KPK shkarkoi kreun e Gjykatës së Sarandës Alltun Çela

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme
Alltun Çela u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit,  më herët gjatë seancës dëgjimore, atij iu vunë në dukje probleme në të tri kriteret e rivlerësimit. Çela kishte kërkuar konfirmim në detyrë.

Trupa gjykuese e përbërë nga Genta Tafa, Pamela Qirko dhe Xhensila Pine, gjatë seancës dëgjimore të kreut te gjykatws Sarandë, Alltun Çela | Foto : BIRN

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të martën shkarkimin nga detyra të kreut të Gjykatës së Rrethit Sarandë Alltun Çela. Në një sallë të mbushur me familjarë të gjykatësit të shkarkuar, kryesuesja e trupës gjykuese Pamela Qirko bëri me dije se Çela shkarkohej nga detyra pas hetimit të thelluar në të tre kriteret. Njoftimi i vendimit u shoqërua me reagime emocionale nga të pranishmit. Çela nuk  komentoi vendimin.

Gjatë seancës dëgjimore më 4 janar relatorja Genta Tafa vuri në dukje një sërë problemesh që Komisioni kishte gjetur gjatë hetimit të dosjes së Çelës.

Sipas relatores hetimi i thelluar i KPK-së, kishte  konstatuar probleme të shumta me deklarimet e tij periodike të pasurisë dhe deklaratën veting. Po ashtu DSIK dorëzoi një raport negativ për gjyqtarin Çela, duke nënvizuar se ky i fundit nuk është ‘i përshtatshëm’ për tu konfirmuar në detyrë. Relatorja bëri me dije se raporti i DSIK-së ishte konfirmuar edhe nga hetimet e komisionit. Ndërkohë edhe vlerësimi i KLD-së për profesionalizmin e subjektit e cilësoi atë ‘nën mesatar’.

Çela u shortua si subjekt i procesit të rivlerësimit në 15 janar 2018, për shkak të funksionit të tij në krye të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë. Gjatë seancës dëgjimore u tha se ndaj gjyqtarit Çela ishin regjistruar një numër denoncimesh nga shtetas të ndryshëm, pjesë e të cilave janë vlerësuar të besueshme nga trupa gjykuese e KPK-së dhe për të cilat subjektit i është kaluar barra e provës.

Gjatë fjalës së tij në seancë dëgjimore, Çela ka tentuar të shpjegojë disa nga paqartësitë në lidhje me pasurinë e tij dhe ka kundërshtuar raportin e DSIK-së mbi pastërtinë e figurës, duke nënvizuar se ai nuk përmban prova.  Ai ngriti pretendim se KPK kishte bërë një lapsus, pasi sipas tij KLD e kishte vlerësuar me notë mesatare – për sa i përket aftësive profesionale dhe jo nën mesatare.