KPK gjatë një seance. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK

KPK ndërpret vetingun për Artan Gjermënin

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 14 tetor 2022 të ndërpresë procesin e vetingut për gjyqtarin e Tiranës, Artan Gjermëni, pas dorëheqjes së tij nga detyra. Po ashtu, është vendosur ndalimi i rikthimit të tij në sistemin e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare.

Më 19 shtator, Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ vendosi të deklarojë mbarimin e statusit të magjistratit për gjyqtarin e Tiranës, Artan Gjermëni, pas dy kërkesave për dorëheqje nga detyra të dorëzuara gjatë muajve të fundit nga ky subjekt rivlerësimi.

Kërkesa e parë u dorëzua prej Gjermënit në KLGJ më 24 maj, por deri në muajin korrik nuk u mor vendim. Më 15 korrik, Këshilli njoftoi se e ndërpreu procedurën e përfundimit të statusit për gjyqtarin Gjermeni, pasi ai u tërhoq nga kërkesa për dorëheqje. Në vijim, më 13 shtator ai dorëzoi një kërkesë të dytë për dorëheqje, e cila u shqyrtua dhe u pranua nga KLGJ brenda javës.

Në të dyja kërkesat, Gjermëni sqaronte se po hiqte dorë nga funksioni i gjyqtarit, pasi kishte vendosur të ndiqte një stad të ri në karrierën e tij, duke u impenjuar si pedagog pranë një universiteti jo-publik.

Gjermëni ka një karrierë të gjatë në drejtësi është një ndër magjistratët më të lakuar në vend, kryesisht për shkak të akuzave të ngritura ndaj tij në vite prej ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili e ka akuzuar atë për lidhje me bandën e Aldo Bares. Në atë kohë, Ministria e Drejtësisë kërkoi shkarkimin e Gjermenit nga detyra e gjyqtarit, por tentativa dështoi pas votës kundër të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në të cilin Gjermëni ishte anëtar.

Gjyqtari u bë objekt i medias edhe pasi u raportua i plagosur në vitin 2018 dhe për një sërë vendimesh kontradiktore.

Dorëheqja është një masë e parashikuar në reformën e vitit 2016, që u mundëson magjistratëve largimin nga sistemi pa iu nënshtruar procesit të vetingut, por me masë përjashtimi prej 15 vjetësh nga sistemi. Mbi 86 magjistratë kanë dhënë dorëheqjen që prej fillimit të procesit të vetingut.

Prej afro tre vjetësh, gjyqtari Artan Gjermeni i është nënshtruar procesit të rivlerësimit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, në cilësinë e subjektit të rivlerësimit. Deri në vendimmarrjen e KLGj-së për mbarimin e statusit të magjistratit për këtë subjekt, Komisioni nuk e kaloi çështjen e tij në seancë dëgjimore.

Në vendimin e arsyetuar të KPK thuhet se dy anëtare të trupës janë përjashtuar. E para, komisionerja Alma Faskaj, menjëherë pas shortimit në dhjetor 2019, ka kërkuar dorëheqjen si anëtare e trupës, por kërkesa i është rrëzuar. Paralelisht ajo ka dorëzuar edhe një kërkesë për përjashtimin e saj nga procesi i rivlerësimit të Gjermënit, që është pranuar nga një tjetër trupë e KPK-së.

Faskaj është zëvendësuar nga komisionerja Etleda Çiftja në cilësinë e relatores. Por pas revokimit të dorëheqjes së parë, Gjermëni ka kërkuar përjashtimin e Etleda Çiftjas me pretendimin se nuk ofronte garancitë për një gjykim të paanshëm dhe të pavarur për shkak të marrjes së saj në cilësinë e të pandehurës, në një proces penal. Kjo kërkesë është pranuar nga Komisioni dhe Çiftja është zëvendësuar nga komisionerja Suela Zhegu, në cilësinë e relatores së çështjes.

Pasi trupa e KPK e kryesuar nga Genta Tafa(Bungo), me relatore Suela Zhegun dhe anëtar Lulzim Hamitajn ka konstatuar se Gjermëni nuk ka kryer ankim ndaj vendimarrjes së KLGJ-së për mbarimin e statusit të magjistratit, ka vendosur ndërprerjen e vetingut për këtë subjekt rivlerësimi si dhe sanksionin 15-vjeçar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *