Gjyqtarja Semirramis Hoxholli, pas seancës në KPK. Foto:BIRN
Analiza KPK Vendi

Semiramis Hoxholli u shkarkua për mosdeklarimin e dënimit të vëllait për trafik droge

Pretendimet e gjyqtares Semiramis Hoxholli për padijeni për dënimin e vëllait në Greqi nuk janë konsideruar bindëse dhe në përputhje me provat prej Komisionit që vendosi shkarkimin e saj për mosdeklarim të kontaktit të papërshtatshëm.

Gjyqtarja Semirramis Hoxholli, pas seancës në KPK. Foto:BIRN

Gjyqtarja e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Semiramis Hoxholli u shkarkua nga detyra më 24 shtator, pasi u konstatua se nuk kishte deklaruar dënimin e vëllait të saj në Greqi për veprën penale “trafikim i lëndëve narkotike”, që u konsiderua si kontakt i papërshtatshëm.

Në kriterin profesional nuk janë gjetur probleme domethënëse, ndërkohë që u vendos mospenalizimi i këtij subjekti rivlerësimi për transferimin e një shume monetare të konsiderueshme në Kinë kur ajo ishte studente, për llogari të pedagogut të saj që ishte dhe biznesmen.

Procesi i rivlerësimit për gjyqtaren Hoxholli u krye nga trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK e kryesuar nga Etleda Çiftja, me relatore Alma Faskajn dhe anëtare Suela Zhegun.

Semiramis Hoxholli përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2016. Pas një periudhe si gjyqtare stazhiere në Gjykatën e Tiranës, ajo u emërua në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, ku e ushtroi funksionin deri në momentin e shkarkimit nga detyra.

Mosdeklarimi i dënimit të vëllait

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka konstatuar se Hoxholli e ka plotësuar saktë formularin e deklarimit të pastërtisë së figurës, si dhe nuk ka gjetur probleme në këtë kriter. Por, megjithëse DSIK ka konkluduar përshtatshmërinë e këtij subjekti për të vazhduar detyrën, KPK ka mësuar nga burime të paspecifikuara se vëllai i saj ka qenë i dënuar në shtetin grek për veprën penale “trafikim i lëndëve narkotike”.

Për të verifikuar informacionin, KPK ka kërkuar ndihmën e Ministrisë së Drejtësisë, Prokurorisë së Përgjithshme, Interpolit dhe Shërbimit Informativ Shtetëror. Paralelisht, KPK ka pyetur subjektin që është shprehur se është shtangur dhe shokuar nga ky informacion, pasi nuk kishte pasur dijeni të tillë. Ajo ka kërkuar kohë për të pyetur të vëllanë me argumentin se nuk jetojnë në të njëjtin qytet dhe në vijimësi ka informuar se informacioni është i saktë pasi i vëllai i ka treguar se ishtë dënuar në shtetin grek në vitin 2012 për veprën penale “trafikim i lëndëve narkotike”.

Ajo ka shpjeguar në në vitin 2014 vëllai është dënuar me vendim të formës së prerë me 4 vjet burg dhe se dënimi është konvertuar me gjobë prej 10 euro për çdo ditë burgim. Hoxholli ka shtuar se gjatë gjykimit është provuar se vëllai ka qenë përdorues i lëndëve narkotike, pavarësisht se hetimi ndaj tij ka filluar për trafikim.

“Sa më takon mua, në vitet kur ai e ka vuajtur këtë dënim penal, sigurisht që nuk kam ditur gjë. Kemi folur çdo fundjavë në telefon (zakonisht telefononte të shtunave, 15 vjet rresht), por në asnjë moment, nuk ma ka rrëfyer vuajtjen, varësinë e tij nga këto substanca, si dhe dënimin e tij”, ka deklaruar Hoxholli dhe ka sjellë në vëmendje faktin se kur i vëllai ka vuajtur dënimin ajo ishte studente e diplomuar dhe më vonë kandidate për magjistrate në Shkollën e Magjistraturës.

Hoxholli ka pretenduar se nuk ka kryer fshehje apo mosdeklarim pasi nuk kishte pse ta bënte një gjë të tillë përderisa nuk mund të quhet kontakt i papërshtatshëm një familjar. Ajo ka shtuar faktin se për 15 vjet nuk janë takuar por kanë pasur vetëm kontakte telefonike pasi ai jetonte në Greqi.

Pas kalimit të barrës së provës, Hoxholli sërish i ka qëndruar deklarimit se ajo dhe anëtarët e tjerë të familjes e kanë mësuar dënimin e vëllait kur janë informuar nga KPK. Duke pretenduar se nuk e ka fshehur këtë fakt ajo ka konsideruar se nuk është në kushtet e deklarimit të pasaktë apo të fshehjes së kontakteve me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

Ndërkohë, nga hetimi ka rezultuar se gjatë procesit gjyqësor vëllai i subjektit ka siguruar në Shqipëri dokumente noteriale. Hoxholli ka mohuar të ketë patur dijeni dhe është shprehur se për dokumentet mund ta kenë ndihmuar avokatët e tij në Greqi. Por, nga verifikimi i sistemit TIMS ka rezultuar se dy avokatët e pajtuar nga vëllai i subjektit nuk kanë udhëtuar asnjëherë drejt Shqipërisë gjatë periudhës që ai ishte në hetim apo gjykim.

Gjithashtu, Komisioni e ka pyetur subjektin nëse një vlerë 57 mijë euro që vëllai ka sjellë në vitin 2008 dhe është depozituar prej nënës së tyre në bankë, mund t’u kishte ngjallur dyshime – por Hoxholli e ka konsideruar si një shumë “modeste për një njeri që ka jetuar në Greqi për 15 vjet”. Ajo i ka mëshuar faktit se në atë periudhë ka qenë studente dhe veprimet për depozitimin e vlerave monetare janë kryer prej prindërve.

Po ashtu, Hoxholli është pyetur se si ishte e mundur që vëllai, pasi ishte kthyer nga Greqia dhe ishte i papunë, i kishte dhuruar asaj dhe nënës një automjet. Hoxholli ka pretenduar se nuk ishte dhuratë, por vetëm përdorim i një automjeti tip “Smart”.

Në vendimin e arsyetuar të KPK analizohen të gjitha pretendimet e ngritur nga subjekti. Lidhur me qëndrimin e Hoxhollit se vëllai nuk mund të konsiderohet kontakt i papërshtatshëm, trupi gjykues shprehet se bazuar në vendimet e gjykatave greke dhe në ligjin për vetingun e magjistratëve, vëllai i subjektit konsiderohet person i përfshirë në krimin e organizuar. Po ashtu, lidhja e ngushtë e gjyqtares me këtë person të përfshirë në krimin e organizuar është çmuar një fakt i mjaftueshëm për t’u konsideruar si kontakt i papërshtatshëm.

Për pretendimet e Hoxhollit se nuk ka deklarim të pamjaftueshëm dhe fshehje nga ana e saj të dënimit të vëllait, KPK vëren se në Kushtetutë pëcaktohet detyrimi i subjektit për të plotësuar saktë dhe me vërtetësi deklarimin. Sipas trupit gjykues, subjekti ka deklaruar aty se është e vetëdijshëme që mosplotësimi i saktë dhe me vërtetësi mund të passjellë shkarkimin nga detyra.

Në analizën përfundimtare për këtë gjetje Komisioni rendit disa fakte të rezultuara nga hetimi administrativ që konsiderohen të mjaftueshme për të konkluduar se Hoxholli ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e pastërtisë së figures, pasi ka fshehur faktin se vëllai ka qenë i dënuar për përfshirje në krimin e organizuar në shtetin grek.

Vlerat monetare të vëllait të përfituara nga prindërit, për të cilat nuk është provuar burimi i ligjshëm dhe janë krijuar pasuri; dhurimi de facto i makinës kur ai ishte i papunë; fakti se avokatët e vëllait nuk kanë ardhur në Shqipëri për të përpiluar dhe marrë dokumentet noteriale në funksion të procesit të tij penal në Greqi; si dhe kontaktet e vazhdueshme mes subjektit dhe vëllait pas kthimit të tij nga Greqia, janë konsideruar të mjaftueshme për krijimin e bindjes se Hoxholli ka pasur informacion mbi veprimtarinë e vëllait në Greqi.

“Kontaktet e subjektit me vëllain pas kthimit të tij nga Greqia kanë qenë të vazhdueshme, duke kuptuar që bëhet fjalë për një marrëdhënie të ngushtë familjare dhe, përtej kësaj, subjekti kishte të drejtën e përdorimit mbi automjetin në pronësi të vëllait, për të cilin në seancën dëgjimore pranoi që ishte dhurim de facto”, konstaton KPK dhe konkludon se Hoxholli duhet shkarkuar.

Transferta në Kinë

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se në mars të vitit 2010, Hoxholli ka transferuar 34 mijë USD në llogarinë bankare të një shtetasi kinez. Pas kryerjes së transfertës, subjekti e ka mbyllur llogarinë bankare me anë të së cilës ka kryer transfertën drejt Kinës.

E pyetur nga KPK lidhur me këtë transfertë, Hoxholli ka shpjeguar se në atë kohë ishte studente  dhe ka pretenduar se nuk mbart detyrimin për të justifikuar burimin e ligjshëm të shumës së transferuar.

Në vijim ajo ka sqaruar se transfertën e ka kryer për llogari të pedagogut të saj në Fakultetin e Drejtësisë, z.N.M.. Sipas subjektit, pedagogu N.M dhe bashkëshortja e tij i kanë shpjeguar se zotëronin një biznes familjar dhe importonin mallra të ndryshme nga Kina, por u duhej ndihma e saj pasi çdo shtetas shqiptar nuk mund të transferonte jashtë shtetit më shumë se 3.5 milion lekë në vit – pretendim që ka rezultuar i pavërtetë gjatë hetimit administrativ.

Nga sa analizohet në vendimin e arsyetuar, rezulton se bëhet fjalë për të njëjtën mënyrë transferimi parash që penalizoi edhe magjistratin Artor Ylli, i cili kishte transferuar disa vlera monetare drejt Kinës, po për llogari të N.M..

Nisur nga fakti se Yllin dhe Hoxhollin i bashkon fakti se kanë kryer transferta në vitin 2010 në adresë të të njëjtit shtetas kinez dhe për llogari të pedagogut N.M., KPK ka çmuar të evidentojë elementët që i bashkojnë dhe ndajnë këto dy raste.

KPK konkludon se të dy këto subjekte i kanë kryer transfertat e shumave monetare pa kundërshpërblim, bazuar në raporte mirëbesimi, por pa shpjeguar bindshëm burimin e ligjshëm të tyre.

Ndërkohë, Ylli ka qenë asistent avokat i N.M. dhe ka kryer disa transferta për periudhën 2010- 2015, ndërsa Hoxholli ka qenë student dhe ka kryer vetëm një transfertë duke mbyllur pas disa ditësh llogarinë bankare të përdorur për këtë transaksion.

Duke pasur në konsideratë faktin se subjekti ka qenë studente në nivel master dhe kishte kryer një transfertë të vetme, trupi gjykues çmon se kjo gjetje nuk mund të jetë penalizuesue pasi nuk mund të sjellë cënimin e besimit të publikut tek institucionet e sistemit të drejtësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *