Shtyhet vetingu për gjyqtarin e Krimeve të Rënda, Luan Hasneziri

Lajme
Gjyqtari Luan Hasneziri, i cili kandidon edhe për Gjykatën Kushtetuese kundërshtoi mbylljen e hetimit vetëm për dy kritere dhe kërkoi përjashtimin e trupës gjykuese me pretendimin për njëanshmëri. Kërkesa do të shqyrtohet nga një trupë tjetër.

Gjyqtari Luan Hasneziri pas seances ne Komisionin e Pavarur te Kualifikimit. Foto: Edmond Hoxhaj

Vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për mbylljen e hetimit administrativ vetëm për dy kritere u kundërshtua nga gjyqtari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Luan Hasneziri të hënën, i cili kërkoi që në fillim të seancës gjyqësore përjashtimin e trupit gjykues.

Kërkesa e gjyqtarit Hasneziri, i cili kandidon edhe për një post në Gjykatën Kushtetuese erdhi pasi kryesuesja e trupës, Suela Zhegu deklaroi se procesi i vetingut për subjektin ishte mbyllur vetëm për kriterin e pasurisë dhe atë të pastërtisë së figurës.

Gjyqtari Hasneziri pretendoi se çështja e tij është e paragjykuar, duke kontestuar veçanërisht hetimin për pastërtinë e figurës.

“Më është mbyllur hetimi vetëm për dy kritere. Për figurën është mbyllur pa kryer KPK ndonjë verifikim, që e konsideroj në kundërshtim me Kushtetutën dhe konventën europiane të të drejtave të njeriut,” tha Hasneziri në seancë.

“Trupi gjykues ka njëanshmëri në hetimin tim,” pretendoi ai.

Luan Hasneziri e ka filluar karrierën në sistemin shqiptar të drejtësisë në vitin 1999 si gjyqtar i Gjykatës së Vlorës. Ai është emëruar gjyqtar i Krimeve të Rënda në vitin 2005, ndërkohë që vazhdon të mbajë këtë pozicion prej gati 15 vitesh. Hasneziri është gjithashtu një nga kandidatët në garë për Gjykatën Kushtetuese.

Procesi i vetingut për gjyqtarin Luan Hasneziri po kryhet nga trupa e drejtuar nga Suela Zhegu, me relatore Alma Faskaj dhe anëtar Lulzim Hamitaj. I pranishëm në sallë ishte edhe vëzhguesi i ONM-së, Theo Jacobs.

Kërkesa e Hasnezirit për përjashtimin e trupës gjykuese e detyroi treshen e kryesuar nga Zhegu që të tërhiqej për 10 minuta për ta shqyrtuar atë. Pas kthimit në sallë, trupa gjykuese deklaroi se kërkesa e gjyqtarit do të shqyrtohej nga një trupë tjetër gjykuese dhe shtyu seancën deri në marrjen e një vendimi.