Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të shkarkojë nga detyra prokuroren Daniela Sulaj, e komanduar si inspektore pranë Inspektoriatit të Lartë të Dejtësisë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të martën vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurores Daniela Sulaj, e komanduar si inspektore pranë Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, ILD. Trupi gjykues që vendosi shkarkimin e prokurores Sulaj kryesohej nga Roland Ilia, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Etleda Çiftjan.
Gjatë seancës dëgjimore më 23 korrik, Komisioni evidentoi mospërputhje të deklarimeve të subjektit me faktet e konstatuara gjatë hetimit administrativ, mungesë financiare në një vit si dhe e konsideroi “mungesë etike” ndërtimin e një shtëpie pa leje. Sulaj i kundërshtoi gjetjet në kriterin e pasurisë dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.
Në seancë, Sulaj u pyet gjithashtu për pushimin e hetimeve në dy çështje, për të cilat dha shpjegime.
Daniela Sulaj e ka filluar karrierën në vitin 2004 si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë dhe prej vitit 2008 është e emëruar në Prokurorinë e Tiranës.