhëna për Ketën për shkak mungesës së një databaze të përgjithshme; faktin se subjekti e ka ndërprerë profesionin si avokat në vitin 1998; si dhe raportin e shumës me faktin se është përfituar gjatë periudhës kur subjekti ishte avokat dhe jo në detyrë – Kolegji çmon se mungesa e burimeve të ligjshme nga të ardhurat nga avokatia nuk duhet të konsiderohet si deklarim i pamjaftueshëm.

KPA e ka rrëzuar edhe konkluzionin e Komisionit për mungesë të burimeve të subjektit për ndërtimin e një shtese, pasi nuk ka konsideruar të ardhurat nga qiraja në shumën 2.7 milionë lekë. Sipas Kolegjit, këto të ardhura janë vërtetuar me dokumentacion bankar se janë përfituar nga subjekti dhe se plotësojnë kriteret për t’u konsideruar si burim i ligjshëm.

Edhe për apartamentin e vajzës dhe të bashkëjetuesit të saj për të cilin KPK ka gjetur mungesë për pagesën e këstit të parë dhe të tretë, Kolegji arriti në konkluzion të ndryshëm.

KPA e cilëson në kundërshtim me ligjin vendimin e KPK-së përsa i përket konstatimit të mungesës së burimeve të ligjshme të bashkëjetuesit të vajzës së subjektit për pagesën e këstit të parë, kohë kur e ai nuk e gëzonte statusin e bashkëjetuesit dhe e bija e prokurorit Keta ishte në moshë të mitur. Sipas Kolegjit, pagesa e këstit të parë është jashtë procesit të rivlerësimit. Ndërkohë, nga analiza financiare e kryer në KPA ka rezultuar se bashkëjetuesi i vajzës së prokurorit Keta ka pasur burime të mjaftueshme për pagesën e këstit të tretë.

“Kolegji arriti në konkluzionin se subjekti kapërcen nivelin e besueshëm në kriterin e pasurisë. Në kushtet kur subjekti ka arritur nivel të besueshëm për figurën dhe kualifikues për profesionalizmin, konkludohet se vendimi i KPK nuk është i drejtë dhe duhet të ndryshohet”, deklaroi Çomo.

Në përfundim, KPA vendosi me shumicë votash të ndryshojë vendimin e KPK-së dhe të konfirmojë në detyrë prokurorin Hysen Keta.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *