Kreu i Gjykatës Administrative të Korçës kalon vetingun
Lajme

Kreu i Gjykatës Administrative të Korçës kalon vetingun

Gjyqtari Sokol Ibi u konfirmua në detyrë pas hetimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për të tre kriteret e rivlerësimit.

Gjyqtari Sokol Ibi pas seancës dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Foto: E.Hoxhaj.

Kryetari i Gjykatës Administrative të Korçës, Sokol Ibi u konfirmua në detyrë të premten, pas hetimit administrativ për të tre kriteret e rivlerësimit. Vendimi u shpall nga kryesuesi i trupës së KPK-së, Olsi Komici.

Sokol Ibi ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2007 dhe pas disa vitesh pune si gjyqtar në Pogradec, ai u dekretua gjyqtar në Gjykatën Administrative të Korçës në vitin 2013. Ibi e drejton këtë gjykatë prej vitit 2015.

Gjatë seancës dëgjimore, relatorja e çështjes, Xhensila Pine evidentoi hetimin e kryer për një sipërfaqe trualli dhe një shtëpi të zotëruar nga gjyqtari në fshatin Çërravë të Pogradecit, kursimet e tij bankare para se të emërohej gjyqtar si dhe të ardhurat nga bujqësia të krijuara deri në vitin 2006.

Gjyqtari Ibi mori një raport pozitiv nga DSIK për pastërtinë e figurës, ndërkohë që në seancën dëgjimore u ngritën probleme me afatet e shqyrtimit të disa çështjeve, për të cilat subjekti dha shpjegime.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *