Gjyqtarja e Beratit, Adelajda Gjuzi pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Gjyqtarja Adelajda Gjuzi jep shpjegime për pasurinë

Gjyqtarja e Beratit, Adelajda Gjuzi dha shpjegime lidhur me dhurimet e kryera nga prindërit e bashkëshortit si dhe për dy garazhe të blera nga vjehrri, për të cilat u ngritën dyshime se mund të jenë prona të fshehura.

Gjyqtarja e Beratit, Adelajda Gjuzi pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Adelajda Gjuzi, gjyqtare e Gjykatës së Beratit u përball të enjten më 2 shtator me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore u pyet dhe dha shjegime për pasurinë. Gjuzi mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës, ndërsa për profesionalizmin u relatua se nuk ishin konstatuar shkelje të rënda procedurale.

Procesi i vetingut për gjyqtaren Gjuzi po kryhet nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Alma Faskaj, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtare Genta Tafa Bungo.

Adelajda Gjuzi përfundoi Shkollën e Magjistraturës në vitin 2013 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Beratit. Gjatë periudhës 2014-2015, Gjuzi ka punuar si ndihmëse ligjore në Gjykatën e Lartë dhe është kthyer më pas në Berat në funksionin e gjyqtares.

Komisioni i ka kaluar barrën e provës gjyqtares Gjuzi për disa gjetje lidhur me një apartament në Tiranë, të blerë prej saj dhe bashkëshortit në vitin 2014, si dhe për dy garazhe në përdorim të blera nga vjehrri.

Relatori Hamitaj shpjegoi se subjekti dhe bashkëshorti e kanë blerë apartamentin në vitin 2014 për çmimin 8.6 milionë lekë. Nga hetimi ka rezultuar se vlera 7 milionë lekë është likujduar në momentin e nënshkrimit të kontratës, ndërsa pjesa e mbetur 1.6 milion lekë është konsideruar si hua që do të shlyhej në momentin kur pasuria të pajisej me certifikatë pronësie.

Nga verifikimet e kryer prej Komisionit nuk është konstatuar konflikt interesi mes subjektit, shitësit të apartamentit dhe shoqërisë ndërtuese.

Si burime krijimi për vlerën 7 milionë lekë të paguar në vitin 2014 për apartamentin, subjekti ka deklaruar një dhuratë në favor të bashkëshortit nga prindërit e tij në shumë 3 milionë lekë dhe hua.

Hamitaj tha se nga hetimi paraprak ka rezultuar se prindërit e bashkëshortit të subjektit, edhe pse kanë pasur depozita bankare në vlera të konsiderueshme vite para dhurimit dhe para se Gjuzi të fillonte detyrën si gjyqtare, ata kanë rezultuar në pamundësi financiare në shumën 1.4 milionë që të jepnin huanë 3 milionë lekë me burime të ligjshme.

Gjyqtarja Gjuzi e vlerësoi hetimin administrativ të kryer nga Komisioni dhe u shpreh dakord me konkluzionet. Ajo sqaroi se gjatë periudhës së rivlerësimit kishte punuar rreth 1 vit e gjysmë si gjyqtare dhe se apartamentin e kishte blerë në kohën kur punonte si ndihmëse ligjore pranë Gjykatës së Lartë.

Ajo theksoi se kursimet e bashkëshortit dhe prindërve të tij kishin qenë të depozituara në bankë. Sipas Gjuzit, vjehrri dhe vjehrra zotëronin aktivitet tegtar në qytetin e Elbasani që prej vitit 2000 dhe se kishin paguar detyrimet si biznes i vogël sipas ligjit.

Gjuzi deklaroi se veç të ardhurave nga aktiviteti tregtar, vjehrrës i kishte dërguar shuma parash ndër vite vëllai i saj që jeton dhe punon në Kanada. Ajo sqaroi se kishte depozituar dokumentacion e prova për të vërtetuar këto dërgesa dhe vijoi se kishte povuar gjithashtu se kishte shteruar të gjitha mundësitë për të siguruar prova të tjera.

Ashtu si për apartamentin, Komisioni konstatoi pamundësi financiare të bashkëshortit të subjektit edhe për blerjen e një autoveture tip Benz në vitin 2008. Një pjesë e vlerës së çmimit të kësaj makine i është dhuruar bashkëshortit të subjektit nga prindërit e tij, ndërsa pjesa tjetër është mbuluar nga vlera e shitjes së një makine tjetër. Hamitaj sqaroi se makina ishte blerë disa vite para se gjyqtarja Gjuzi të fillonte detyrën.

Subjekti deklaroi se bashkëshorti e kishte blerë automjetin tip Benz para se ajo të fillonte shkollën e Magjistraturës dhe sqaroi se bashkëshorti kishte shitur një mjet tjetër në vlerën 500 mijë lekë që kishte shërbyer si burim. Ajo këmbënguli se provoheshin edhe të ardhurat e prindërve të bashkëshortit që kishin shërbyer për dhurimin në shumën 600 mijë lekë.

Komisioni ka konstatuar pamjaftueshmëri të prindërve të bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit edhe për dhurimin e një shumë 6000 USD, që ka shërbyer për çeljen e një depozite në emër të tij.

Ndërkohë nuk janë gjetur probleme për disa llogari të tjera rrjedhëse në emër të subjektit dhe bashkëshortit të saj.

Nga analiza financiare paraprake Komisioni ka konstatuar pamjaftueshmëri fianciare për kryerjen e investimeve dhe shpenzimeve gjatë periudhës 2012-2016. Hamitaj sqaroi se një pjesë e pamjaftueshmërisë është konstatuar për shumat e dhuruara të përdorura në periudhën e rivlerësimit, por që janë krijuar para se gjyqtarja Gjuzi të fillonte detyrën.

Gjuzi evidentoi se balancat negative janë konstatuar duke përfshirë kursimet e prindërve të bashkëshortit dhe këtij të fundit para fillimit të detyrës si gjyqtare.

Ajo kërkoi uljen e shpenzimeve të udhëtimeve jashtë shtetit, duke pretenduar se bashkëshorti kishte udhëtuar për arsye pune.

Sipas Gjuzit, në vitin 2012 kur ishte konstatuar balanca më e madhe negative ajo kishte qenë ende studente në Shkollën e Magjistraturës, kurse në vitet në vijim ka qenë në pritje të caktimit për kryerjen e stazhit.

Për balancën negative në vitin 2014, Gjuzi deklaroi se ajo lidhet me dhurimin e vlerës 3 milionë lekë bashkëshortit, që ishin të ardhura të siguruara nga prindërit vite më parë.

Ajo kërkoi që në analizën financiare përfundimtare të ndiqet praktika e Komisionit për raste të ngjashme dhe të vlerësohet parimi i proporcionalitetit. “Të mos penalizohem për të ardhura që nuk janë të miat,” kërkoi Gjuzi.

Dyshimet për garazhet

Për dy garazhe në përdorim të blera kundrejt çmimit 12 mijë euro nga prindërit e bashkëshortit në të njëjtin pallat ku gjendet apartamenti në Tiranë, Komisioni ngriti dyshime se mund të jenë pasuri të fshehura të familjes së subjektit të rivlerësimit.

Gjyqtarja Gjuzi ka deklaruar se si burim për blerjen e garazheve ka shërbyer një hua që vjehrri ka marrë nga një shtetase që jeton në Mbretërinë e Bashkuar.

Relatori Hamitaj dhe anëtarja Genta Tafa Bungo ngritën dyshime mbi këto transaksione. Ata pohuan se ishte i dyshimë fakti se përse prindërit e bashkëshortit që jetonin në Elbasan, duhej të blinin dy garazhe në Tiranë, në të njëjtin pallat ku kishte blerë apartamentin subjekti.

Sipas Hamitajt dhe Tafës, i dyshimtë mbetej edhe fakti se përse prindërit e bashkëshortit nuk kishin përdorur si burim për blerjen e garazheve shumat e depozituara në bankë, që sipas tyre ishin më se të mjaftueshme, por kishin marrë hua nga një person që jetonte në Mbretërinë e Bashkuar, që nuk i përkiste rrethit familjar dhe që kishte përfituar në atë kohë 10 mijë paund nga trashëgimia.

“Është një konstatim që më fyen dhe më bënë të ndjeshme,” u përgjigj Gjuzi dhe u përlot teksa nisi të jepte shpjegimet e saj për dy garazhet në përdorim.

“Nuk mund të fshehim dy pasuri që janë paguar nëpërmjet bankës,” theksoi ajo. Gjuzi deklaroi se ishte e pamundur të fshiheshin pasuri në emër të personave të lidhur. Sipas saj, pindërit e bashkëshortit janë persona të lidhur për shkak të dhurimeve të favor të djalit të tyre dhe për rrjedhojë hetohen në të njëjtën mënyrë si subjektet e rivlerësimit.

Gjuzi shpjegoi se vjehrri dhe vjehrra nuk kishin fëmijë tjetër veç bashkëshortit të saj dhe se ata jetonin mes Elbasanit dhe Tiranës. Ajo pohoi se vjehrra vinte shpesh që ndihmonte për rritjen e djalit, pasi ajo punon në Berat dhe nuk ka kohë të mjaftueshme. Sipas Gjuzit, vjehrri e përdorte shpesh një prej parkimeve, pasi blen në Tiranë mallrat që tregton në Elbasan.

“Ata na kanë mbështetur gjithmonë,” tha gjyqtarja Gjuzi dhe këmbënguli se kishte dorëzuar prova që vërtetonin burimin e ligjshëm të marrë hua nga prindërit e bashkëshortit.

Në funksion të pyetjeve të Hahmitajt dhe Tafës, Gjuzi deklaroi se prindërit e bashkëshortit janë në prag të pensionit dhe se në të ardhmen do të vijnë të jetojnë në Tiranë. “Duke pasur vetëm një djalë, e kanë parë jetën të lidhur me djalin,” pohoi Gjuzi.

Lidhur me mospërdorimin e depozitave bankare nga prindërit e bashkëshortit për blerjen e garazheve, Gjuzi sqaroi se ata kanë marrë hua me qëllim që mos të cënonin interesat. “Huadhënësja është kushërirë dhe vjehrri e ka rritur,” pohoi ajo.

Në fund të seancës gjyqtarja Gjuzi kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 7 shtator, ora 09:30.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *