Prokurori Zeqir Hoda arriti të shpjegojë të gjitha dyshimet e ngritura nga KPK
Lajme

Prokurori Zeqir Hoda arriti të shpjegojë të gjitha dyshimet e ngritura nga KPK

Vendimi i plotë për prokurorin e Tiranës Zeqir Hoda tregon se KPK ngriti një numër të lartë dyshimesh për transaksionet e tij financiare, për huamarrje të ndryshme për blerjen e dy pronave si dhe për përdorimin e makinës së një personi të hetuar prej Hodës, por për të gjitha dyshimet, Hoda arriti ta bindë komisionin duke fituar konfirmimin në detyrë.

Prokurori Zeqir Hoda pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Dy shtëpi dhe një makinë, disa makina të dyshuara se i përkasin prokurorit por janë formalisht nën pronësinë e të tjerëve. Një numër i konsiderueshëm udhëtimesh jashtë vendit, një pasuri me vlerë rreth 19 milionë lekë e krijuar në pjesën dërrmuese brenda një dekade me burim kursimet nga paga e prokurorit dhe bashkëshortes. Një huazim fuoristrade nga një person i njohur nga prokurori si i hetuar prej tij që ngriti pikëpyetje për shkelje të etikës profesionale.

Për të gjitha këto dyshime prokurori Zeqir Hoda arriti të japë shpjegime bindëse para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili vendosi konfirmimin e tij në detyrë, por vendosi gjithashtu të referojë për hetime të mëtejshme situatën e krijuar me përdorimin e automjetit të personit të njohur gjatë hetimit.

Vendimi final i KPK mbi konfirmimin në detyrë, i cili u publikua të hënën më 7 dhjetor, tregon se si Hoda arriti të shpjegojë të gjitha pikëpyetjet e ngritura.

Në lidhje me një apartament të blerë në vitin 2001 në Tiranë me vlerë 3.9 milionë lekë, ai deklaroi se e kishte paguar në masën 1 milionë lekë nga shitja e një apartamenti në Kukës, në masën 1.6 milionë lekë nga kursimet e akumuluara deri në atë vit, një milionë të tjera me kredi dhe 300 mijë lekë dhuratë nga i ati. Por pikëpyetje ngriti fakti që apartamenti në Tiranë u shlye disa ditë para shitjes së apartamentit në Kukës dhe para marrjes së kredisë, ndërsa ishte e dyshimtë nëse i ati, pensionist në një zonë rurale, ishte në gjendje të ndihmonte të birin për një shumë të tillë.

Prokurori arriti të bindë KPK-në e përbërë nga Pamela Qirko, Genta Tafa (Bungo) dhe Etleda Çiftja, se pagesën e apartamentit në Kukës e kishte marrë paradhënie nga blerësi, i cili ishte i njohur i tij, dhe se 7 mijë dollarë i kishte marrë hua nga dy miq para se të merrte kredinë në bankë për t’i kthyer pas disbursimit të kredisë. KPK pranoi të mirëqenë kursimin prej prokurorit dhe bashkëshortes të 1.6 milionë lekëve, nga 4.2 milionë lekë të ardhura kumulative nga paga nga viti 1987 deri në vitin 2001, me një normë kursimi të vazhdueshme prej afro 44% të të gjitha të ardhurave të familjes.

KPK argumentoi se i ati, pensioni i të cilit ishte 2,200 lekë në vitin 1994, nuk kishte mundësi financiare për të ndihmuar të birin në masën 300 mijë lekë, por pranoi argumentimin e prokurorit për të ardhura të babait nga blegtoria dhe nga ndihma e fëmijëve emigrantë.

Prokurori bleu një apartament 108 metra katroë me vlerë 75 mijë euro në vitin 2015, me burim të ardhurash 20 mijë euro të financuara nga kursimet në kesh të tij dhe bashkëshortes për vitet 2004-2014 dhe 50 mijë euro kredi bankare.

KPK pranoi argumentimin e gjyqtarit se nga të ardhurat e tij dhe të bashkëshortes nga paga në masën 23 milionë lekë për këtë periudhë, ai kishte qenë në gjendje të vinte 3 milionë lekë kursime pasi kishte shpenzuar 5.9 milionë lekë për të jetuar, 3.9 milionë lekë për udhëtime jashtë vendit dhe 3.9 milionë lekë për të ndihmuar në arsimimin e fëmijëve.

Analiza financiare sugjeroi se për dy vite, 2005 dhe 2007, familja e prokurorit kishte më shumë shpenzime se sa të ardhura, por sipas KPK-së, kjo nuk përbën arsye të mjaftueshme për shkarkim nga detyra.

Problemi më i madh i prokurorit Hoda lidhej me përdorimin prej tij të makinave të ndryshme, të cilat janë nën emra të personave të afërt, por që kishte dyshime se i përkisnin atij. Edhe në këtë rast, KPK pranoi argumentimin e Hodës se dyshimet nuk ishin të bazuara.

Në një rast tjetër, prokurori është regjistruar duke udhëtuar me automjetin fuoristradë që i përket një personi me të cilin ishte njohur në mjediset e prokurorisë. Në vendim shkruhet:

“Subjekti rivlerësimit me anë të postës elektronike gjatë hetimit deklaroi se e ka njohur shtetasin Q.H., në Prokurori, pasi në vitin 2009 ka pasur në hetim një procedim penal, ku ky shtetas ishte person i kallëzuar. Gjithashtu, në vitin 2011 ka pasur në hetim një procedim penal, ku ky shtetas ishte i kallëzuar.”

Hetimet për këtë shtetas u mbyllën me vendim pushimi dhe afro një vit pas kësaj, prokurori mori hua makinën e tij për një udhëtim dyditor të karakterit familjar një fshat të thellë të Kukësit.

Në përfundim komisioni ia pranoi argumentimin për pasurinë, i konsideroi problemet tërësisht të shpjeguara nga subjekti dhe vendosi konfirmimin në detyrë, kushtin që problemi i mundëshëm etik në përdorimin e makinës së personit më herët të kallëzuar, të referohet për hetime të mëtejshme nga organi kompetent për inspektimin e shkeljeve të mundshme disiplinore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *