Gjqtarja Tereza Merkaj në KPK | Foto : Edmon Hoxhaj
Artikull kryesor Lajme KPK Lajme Vendi

KPK riçel hetimin për gjyqtaren Tereza Merkaj dhe e konfirmon në detyrë

Komisioni njoftoi se kishte riçelur hetimin administrativ mbi dy transaksione bankare të kryera nga gjyqtarja e Tereza Merkaj kur ishte studente dhe pas shpjegimeve të saj e konfirmoi në detyrë.

Gjqtarja Tereza Merkaj në KPK | Foto : Edmond Hoxhaj

Kur pritej që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK të shpallte vendimin për gjyqtaren e Tiranës, Tereza Merkaj të mëkrurën, u njoftua se ishte vendosur riçelja e hetimit për dy transaksione bankare të kryera prej saj në vitin 2002 kur ndiqte Shkollën e Magjistraturës.

Kryesuesja trupës se KPK, Pamela Qirko sqaroi se ishte vendosur që të kryhej hetim i plotë dhe shterues dhe për këto dy transaksione dhe i kërkoi Merkajt që të jepte shpjegime për rrethanat e kryerjes së këtyre transaksioneve.

Gjyqtarja Merkaj deklaroi në seancën e të mërkurës së transaksionet ishin kryer për të mundësuar marrjen e një vize nga Ambasada Greke, pasi do të shkonte të vizitonte xhaxhanë. Merkaj prezantoi në fillim  rrethanat e fëmijërisë së saj, duke shpjeguar se babai kishte nderruar jetë për arsye shëndetësore kur ajo ishte shumë e vogël dhe se ishte rritur nga gjyshërit dhe nga xhaxhallarët prej moshës 10-vjeçare.

Subjekti deklaroi se këto shpjegime i dha për të argumentuar lidhjen e fortë që kishte pasur me xhaxhallarët, sidomos me një prej tyre që ishte kujdesur më shumë, i cili kishte ndërruar jetë në vitin 2019.

Sipas Merkajt, xhaxhai jetonte në Greqi dhe në atë periudhë dhe ai kishte pasur probleme shëndetësore nga zemra si i ati dhe i kishte kërkuar të shkonte në Athinë. Subjekti deklaroi se ishte dhe dëshira e saj për ta takuar xhaxhanë që e kishte rritur, por për sigurimin e vizës nevojitej garanci financiare.

Merkaj pretendoi se njerku i cili ushtronte aktivitet tregtar prej vitit 1998 në Elbasan kishte pasur mundësi me burime të ligjshme dhe i kishte huazuar fillimisht vlerën 10 mijë USD që ishte konsideruar e pamjaftueshme. Sipas subjektit, për këtë arsye kishte marrë hua edhe 9700 euro po nga nëna dhe njerku dhe kishte mbyllur si garanci shumën 19 mijë euro.

Ajo deklaroi se kur ishte pajisur me vizë kishte tërhequr 8000 euro të cilat ja kishte kthyer huadhënësve. “Kam siguruar dhe dorëzuar dokumete se një ditë pasi kam tërhequr vlerën 8000 euro, nëna dhe bashkëshorti i saj kanë porositur aprtamentin që zotërojnë dhe aktualisht dhe kanë paguar po shumën 8000 euro qe u kisha kthyer”, argumentoi Merkaj.

Ajo tha se ishte e hapur edhe për hetimin e fëmijërisë së saj, por solli në vëmendje dhe faktin se këto transaksione ishin kryer kur ajo ishte ende studente dhe se kishte arritur të vërtetonte rrethanat e këtyre gjetjeve.

Pasi trupa e KPK u tërhoq, shpalli mesditën e të mërkurës vendimin për konfirmimin në detyrë të gjyqtares së Tiranës, Tereza Merkaj.

Gjatë seancës dëgjimore të hënën më 13 dhjetor Merkaj u pyet dhe dha shpjegime për një hua të marrë nga një i panjohur në funksion të një kredie për një apartament, për të cilën ajo deklaroi se dërmjetëse kishte qenë vetë banka që e kishte huadhënësin klient.

Gjithashtu ajo u pyet për disa çështje të denoncuara mga publiku, ndërkohë që u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës.

Procesi i vetingut për gjyqtaren Merkaj u kryhe nga trupa e KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtar Roland Ilian.

Tereza Merkaj përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2003 dhe kreu stazhin për një vit në Gjykatën e Durrësit. Në vitin 2004 u emërua në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe në 2013-ën u transferua në Gjykatën e Tiranës, në fushën e drejtësisë për të mitur.

Prej vitit 2019 ajo është komanduar si pedagoge e brendshme pranë Shkollës së Magjistraturës, me afat 5-vjeçar. Relatorja Bekteshi sqaroi në fillim të seancës se procesi i rivlerësimit për gjyqtaren Merkaj është kryer me përparësi për shkak të aplikimit të saj për një pozicion në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *