Gjyqtarja Enkeleida Hoxha e shoqeruar nga policia në KPA.
KPA Lajme Vendi

KPA i kërkon KLGJ-së të dorëzojë dosjen e procedimit disiplinor për Enkeleida Hoxhën

Gjyqtarja e shkarkuar për lirimin e të dënuarve për krime të rënda pretendoi se Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk e kishte njohur me asnjë akt të procedimit disiplinor në ndërmarrë prej saj, por se i kishte dhënë vetëm vendimin përfundimtar për largimin nga detyra.

Gjyqtarja Enkeleida Hoxha e shoqeruar nga policia në KPA | Foto : Edmond Hoxhaj

Gjyqtarja e shkarkuar e Krujës, Enkeleida Hoxha u paraqit të mërkurën në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA në seancën publike për shqyrtimin e kërkesës së saj kundër vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ që e largoi nga detyra pas arrestimit të saj në fillim të këtij viti si pjesë e një grupi kriminal. E shoqëruar nga punonjës policie dhe gjatë seancës, ajo kërkoi që të mbrohej nga avokati i zgjedhur prej saj, Ardian Visha i cili nuk ishte  i pranishëm.

Kryesyesja e Kolegjit, Albana Shtylla sqaroi se avokati Visha kishte dorëzuar një kërkesë për shtyrje të seancës për arsye shqndetësore, duke pretenduar se ishte infektuar nga COVID-19 dhe kishte bashkëngjitur dokumente për kryerjen e një testi të shpejtë. Hoxha deklaroi se nuk ishte njoftuar nga avokati për këtë kërkesë, megjithatë ajo u shpreh dakord për shtyrjen e seancës duke këmbëngulur që mbrojtja të kryhet nga përfaqësuesi ligjor.

Enkeleida Hoxha gjendet në paraburgim prej 11 shkurtit, kur u arrestua bashkë me 11 persona të tjerë si pjesë të një strukture kriminale që synonte të lironte disa të dënuar që e vuajnë dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Fushë-Krujë, kundrejt përfitimeve monetare.

Më parë Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani kishte filluar hetim disiplinor ndaj Hoxhës për shkak të lirimit të dy të dënuarve për krime të rënda. Pas arrestimit të saj për përfshirjen në lirimin e të dënuarve të tjerë, KLGJ vendosi më 17 mars që ta largojë nga detyra Enkeleida Hoxhën.

Në seancën e të mërkurës, gjyqtarja Hoxha pretendoi se nuk ishte njohur me asnjë prej akteve të procedimit disiplinor të ndërmarrë prej saj. Ajo sqaroi se i ishte njoftuar vetëm vendimi i shkarkimit nga detyra.

Përfaqësuesi i KLGJ, Qemal Zaimi shpjegoi se subjekti kishte marrë pjesë në seancat e zhvilluara për procesin e saj disiplinor dhe se kishte marrë aty dijeni për aktet.

Megjithatë, Kolegji vendosi që t’i kërkojë KLGJ-së që të vendosi në dispozicion gjithë aktet që disponohen për këtë çështje brenda datës 29 dhjetor. Shtylla përcaktoi që sapo të mbërrijnë aktet, tu përcillen subjektit dhe avokatit. Gjithashtu u vendos që të thirret si palë në proces dhe institucioni i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Në përfundim, KPA pranoi kërkesën e Hoxhës për shtyrje dhe caktoi që seanca e radhës të zhvillohet më 20 janar 2022.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *