KPA u nda për vendimin e KPK ndaj gjyqtares Arjana Liço

Analiza dhe Opinione
Shumica e trupit gjykues të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit arsyeton se, edhe pse gjyqtarja e Tiranës Arjana Liço kishte mbushur moshën e pensionit, ndëprerja e vetingut dhe sanksionimi që i ndalon rikthimin në sistemin e drejtësisë për shkak të dorëheqjes është i drejtë, pasi Kushtetuta dhe ligji i jep të drejtën për të kandiduar në disa pozicione deri në moshën 70 vjeç. Pakica kërkon ndryshimin e vendimit të Komisionit duke arsyetuar se ndaj Liços nuk kishte filluar më përpara hetimi adiministrativ dhe se subjekti nuk kishte tentuar të zvarriste procesin e vetingut.

Kryetarja e Kolegjit te Posaçëm të Apelimit, KPA, Natasha Mulaj, relatorja, Rezarta Schuetz dhe anetarët, Sokol Çomo, Ardian Hajdari, Albana Shtylla, gjatë një seance të KPA, | Foto : LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA është ndarë për ankimin e kryer nga ish-gjyqtarja e Tiranës Arjana Liço ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK që vendosi më 5 mars 2020 ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për këtë subjekt rivlerësimi, si dhe i hoqi të drejtën për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme, për shak të dorëheqjes së saj nga detyra.

Kryesuesja Rezarta Schuetz, relatorja Albana Shtylla dhe anëtarët Ardian Hajdari dhe Ina Rama vlerësojnë se vendimi i KPK për Liçon është i drejtë dhe se duhet të lihet në fuqi, ndërsa anëtarja Natasha Mulaj kërkon ndryshimin e vendimarrjes së shkallës së parë.

Liço kërkoi në ankim ndryshimin e vendimit të Komisonit dhe deklarimin të përfunduar të procesit të rivlerësimit kalimtar për të, pa një vendim përfundimtar të çështjes, për shkak se objekti për të cilin ka nisur procedura është bërë i pamundur.

Ajo pretendoi se nuk ka qenë e shortuar për procesin e rivlerësimit dhe se nuk është vënë në dijeni, as për procesin që po zhvillohej ndaj saj dhe as për trupin gjykues.

Liço parashtroi edhe në seancat publike në KPA, se nuk i është dhënë mundësia nga KPK për t’u dëgjur dhe se i është cenuar e drejta për një proces të rregullt ligjor. Gjithashtu, ajo pretendoi se sanksioni që i ndalon rikthimin në sistemin e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare është në kundërshtim me ligjin, i pazbatueshëm dhe absurd.

Duke ju referuar vendimit nr.34, datë 18 prill 2017 të Gjykatës Kushtetuese, Liço shprehet se dalja në pension pleqërie nuk mund të konsiderohet dorëheqje nga detyra. Ajo sqaron se ka paraqitur para KLGj-së kërkesën për mbarimin e statusit të gjyqtarit dhe i ka bashkëlidhur kërkesën për pension pleqërie, duke hequr dorë nga ky status me vullnetin e saj të lirë.

Sipas Liços, Komisioni ka mbajtur standard të dyfishtë në vendimmarrjen ndaj saj, në ndryshim nga vendimmarrje të tjera për subjekte të tjera rivlerësimi, të cilat kanë dalë në pension pleqërie në zbatim të vendimit nr.34/2017 të Gjykatës Kushtetuese.

KPA e la në fuqi me shumicë votash vendimin e Komisionit, por shprehet se vendimarrja e këtij të fundit në mungesë të njoftimit të subjektit të rivlerësimit, pa i bërë të ditur rezultatin e pritshëm të kësaj procedure dhe pa i dhënë asaj të drejtën për t’u dëgjuar, përbën cenim të procesit të rregullt ligjor. Për të korrigjuar këtë mangësi të KPK-së, Kolegji vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë gjyqësore publike.

Trupi gjykues i Kolegjit konstaton se legjislacioni për statusin e magjistratit ka parashikuar mbarimin e këtij statusi në fund të muajit në të cilin magjistrati mbush moshën 67 vjeç, duke i dhënë mundësinë atij të qëndrojë në detyrë, pavarësisht mbushjes së moshës për të përfituar pensionin e pleqërisë sipas ligjit për sigurimet shoqërore.

“Parashikimet e nenit 64, pikat 1 dhe 5 të ligjit nr. 96/2016, nuk duhen interpretuar në asnjë rast si detyruese për magjistratin, por si lejuese, në kuptimin që pavarësisht moshës së lejuar nga ligji për sigurimet shoqërore për të përfituar pension pleqërie, magjistrati, nëse e vlerëson të nevojshme, mund të qëndrojë në detyrë përtej kësaj moshe, nëse ajo është më e ulët se mosha 67 vjeç, e parashikuar si kufiri maksimal moshor për të ushtruar statusin e magjistratit”, vëren KPA.

Kolegji sjell në vëmendje se sipas parashikimeve kushtetuese, individët me eksperiencë pune prej të paktën 15 vjetësh, si gjyqtarë, avokatë, profesorë ose lektorë të së drejtës, nëpunës të nivelit të lartë në administratën publike, apo jurist me një veprimtari të spikatur në një fushë të së drejtës etj., kanë mundësinë të përzgjidhen si gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë apo Prokuror i Përgjithshëm.

Duke ju referuar po dispozitave kushtetuese, si dhe atyre ligjore që rregullojnë mbarimin e mandatit për pozicionin e gjyqtarëve në gjykatat apo këshillat e sipërcituara, si dhe për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm, shumica konstaton se veç përcaktimit të përfundimit të mandadit, të emëruarit në këto insitucione mund të dalin në pension pleqërie me mbushjen e moshës 70 vjeç.

“Trupi gjykues vlerëson se edhe subjekti i rivlerësimit, znj. Arjana Liço, edhe pse është përfituese e pensionit të pleqërisë prej datës 24.01.2020, nëse ajo plotëson kriteret për gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese, gjyqtare të Gjykatës së Lartë, anëtare të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë apo për Prokurore e Përgjithshme, ka mundësi që të ndërpresë pensionin e pleqërisë dhe të zgjidhet në një nga detyrat e sipërcituara dhe, me arritjen e moshës 70 vjeç, të rikthehet përsëri si përfituese e pensionit të pleqërisë”, konkludon shumica dhe shprehet se ndalimi i vendosur në pikën 2 të nenit G të Aneksit të Kushtetutës merr kuptim dhe bëhet i zbatueshëm edhe për magjistratët të cilët japin dorëheqjen për arsye të mbushjes së moshës së pensionit të pleqërisë.

Gjithashtu, Kolegji arsyeton se vullneti për të mos iu shmangur procesit të rivlerësimit sipas përcaktimit të tij në dispozitat kushtetuese dhe në ligjin nr. 84/2016, shprehet vetëm nëpërmjet qëndrimit në detyrë dhe përfundimit të procesit të rivlerësimit.

“Nëse subjekti i rivlerësimit, me vullnetin e tij të lirë dhe të pavesuar, jep dorëheqjen nga detyra e gjyqtarit, ai duhet të marrë parasysh edhe pasojën ligjore që sjell dorëheqja nga detyra në ecurinë e procesit të rivlerësimit, sipas nenit G të Aneksit të Kushtetutës”, thuhet në vendim lidhur me sanksionin 15-vjeçar.

Shumica thotë se të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj nr. 78, datë 12.12.2017, ku arsyeton se: “[…]për sa kohë që subjekti i rivlerësimit është në detyrë dhe procesi i rivlerësimit nuk ka përfunduar ende, ai ka të drejtën të japë dorëheqjen dhe në këtë rast procesi i rivlerësimit ndërpritet, duke u zbatuar parashikimet e nenit G të Aneksit të Kushtetutës”.

Në përfundim, shumica e gjen të drejtë vendimin e KPK, ndërsa anëtarja e trupit gjykues, Natasha Mulaj, rendit argumentet e saj përse vendimarrja për Liçon duhet ndryshuar.

Mulaj vëren se nga dokumentacioni që përmban dosja gjyqësore, nuk rezulton që Komisioni të kishte filluar më përpara hetimin administrativ për kriterin e vlerësimit të pasurisë, kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale për ish-gjyqtaren Arjana Liço.

“Gjithashtu, nuk ka rezultuar që Komisioni t’i ketë dërguar pyetësorë në kuadër të hetimit administrativ apo t’i ketë kaluar barrë prove mbi kriteret e vlerësimit,’ konstaton Mulaj.

“Nuk rezulton gjithashtu të jenë depozituar kërkesa për shtyrjen e hetimit administrativ në Komision nga subjekti, siç ka ndodhur në disa raste të ankimuara në Kolegj, për të tentuar shmangien nga procesi i rivlerësimit”, thekson ajo, ndërsa shprehet se bazuar ne parashtrimet dhe deklarimet e subjektit të rivlerësimit në seancën publike, ka krijuar bindjen se vendimi i Komisionit duhet të ndryshohet.