Markelian Kuqo në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme Veting

Komisioni përfundon pa vendim vetingun e Markelian Kuqos

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK ka vendosi fillimin e hetimit administrativ për ish-gjyqtarin e Korçës Markelian Kuqo në dhjetor të vitit 2020, ndërkohë që në atë periudhë është njoftuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ për masën disiplinore të shkarkimit nga detyra dhënë ndaj këtij subjekt rivlerësimi.

Ish-gjyqtari Markelian Kuqo u shkarkua më 10 dhjetor 2020 nga KLGJ me kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për shkelje të rënda dhe cënim të besimit te drejtësia në vendimin për lirimin me kusht “të dënuarit me burgim të përjetshëm Gerd Gjenerari, i gjetur fajtor për një vrasje të kryer në vitin 1997”.

Vendimi i ish-gjyqtarit Kuqo u rrëzua në Apel, pas ankimit të Prokurorisë së Korçës, por Gjenerari nuk është kthyer më në qeli dhe nuk është gjetur dot nga policia. Gjatë shqyrtimit të ankimit të kryer nga Kuqo në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA u mësua se Gjykata e Lartë e kishte lënë në fuqi vendimin e Apelit, duke rrëzuar kështu arsyetimet dhe argumentet për lirimin e Gjenerarit.

Në vendimin e KPK sqarohet se Gjykata Kushtetuese dhe KPA kanë informuar se Kuqo ka kryer dy ankime paralele ndaj vendimarrjes së KLGJ-së. Gjykata Kushtetuese ka vendosur të mos e kalojë për shqyrtim në seancë plenare duke arsyetuar se kompetenca i takon Kolegjit përgjatë  periudhës së mandatit 9-vjeçar. Në vijim, KPA ka njoftuar se më 7 dhjetor 2022 është vendosur mospranimi i ankimit të ish-gjyqtarit Markelian Kuqo, duke lënë në fuqi shkarkimin e tij.

Bazuar në këto rrethana, trupa e KPK e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin ka arritur në përfundimin se mbarimi i statusit të magjistratit sjell si pasojë përfundimin e kësaj procedure administrative, pa një vendim përfundimtar për çështjen.

“[…]Organi publik deklaron të përfunduar procedurën administrative pa një vendim përfundimtar për çështjen, kur objekti për të cilin kishte nisur procedura apo qëllimi i tij është bërë i pamundur”, referon KPK dispozitën ligjore ku ka bazuar vendimarrjen për Kuqon.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *