Prokurorja Shqiponja Milla e Prokurorisë së Rrethit Shkodër do të përballet të martën më 28 shkurt me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i saj i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Olsi Komici, Firdes Shuli dhe Xhensila Pine.
Shqiponja Milla përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009 dhe u emërua si prokurore në Prokurorinë e Pukës. Prej vitit 2014, Milla e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Shkodër.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë familjare të deklaruar nga prokurorja Shqiponja Milla nga viti 2008 deri në fund të vitit 2018. [Kliko për skedën në PDF].

Në deklarimin për të herë të parë në vitin 2008, prokurorja Shqiponja Milla zotëronte pasuri me vlerë 3.5 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria e saj familjare kap vlerën e 8.3 milionë lekëve.
Znj. Milla zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 6.3 milionë lekë, likujditete bankare me vlerë 1.9 milionë lekë dhe automjet me vlerë rreth 182 mijë lekë.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 18.5 milionë lekë, nga të cilat 59% kanë si burim pagën e saj, gati 17% nga shitja e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme si dhe 10% e totalit nga të ardhurat e bashkëshortit nga puna dhe biznesi.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 11 vite të deklarimit, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” të ardhurat e bashkëshortit nga emigracioni që kanë shërbyer si burim për pasurinë familjare.
Më konkretisht në deklarimin “Para Fillimit të Detyrës”, subjekti Shqiponja Milla deklaron gjendje cash prej 2 milionë lekësh, me burim të ardhurat e bashkëshortit nga emigracioni si dhe të ardhurat e subjektit nga Shkolla e Magjistraturës.
Në vitin 2017 deklarohet huamarrje në shumën 1,000,000 lekë, e marrë në fund të vitit 2016 dhe e shlyer plotësisht më 21.12.2017 nga të ardhurat e përfituara nga siguracioni i aksidentit të bashkëshortit. Kjo hua nuk rezulton e deklaruar në formularin periodik vjetor 2016.
Deklarata e pasurisë Para Fillimit të Detyrës
Deklarata e pasurisë së vitit 2008
Deklarata e pasurisë së vitit 2009
Deklarata e pasurisë së vitit 2010
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
Deklarata e pasurisë së vitit 2018
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al