Prokurori i Tiranës, Adnand Xhelili pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza KPA Lajme Veting

Adnand Xhelili dështoi të përmbyste në KPA një pjesë të konkluzioneve për pasurinë

Prokurori i Tiranës, Adnand Xhelili u shkarkua nga detyra më 12 shkurt të vitit 2020 pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konkludoi se subjekti i rivlerësimit kishte kryer deklarime të pasakta në vite dhe në deklaratën “veting”; se kishte mungesë të ardhurash financiare për të justifikuar pasuritë dhe shpenzimet e kryera gjatë periudhës së rivlerësimit e për rrjedhojë kishte kryer deklarime të pamjaftueshme për kriterin e pasurisë.

Vendimi i Komisionit u ankimua nga ish-prokurori Adnand Xhelili i cili ngriti shkaqe procedurale lidhur me procesin e rregullt ligjor dhe ndaj konkluzioneve për pasurinë, por pa arritur ta përmbysë vendimarjen për shkarkimin e tij.

Shkaqet procedurale

Xhelili ka ngritur pretendime për mosgarantimin e një mbrojtje efektive, si pasojë e mosrespektimit të një raporti mjekësor në lidhje me dorëzimin e shpjegimeve dhe provave ndaj rezultateve të hetimit. Trupi gjykues i Kolegjit çmon se, ndodhur në kushtet e një situate paaftësie të përkohshme të subjektit të rivlerësimit të provuar me dokumentacion mjekësor, Komisioni do duhej të caktonte si datë për dorëzimin e shpjegimeve dhe provave, si dhe për zhvillimin e seancës dëgjimore, një datë e cila të përkonte me periudhën kohore pas përfundimit të paaftësisë së përkohshme në punë sipas raportit mjekësor. Për këtë arsye, KPA ka vendosur kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë publike.

Me këtë vendim të ndërmjetëm, Kolegji i ka vlerësuar të korrigjuara gabimet e Komisionit dhe të zgjidhura të gjitha pretendimet lidhur me shkeljet e parimeve në kuadër të garantimit të një procesi të rregullt ligjor.

Kolegji i ka dhënë të drejtë Xhelilit edhe lidhur pretendimin e tij ndaj konstatimit të Komisionit se subjekti nuk ka qenë plotësisht bashkëpunues. KPA vëren se pas verifikimit të gjithë pyetësorëve që i janë adresuar subjektit të rivlerësimit nga ana e Komisionit, si dhe përgjigjet e tij, nuk vihet re që ti jenë adresuar pyetje në mënyrë të përsëritur, që do të mund të konfirmonte faktin se bashkëpunimi nuk ka qenë i kënaqshëm.

“Gjithashtu, nuk u konstatua as ndonjë tërheqje vëmendjeje drejtuar subjektit të rivlerësimit në drejtim të nevojës për shpjegime të hollësishme në kuadër të detyrimit për bashkëpunim”, konstaton KPA dhe e gjen të padrejtë konkluzionin e KPK lidhur me qëndrimin e subjektit gjatë procesit të vetingut.

Ndërkohë, KPA ka çmuar të refuzojë kërkesën për marrjen në cilësinë e provës të akteve shkresore në funksion të vërtetimit të të ardhurave nga kulturat bujqësore. Sipas KPA, ka rezultuar se këto akte nuk i janë përcjellë Komisionit, ndonëse subjektit i ishte kaluar barrë prove për të provuar ligjshmërinë e këtyre të ardhurave.

Po ashtu, në vendimin e ndërmjetëm të marrë për këtë kërkesë, shumica e Kolegjit e përbërë nga kryesuesja Ina Rama, relatori Sokol Çomon dhe anëtaret Albana Shtylla e Rezarta Zhuetz, është arritur në përfundimin se vlera provuese dhe ndikimi i këtyre akteve në zgjidhjen e çështjes nuk është i tillë që të legjitimojë marrjen e tyre me cilësinë e provës.

Anëtarja e trupit gjykues, Natasha Mulaj ka ndarë mendim paralel lidhur me këtë arsyetim të shumicës. Ajo vëren se përgjatë shqyrtimit në KPA, rezultoi se subjekti nuk ka deklaruar saktë të ardhurat e përfituara nga aktiviteti agro-bujqësor dhe nga hoteleri-turizëm, duke i deklaruar në vlera të përbashkëta për gjithë periudhën 2010-2015. Sipas Mulajt, kjo situatë e ka bërë të vështirë përcaktimin në terma ligjorë dhe ekonomiko-financiarë të të ardhurave dhe pamundësoi përcaktimin e fitimit konkret për secilin aktivitet.

Mulaj vlerëson se vendimi i ndërmjetëm i shumicës për të mos administruar si prova aktet e subjektit lidhur me këto të ardhura të pretenduara prej tij, është i gabuar. “[…]Pasi nuk i garantoi subjektit të rivlerësimit, që në mënyrë shteruese të ushtronte të drejtën e tij për t’u mbrojtur nëpërmjet argumenteve dhe akteve të depozituara, duke e cenuar në këtë mënyrë procesin e rregullt ligjor”, çmon Mulaj dhe shton se nëse këto akte do të ishin administruar, do të kishin ndryshuar dukshëm situatën faktike dhe financiare të Xhelilit – deri në kufijtë e zbatimit të parimit të proporcionalitetit.

Megjthatë, Mulaj shprehet se në vendimarrjen përfundimtare i është bashkuar shumicës, për faktin se pasaktësitë në deklarime nga subjekti i rivlerësimit nuk qëndronin vetëm për të ardhurat nga bujqësia dhe hoteleri-turizmi, por mbi të gjitha mbi mosdeklarimin e një huaje në vlerën 18 mijë e 594 USD në, të pretenduar se është marrë prej bashkëshortes së subjektit në vitin 2011, për të cilën është petenduar se ka shërbyer për shlyerjen e një kredie të përdorur për një investim.

Bazuar në faktin se kjo hua nuk është pasqyruar në deklaratat periodike dhe në atë “veting”, si dhe për shkak të pamundësisë së huadhënësit për krijimin e kësaj vlere, Mulaj çmon se Xhelili në këtë rast gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm.

Ndërkohë, shkaqet e tjera të ngritura nga subjekti për aspektin procedural janë vlerësuar të pabazuara ose pa efekt në zgjidhjen e çështjes.

Vlerësimi i pasurisë

Kolegji e ka gjetur të drejtë pretendimin e subjektit ndaj konstatimit për deklarim të pasaktë të çmimit të një apartamenti të blerë nga Entit Kombëtar të Banesave, EKB për një çmim më të vogël nga ai i deklaruar prej tij.

Subjekti ka pranuar se në deklarimin e vlerës së kësaj pasurie ka bërë një lapsus në përllogaritje, por ka pretenduar se Komisioni nuk e ka zbatuar drejt parimin e proporcionalitetit, pasi, në mënyrë të palogjikshme e ka lidhur pasaktësinë me mungesën e të ardhurave të ligjshme për krijimin e saj.

Kolegji e ka gjetur të drejtë këtë pretendim të Xhelilit. “…Pasaktësia e evidentuar në rastin konkret, me deklarimin si vlerë të pasurisë të një vlere inekzistuese, referuar akteve të krijimit të pasurisë, njëkohësisht edhe më të lartë se ajo e paguar realisht nga subjekti i rivlerësimit, nuk mund ta vendosë këtë të fundit në kushtet e një deklarimi të pasaktë”, argumenton KPA dhe çmon se deklarimi i një vlere më të madhe sesa paguar realisht, hedh poshtë dyshimet për “pasaktësi” të qëllimshme.

Në përfundim të shqyrtimit të këtij shkaku, Kolegji çmon se deklarimi i pasaktë i vlerës së apartamentit nuk sjell pasoja në kontrollin e kësaj pasuri dhe se nuk mund të shërbejë si shkak më vete si deklarim i pamjaftueshëm.

Shpjegimet e subjektit kanë arritur ta përmirësojnë situatën e tij financiare lidhur me blerjen e apartamentit në Tiranë, pasi ka rezultuar pamjaftueshmëri e burimeve të ligjshme vetëm në lidhje me pagesën e kryer për shlyerjen e një kësti të kredisë në vitin 2005.

Ndërkohë, Xhelili ka dështuar të përmbysë në Kolegj konkluzionin e KPK për pamjaftueshmëri të burimeve të ligjshme për një shtëpi banimi trekatëshe në njësinë administrative Lukovë, megjithëse ka arritur të jetë bindës në kundërshtimet e një pjese të përfundimeve të arritura në shkallën e parë të vetingut. Komisioni ka konkluduar se subjekti ka kryer deklarime të pamjaftueshme për këtë pasuri, pasi nuk ka deklaruar truallin; në deklaratat periodike vjetore për vitet 2008, 2009 dhe 2010 nuk janë pasqyruar punimet dhe investimet e kryera; si dhe nuk ka vërtetuar mundësinë e një huadhënësi dhe të ardhurat nga bujqësia epërdorimit i ambjenteve të shtëpisë gjatë sezonit veror.

Subjekti kundërshtoi konkluzionin e Komisionit për deklarim të pasaktë si pasojë e mospasqyrimit të truallit, duke e cilësuar si “gjykim tepër formal” dhe pa lidhje me themelin e procesit të rivlerësimit. Në mbështetetje të pretendimit të tij, Xhelili ka sjellë në vëmendje se parcela e tokës nga ka rrjedhur trualli është deklaruar prej tij në vitin 2009.

Po ashtu, ai kundërshtoi konkluzionin për mosdeklarimin e punimeve; analizën financiare të KPK; si konstatimin për pamundësinë e shlyerjes së një kredie me argumentin se KPK në kundërshtim me ligjin nuk e ka konsideruar një hua të marrë prej vëllait të bashkëshortes dhe të ardhurat e deklaruara në çdo vit si të realizuara nga kulturat bujqësore dhe lëshimi për përdorim i dhomave të kësaj shtëpie gjatë stinës së verës.

Bazuar në aktet e administruara, trupi gjykues arrin në përfundimin se, pavarësisht se subjekti do duhej të kishte treguar një kujdes të shtuar në lidhje me deklarimin e hollësishëm të secilës pasuri në pronësi a bashkëpronësi të tij, nuk rezulton të ketë munguar pasqyrimi i truallit në deklaratën e pasurisë “veting”. Për rrjedhojë, ky shkak ankimi i Xhelilit është gjetur i drejtë.

KPA i ka dhënë të drejtë Xhelilit edhe lidhur me konstatimin e KPK për mosdeklarimin e punimeve e investimeve të kryera në banesë gjatë viteve 2008, 2009 e 2010. Sipas Kolegjit, fakti që në këto vite subjekti ka kryer punime, nuk mund të ndikojë në vlerësimin e saktësisë së deklarimit të kësaj pasurie, “me pasojë vlerësimin e deklarimit të tij si të pamjaftueshëm në kuptim të nenit 61, pika 3 e ligjit nr. 84/2016”.

“Mosdeklarimi i këtyre fakteve duhet të ishte vlerësuar nga Komisioni në drejtim të mosprovueshmërisë së pretendimeve të subjektit lidhur me periudhën e ndërtimit dhe shpërndarjes së vlerave të investuara në këto vite”, vlerëson KPA, por ka çmuar si deklarativ e të pabazuar pretendimin tjetër të Xhelilit se në vitet 2008 dhe 2009 ishin kryer shpenzime në kuadër të përgatitjeve për ndërtimin e godinës 3-katëshe dhe se të ardhurat e disponueshme kishin shkuar për mbulimin e këtyre shpenzimeve. Trupi gjykues konstaton se në asnjë akt të fashikullit të çështjes të administruar në Komision, subjekti i rivlerësimit nuk kishte përcaktuar vlerën e shpenzimeve të kryera në këto vite dhe për rrjedhojë ka mbetur bilanc negativ në vitin 2010.

Pretendimi se është përllogaritur gabimisht vlera e objektit 9.2 milionë lekë pasi aty përfshihet edhe investimi për arredimin në shumën 1.6 milionë lekë, është konsideruar nga KPA pa efekt në zgjidhjen e çështjes.

Ndërkohë, shpjegimet e Xhelilit për huanë e pretenduar se është marrë nga kunati, nuk janë gjetur bindëse.

Trupi gjykues i Kolegjit konstaton se marrja e kësaj huaje nuk ishte deklaruar në mënyrë vullnetare nga ana e subjektit të rivlerësimit, as në deklarimet periodike dhe as në atë “veting”. “Gjithashtu, nga shqyrtimi i dokumentacionit të administruar në fashikull, nuk rezultoi asnjë e dhënë që të mund të provonte faktin se vlera monetare e depozituar cash nga znj. M. Xh. në llogarinë e saj bankare, ishte një hua e marrë nga vëllai i saj A. K., përveç përshkrimit të vendosur prej saj në momentin e depozitimit të kësaj shume”, vëren KPA.

Në përfundim, Kolegji arrin në përfundimin se nuk është arritur të provohet se ka ndodhur marrëdhënia e huas. Për rrjedhojë, ka rezultuar pamundësi e subjektit për shlyerjen e pjesshme të kredisë në vitin 2011, që është deklaruar si burim krijimi për shtëpinë trekatëshe.

Lidhur me të ardhurat e pretenduara si të krijuara nga shfrytëzimi i tokës bujqësore dhe përdorimi ambienteve të objektit trekatësh gjatë stinës së verës nga pushuesit, Kolegji arrin në përfundimin se gjatë hetimit nuk është administruar asnjë provë e faktit të realizimit të këtyre veprimtarive, të masës së këtyre të ardhurave të pretenduara, si dhe se nuk rezulton të jetë paguar ndonjë detyrim tatimor.

Bazuar në këto të dhëna, KPA shprehet se ndodhet në pamundësi objektive për të kontrolluar vlerën dhe ligjshmërinë e këtyre të ardhurave të deklaruara në vite dhe në deklaratën “veting” nga ana e subjektit, e për rrjedhojë nuk mund të konsiderohen se burim i ligjshëm për shlyerjen e kredisë.

Kolegji ka gjetur të bazuar konkluzionin e KPK për deklarim të pamjaftueshëm për një automjet, pasi edhe nga analiza financiare e kryer në KPA ka rezultuar pamjaftueshmëri burimesh për financimin e blerjes së kësaj pasurie. Po ashtu, ka mbetur në fuqi edhe konkluzioni për mos vërtetimin e burimit të ligjshëm të një shumëe së dhuruar nga prindërit e bashkëshortes së subjektit, pasi është konkluduar se pretendimi i Xhelilit ka mbetur në nivel deklarativ.

Në përfundim, trupa e Kolegjit ka vendosur të lërë në fuqi shkarkimin e ish-prokurorit Adnand Xhelili.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *