Arjana Fullani dhe Evelina Qirjako duke dalë nga seanca në KPA | Foto : E. Hoxhaj
Artikull kryesor Lajme KPA Lajme Në Fokus

KPA rrëzon kërkesën e ish-gjyqtares Evelina Qirjako

Kolegji i Posaçëm i Apelimit shpalli të premten lënien në fuqi të vendimit të KPK për ndalimin e ish-gjyqtares Qirjako nga e drejta e emërimit në sistemin e drejtësisë për 15 vjet duke rrëzuar edhe manovrat e shumta procedurale.

Arjana Fullani dhe Evelina Qirjako duke dalë nga seanca në KPA | Foto : E. Hoxhaj

Manovrat e ndryshme procedurale, përfshirë një vendim të gjykatave administrative dhe mosparaqitja në seancën e shpalljes së vendimit, nuk e ndihmuan dot ish-gjyqtaren Evelina Qirjako, e cila me vendim të formës së prerë humbi të drejtën për t’u emëruar në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.

Në seancën e shpalljes së vendimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit të premten, Qirjako nuk u paraqit, por përmes dy emaileve njoftoi trupën gjykuese se ishte sëmurë dhe se lloji i sëmundjes që kishte ishte e tillë që nuk i lejonte asaj të lëshonte prokurë para para një noteri për emërimin e një përfaqësueseje. Kryetari i trupës gjykuese Sokol Çomo njoftoi se përmes emailit, Qirjako kishte emëruar si përfaqësuese një asistentavokate me emrin Ani Kokona.

KPA e rrëzoi kërkesën pasi bëri të ditur se emaili i Qirjakos për njoftimin e sëmundjes nuk shoqërohej me ndonjë dokument vërtetues për sëmundjen dhe vijoi me shpalljen e vendimit, i cili konfirmon vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Qirjako është një nga tre ish-gjyqtarët e lartë që nuk iu nënshtruan procesit të vetingut pasi hoqën dorë nga statusi i magjistratit por që njëkohësisht kundërshtuan shpalljen e tyre si të paemërueshëm për 15 vjet në sistemin e drejtësisë.

Deri tani, rreth 46 gjyqtarë e prokurorë, përfshirë pesë ish-anëtarë të Gjykatës së Lartë, kanë dhënë dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë, duke i shpëtuar në këtë mënyrë rivlerësimit kalimtar, procesit të kontrollit të pasurisë, të pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale. Qirjako u tërhoq nga sistemi me vullnetin e saj pasi refuzoi të emërohej në ndonjë gjykatë apeli, një e drejtë që ia jep ligji pas mbarimit të mandatit si anëtare e Gjykatës së Lartë. Por bashkë me pranimin e dorëheqjes, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli ndërprerjen e procesit të rivlerësimit dhe ndalimin pesëmbëdhjetëvjeçar të të drejtës së emërimit në sistemin e drejtësisë.

Qirjako kundërshtoi në KPA pikën e dytë të vendimit të KPK, pra ndalimin e emërimit në sistem duke pretenduar se ky ndalim shkel nenin 6 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, (e drejta për proces të rregullt gjyqësor).

KPA shpalli se Qirjako, për shkak se ka qenë në detyrë ditën kur u miratuan ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugë procesit të vetingut, duhej t’i nënshtrohej vetingut nëse dëshironte të vijonte detyrën dhe për shkak se hoqi dorë nga detyra, automatikisht humbet edhe të drejtën e emërimit në sistem.

Më herët, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka hedhur poshtë kërkesa të ngjashme nga ish-gjyqtarja Arjana Fullani dhe ish-gjyqtari Aleksandër Muskaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *