Prokurori Ols Dado pas seancës dëgjimore me KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Veting

Prokurori Ols Dado përballet pa telashe me vetingun

Prokurori Ols Dado i Prokurorisë së Tiranës u përball pa telashe me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK të martën më 1 nëntor, kur gjatë seancës dëgjimore nuk u relatuan gjetje për të cilat i ishte kaluar barrë prove në asnjë prej kritereve të rivlerësimit. Dado falënderoi Komisionin, duke e cilësuar hetimin të thelluar dhe objektiv dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Procesi i rivlerësimit për prokurorin Dado po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtar Lulzim Hamitajn. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Maria Tuma.

Ols Dado ka punuar në sektorin privat dhe si noter, përpara se të emërohej prokuror në Prokurorinë e Pogradecit në vitin 2008. Në vitin 2010 ai u transferua në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndërsa prej vitit 2020 është komanduar në Prokurorinë e Përgjishme si ndihmësmagjistrat.

Komisioni nuk ka gjetur probleme për një apartament 2+1 në Tiranë, të porositur në vitin 2004 para fillimit të detyrës, pasuri për të cilën ka paguar shmën 74 mijë e 110 euro; për blerjen e një automjeti në vitin 2008 për çmimin 14 mijë e 700 euro; si dhe për disa depozita që janë çelur po para fillimit të detyrës dhe janë shtuar në vitet në vijim.

Për këto pasuri, subjekti ka deklaruar si burim të ardhurat e tij nga pagat dhe nga aktiviteti privat si noter, të ardhurat e ish-bashkëshortes dhe të prindërve të tij, si dhe nga shitja e një apartamenti ku Dado gëzonte ¼ pjesë takuese – të gjitha burime të krijuara përpara fillimit të detyrës.

Relatorja Bungo sqaroi se nga analiza financiare e këtyre burimeve është konstatuar vetëm një pamundësi në shumën 50 mijë lekë, pasi nuk është konsideruar mundësia e kursimit të subjektit deri në momentin e lidhjes së martesës.

Sipas KPK, Dado ka kryer deklarime të sakta për një shumë 7000 euro të dhuruar nga nëna, e cila ka pasur si burim të ardhurat e përfituara nga shitja e një trualli të trashëguar nga prindërit e saj. Po ashtu, nuk janë gjetur probleme për një turall + objekt të ndërtuar në vitin 1922 në Tiranë, ku subjekti zotëron ¼ pjesë takuese. Edhe kjo pasuri i është dhuruar nga e ëma, e cila edhe në këtë rast e ka përfituar me trashëgimi ligjore.

Nga hetimi ka rezultuar se është lidhur një kontratë sipërmarrje për zhvillimin e këtij trualli, por që është revokuar në vitin 2017. Bungo pohoi se subjekti ka shpjeguar se në vijim është lidhur kontratë tjetër për zhvillimin e kësaj prone, Sipas relatores, nga verifikimet nuk janë ngritur dyshime.

KPK nuk ka gjetur probleme as në krijimin e një depozite në emër të djalit të subjektit të rivlerësimit.

Relatorja Bungo vërejti se pas fillimit të detyrës, prokurori Dado nuk ka kryer blerje apo shitje të ndonjë pasurie.

Prokurori Dado u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, si dhe nuk u evidentuan gjetje në kriterin profesional. Bungo nuk relatoi probleme për disa kallëzime të kryera ndaj subjektit për të cilat është vendosur mosfillim hetimi, si dhe në dy denoncimet e kryera nga publiku në KPK.

Në përfundim të seancës, prokurori Ols Dado falënderoi Komisionin për hetimin administrativ të kryer ndaj tij dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 3 nëntor, në orën 09:50.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *