Gjyqtarja Enerjeta Shehaj pas seancës dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Veting

Gjyqtarja Enerjeta Shehaj jep shpjegime për pasurinë dhe një vendim

Gjyqtarja Enerjeta Shehaj e Gjykatës Administrative të Tiranës u përball të martën më 18 tetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për burimet e blerjes së një apartamenti në Tiranë si dhe për një kontratë huaje noteriale, që nuk figuronte në regjistrat e Ministrisë së Drejtësisë.

Pjesë e diskutimit në seancën dëgjimore u bë gjithashtu një vendimarrje që i kishte hapur rrugën një ndërtuesi të ngrinte një pallat, bazuar në një truall të përfituar me dokumente false. Shehaj pretendoi se kishte arritur të kundërshtonte barrën e provës dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Trupa e KPK që po kryen rivlerësimin e gjyqtares Enerieta Shehaj kryesohej nga Firdes Shuli, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtar Olsi Komicin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.

Enerjeta Shehaj i përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Kavajës. Prej vitit 2013, Znj. Shehaj e ushtron funksionin e gjyqtares pranë Gjykatës Administrative të Tiranës.

Barra e provës për apartamentin

Prokurorja Enerjeta Shehaj u përball me të njëjtën barrë prove për burimet e blerjes së një apartamenti në Tiranë si dhe bashkëshorti i saj, Erjon Shehaj, prokuror në Prokurorinë e Lezhës.

Prokurori Shehaj arriti ta bindte Komisionin për ligjshmërinë e burimeve të disa huave dhe arriti të kalojë vetingun në shkallë të parë. Megjithatë, konfirmimi i tij u ankimua në Kolegj për probleme profesionale.

Bashkëshortët Shehaj kanë pasqyruar në deklaratën “veting” apartamentin me sipërfaqe 84 m2 + 10 m2 në Tiranë, me kontratë premtim shitje të nënënshkruar në janar 2014, për vlerën 62 mijë euro. Po ashtu, është shënuar si detyrim një kredi e vitit 2009 në vlerën totale 4 milionë lekë për blerjen e apartamentit, hua 2.5 milionë lekë nga babai i bashkëshortit të marrë po më në 2009-ën, mbështetur në një deklaratë noteriale të atij viti. Si detyrime për këtë pasuri janë deklaruar dhe një hua tjetër në vlerën 14 mijë euro, marrë nga vjehrri i subjektit në vitin 2013 dhe një këst i pashlyer në shumën 2900 euro.

Nga hetimi ka rezultuar se subjekti dhe bashkëshorti kanë porositur fillimisht në vitin 2009 një apartament me sipërfaqe 75 m2 tek i njëjti pallat dhe në 2014-ën janë dakordësuar për ndërrimin me një banesë tjetër me sipërfaqe më të madhe kundrejt një vlereshtesë, që është apartamenti që ata zotërojnë aktualisht.

Prej analizimit të burimeve të deklaruara, ka rezultuar se kredia nuk mund të kishte shërbyer për shlyrjen e këstit të parë në maj të 2009-ës në vlerën 30 mijë euro, pasi është disbursuar disa muaj më vonë.

Bashkëshorti dhe subjekti kanë shpjeguar se në kushte të ngutshme për shlyerjen e këstit të parë, kanë biseduar me familjarët dhe një i afërm është ofruar për dhënien e një huaje deri në momentin e marrjes së kredisë. Si burim për këtë hua janë deklaruar të ardhurat e kompanisë që zotëronte i afërmi S.Ç..

Për të provuar dhënien e huasë në shumën 30 mijë euro, si dhe mundësinë financiare të huadhënësit, subjekti ka dorëzuar si prova një deklaratë noteriale të vitit 2009 të nënshkruar prej të afërmit dhe babait të bashkëshortit, si dhe dokumentacionin për të ardhurat e shoqërisë së tij.

Babai i bashkëshortit të subjektit ka deklaruar se e merrte huanë 30 mijë euro me qëllim për t’ia dhënë djalit që të prenotonte një apatament në Tiranë dhe se gjithë vlerën do ta shlyente deri në fund të vitit 2009.

“Duket se bashkëshorti i subjektit në përfundim të procesit të vetingut ka deklaruar një burim të ri të të ardhurave për pagesën e këstit të parë”, deklaroi Pine.

Komisioni ka verifikuar edhe huanë tjetër të deklaruar se është marrë nga vjehrri i subjektit në shumën 2.5 milionë lekë, me burim të ardhurat nga emigracioni dhe shitja e një trualli në vitin 2001.

Komisioni vëren se nuk është depozituar dokumentacion lidhur me të ardhurat nga emigracioni, ndërsa ka rezultuar se trualli është shitur për shumën 400 mijë lekë.

Bazuar në këto rezultate, KPK e cilëson të paqartë situatën se si vjehrri i subjektit ka marrë hua nga i afërmi për t’ia dhënë hua djalit me qëllim blerjen e apartamentit, kur mund të ishte vetë ky i fundit që t’i merrte. Po ashtu, nuk janë gjetur gjurmë financiare të marrjes së këtyre huave, të destinacionit të shumave, si dhe koha dhe mënyra e shlyerjes së huave nga vjehrri.

“Subjekti  nuk ka arritur të provojë rregjistrimin e veprimeve noteriale në rregjistrin noterial që të vërtetojë kryerjen e aktit noterial të vitit 2013”, theksoi Pine.

Nga hetimi ka rezultuar se babai i bashkëshortit të subjektit nuk mundej që të jepte hua një pjesë të shumës 2.5 milionë lekë në vitin 2009 dhe për këtë arsye kjo vlerë nuk është pasqyruar në analizë kjo vlerë.

Sipas Komisionit, duket se subjekti dhe bashkëshorti i saj nuk kanë arritur të dokumentojnë burimet e deklaruara të të ardhurave që kanë shërbyer për pagesën  e shumës prej 30 mijë euro në vitin 2009, gjetje për të cilën i është kaluar Shehaj barra e provës.

Për pagesën e këstit të dytë në shumën 15 mijë e 600 euro, të shlyer me kredinë, nuk janë gjetur probleme.

Si burim për pagesën e vlerës së shtuar si pasojë e ndryshimit të apartamentit, në shumën 13 mijë e 500 euro, është deklaruar një hua e marrë nga babai i bashkëshortit të subjektit, në vlerën 14 mijë euro. Por, KPK vëren se huaja nuk është deklaruar si shtesë në cash-in e vitin 2013.

Bazuar në këto gjetje, KPK nuk e ka përfshirë në analizë huanë 14 mijë euro dhe për rrjedhojë ka rezultuar pamundësi për shlyerjen e këstit 13 mijë e 500 euro.

Gjyqtarja Shehaj theksoi se veprimet e kryera për shlyerjen e kësteve të apartamenteve, përputhen me deklarimet vjetore. Ajo pretendoi se kishte dorëzuar dokumentacion ligjor që vërtetonte burimet e ligjshme të huadhënësve, si të vjeherrit ashtu dhe të kushëririt të bashkëshortit.

Subjekti shpjegoi se huaja në vitin 2009 ishte marrë pasi nuk ishte përfituar ende kredia. Ajo vërejti se huadhënësi ishte djali i xhaxhait të bashkëshortit, që ishte aksioneri kryesor i kompanisë ku ai ishte ortak dhe këmbënguli se ai kishte pasur mundësi për dhënien e vlerës 30 mijë euro.

Përfaqësuesi i ONM-së, Theo Jacobs u ndal në faktin se deklarata noteriale për marrjen e huasë në vitin 2013 nuk rezultonte e regjistruar, si dhe ripërsëriti gjetjet e KPK-së për huanë 14 mijë euro të marrë në vitin 2013, konkretisht për mungesën e dokumentacionit për transferimin e shumës në fjalë; për mosdeklarimin si gjendje cash.

Ai evidentoi faktin se noteri që kishte përpiluar dkelaratën e huadhënies ishte arrestuar për abuzime. “Noteri e regjistron tek regjistri i tij, pr nuk mund të regjistrohet në librat e të dhënave në Ministrinë e drejtësisë”, vërejti Jacobs.

Shehaj pranoi se noteri në fjalë ishte arrestuar, por ajo këmbënguli se nuk kishte lidhje me aktin noterial për huadhënie. “Përzgjedhja e noterit ka qenë rastësore se janë fqinj me familjen e bashkëshortit prej reth 40 vitesh”, sqaroi Shehaj dhe shtoi se përgjegjësia e saj kishte të bënte me deklarimin rregullisht të deklaratës noteriale të huasë, si në deklaratat periodike, ashtu dhe në atë “veting”.

Në seancë u relatua ndër të tjera edhe përdorimi i një automjeti në pronësi të vëllait të subjektit. Nga hetimi ka rezultuar se bashkëshortët Shehaj e kanë përdorur këtë mjet për të udhëtuar jashtë shtetit, edhe para se të blihej nga familjari i tyre.

Komisioni evidentoi se vëllai i subjektit nuk ka qenë në Shqipëri në momentin e nënshkrimit të kontratës së shitblerjes së mjetit që e ka bërë pronar. Po ashtu, në të njëjtën ditë që është nënshkruar kontrata e shitblerjes, u është dhënë e drejta e përdorimit motrës dhe bashkëshortit të saj.

Nisur nga këto fakte, KPK i ka kërkuar subjektit që të provojë burimin e ligjshëm të vëllait për blerjen e kësaj pasurie.

Komisioneri Komici dhe Jacobs ngritën dyshime mbi marrëdhënien e subjektit me mjetin në përdorim. Sipas Komicit, dukej se subjekti zotëronte dy automjete, një në përdorim dhe një tjetër që e kishin blerë.

Shehaj argumentoi se nuk kishte logjikë që nëse do të kishin një mjet në zotërim, të blinin një tjetër brenda një kohe të shkurtër. Ajo u shpreh se e kanë përdorur vetëm njëherë jashtë shtetit makinën e vëllait dhe përpara se ai ta blinte. Sipas saj, kishte qenë një nevojë e momentit, për të mundësuar udhëtimin.

 Figura dhe profesionalizmi

Gjyqtarja Shehaj u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës. Lidhur me profesionalizmin Komisioni u ndal në denoncimet e kryer nga publiku lidhur me disa çështje të gjykuara prej subjektit.

Ka qenë ONM që i ka kërkuar Komisionit të verifikojë katër çështje të shqyrtuara prej subjektit.

Shehaj u pyet nga përfaqësuesi ONM-së lidhur me vendimarrjen e saj për një padi ku ngriheshin pretendime për zaptim të tokës nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara.

Sipas relatores Pine, gjatë gjykimit të kësaj çështje, është kërkuar pezullimi i gjykimit me argumentin se një leje ndërtimi në tokën ku kishte mbivendosje të pronarëve, ishte në proces penal.

Por gjyqtarja Shehaj ka vlerësuar se pretendimet kanë pasur të bëjnë me një kuadër pretendimesh për pavlefshmërinë relative të aktit dhe jo pavlefshmërinë absolute, ashtu si ka parashtruar në fillim të kërkesë padisë pala paditëse. Bazuar në këto argumente, Shehaj ka vendosur ta rrëzojë padinë.

Komisioni vlerëson se Shehaj duhej të kishte pezulluar gjykimin deri sa të vërtetohej nëse kishte ose jo vepër penale të falsifikimit, si dhe se ajo kishte për detyrë të zbatonte vendimin Unifikues të Kolegjeve të Bashkuar nr. 3/2012 dhe Kodin e Procedurës Sivile për të zbuluar shkakun e padisë duke analizuar padinë në tërësinë e saj – jo duke u kufizuar vetëm në dispozitat ligjore të referuara nga paditësi.

Pine theksoi se, në gjykimin e kësaj çështje, subjekti ka manifestuar mangësi në drejtim të interpretimit dhe zbatimit të ligjit, si dhe ka treguar mangësi në arsyetimin ligjor.

Jacobs vërejti se vendimarrja e subjektit kishte ndihmuar një subjekt që të ndërtonte në tokën e tjetrit duke përdorur dokumente të falsifikuara. “Denoncuesi kërkoi që të ndalohej kjo paligjshmëri. Ai shkoi edhe në prokurori. Por falë jush, dikush ndërtoi me dokumente false në tokën e tjetrit. Ju kishit detyrën si gjyqtare që të prisnit përfundimin e hetimeve. Ju e lejuat këtë paligjshmëri”, konstatoi Jacobs.

Gjyqtarja Shehaj pranoi se ishte e vërtetë se trajtimi i çështjes nga ana e saj kishte qenë teorik. Ajo u justifikua me faktin se edhe aktualisht ka çështje për ndërtime pa leje që trajtohen administrativisht dhe penalisht. Por sipas saj, shqyrtimet vijojnë. “Janë të konkurrueshme dhe trajtohen në mënyrë të pavarur”, deklaroi Shehaj dhe këmbënguli se procedura është strikte që e detyron të trajtojë vetëm objektin që kërkohet prej pasditësit.

Sipas saj, pavlefshmëria absolute lidhet vetëm me formën e aktit dhe se nuk ka lidhje me pavlefshmërinë apo zgjidhjen e faktit.

Në përfundim, Shehaj theksoi se u qëndronte gjithë deklarimeve dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 20 tetor, në orën 09:30.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *