Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Shkarkohet kreu i Gjykatës së Pukës Izet Kadana

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra kryetarin e Gjykatës së Pukës pas problemeve të vërejtura në të trija kriteret e vetingut.

Komisionerët Firdes Shuli, Lulzim Hamitaj dhe Xhensila Pine gjatë seancës dëgjimore për kryetarin e Gjykatës së Pukës Izet Kadana në Tiranë më 18 dhjetor 2018. Foto: Malton Dibra/LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli të enjten vendimin për shkarkimin e kryetarit të Gjykatës së Pukës Izet Kadana, i cili rezultoi me pasuri të pajustifikuara, me lidhje familjare me persona të dyshuar për aktivitet të krimit të organizuar si dhe me probleme me etikën në punë për rastin e punësimit të bashkëshortes në prokurorinë e Pukës. Komisioni i vetingut përbëhej në rastin e subjektit Kadana nga Lulzim Hamitaj, Xhensila Pine dhe Firdes Shuli. Kadana, i cili ka punuar prej 25 vjetësh si gjyqtar, nuk dha komente për median pas shpalljes së vendimit.

Sa i përket kriterit të pasurisë, hetimi administrativ kishte zbuluar disa probleme, përfshirë një diferencë shpenzimesh të pajustifikuara me të ardhura në masën prej afro 1.2 milionë lekë, një kredi të marrë nga bashkëshortja të masën 700 mijë lekë si dhe dy hua që gjyqtari i ka dhënë personave të tjerë me vlerë totale prej 8.4 milionë lekësh, për të cilat, komisioni i vetingut gjykon se i mungojnë burimet financiare.

Kadana, i cili ishte i pranishëm në seancë bashkë me një avokat, u shpreh përmes përfaqësuesit të tij ligjor se llogaritjet e bëra nga komisioni ishin të gabuara dhe se ai i kishte të ardhurat për të mbuluar shpenzimet. Avokati argumentoi se një kontratë për blerjen e një apartamenti në Pukë në vitin 1995, e cila shënon vlerën 4 milionë lekë, është një gabim i noterit, i cili ka shkruar në kontratë “lekë të vjetra” dhe jo lekët zyrtare. Avokati e mbështeti argumentin e tij me faktin që Puka është një nga qytetet më të varfra të vendit se se në Pukë nuk mund të ketë apartament me vlerë të tillë. Në lidhje me kredinë, argumenti i subjektit ishte se ajo ishte marrë me të vërtetë nga bashkëshortja, por ishte marrë për llogari të biznesit të vjerrit dhe ishte shlyer nga i vjerri.

Problemet më të mëdha të Kadanës gjithsesi lidhen me raportin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar. DSIK kishte raportuar fillimisht përshtatshmërinë e subjektit, ndërsa pas pyetjeve shtesë nga KPK kishte përgatitur një raport të dytë, ku konkluzioni ishte krejt e kundërta. Subjekti u mësua se ka një vëlla dhe shumë nipër të hetuar për krim të organizuar, trafik droge dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Komisioni vuri në dukje marrëdhëniet mes subjektit dhe të vëllait e familjes së të vëllait, si dhe faktit që djali i subjektit kishte jetuar për një periudhë në shtëpinë e të vëllait në Kamëz gjatë kohës që ishte student në Tiranë.

Lidhja kryesore problematike është me të vëllain Ramiz Kadana, dhe djalin e Ramizit, Shpëtim Kadana. Ky i fundit është arrestuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge dhe hetuar në Shqipëri për pastrim të produkteve të veprës penale me vlerë miliona euro. Komisioni dukshëm ngriti çështjen nëse kjo mund të konsiderohej si lidhje me elementë të krimit të organizuar apo ishte thjeshtë marrëdhënie familjare. Në dukje u vu fakti se gjyqtari kishte kaluar dy javë në Itali pasi nipi i tij Shpëtim Kadana u nda nga jeta. Gjyqtari, i cili kishte deklaruar në formularin e pastërtisë së figurës problemet e të vëllait dhe nipit me drejtësinë, deklaroi se marrëdhënia e tij ishte ngushtësisht familjare dhe se qëndrimi në Itali lidhej me fatkeqësinë e ndodhur. Sa i përket nipërve të tjerë të shumtë të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar, të cilëve komisioni iu referua si I.K. K.K dhe A.K, subjekti i rivlerësimit deklaroi se nuk kishte dijeni për aktivitetet e tyre dhe as nuk kishte hyrje-dalje familjare.

Në drejtim të etikës profesionale, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vërejti se subjekti kishte pasur një shkëmbim me 19 mesazhe telefonike me një person të quajtur F.L, në të cilat, gjyqtari mësohet se ka përdorur “fjalë të zhargonit të rëndomtë”, teksti i të cilave sugjeronte “kërcënim” dhe “ndikim të paligjshëm”. Siç shpjegoi Kadana, mosmarrëveshja kishte lindur kur në prokurorinë e Pukës ishte liruar një vend pune sekretare/ekonomiste. Kishte pasur tre kandidatë, mes të cilëve, bashkëshortja e gjyqtarit. Në raportin e parë nga Prokuroria e Pukës për Prokurorinë e Përgjithshme, dy kandidatë ishin kualifikuar, mes të cilëve nuk ishte bashkëshortja e gjyqtarit. Pas kësaj, njëra prej kandidateve kishte pasur shkëmbimet e mesazheve me Kadanën, në të cilat, Kadana përshkruhet se i thotë personit F.L do ta shohësh ti se kush jam unë dhe do të ndërhyj në Prokurorinë e Përgjithshme. Në aktin final, drejtuesi i Prokurorisë Pukë i dërgon tre emra Prokurorisë së Përgjithshme por vetën dosjen me dokumente të bashkëshortes së gjyqtarit, e cila fitoi vendin e punës. Kadana pranoi vërtetësinë e mesazheve telefonike por mohoi të ketë ndërhyrë në Prokurorinë e Përgjithshme për punësimin e të shoqes. Ai e përshkroi shkëmbimin e mesazheve si një gjaknxehtësi për të cilën kërkonte ndjesë dhe kishte marrë vërejtje nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Një përfaqësues i Misionit Ndërkombëtar i Monitorimit, Theo Jacobs, i pranishëm në seancë, nuk pati të njëjtin mendim. Gjatë pjesës së pyetjeve dhe përgjigjeve, Jacobs ndërhyri duke thënë: “Nuk kam pyetje për këtë çështje, por një koment. Nuk po merrem me detajet e pasurisë, por me rastin e punësimit. Në të gjithë karrierën time nuk kam parë kurrë një rast kaq blatant të abuzimit me pushtetin.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *