Foto arkive - seancë gjyqësore në KPA.
Analiza KPA

Sipas KPA, prokurori Urim Buci kreu deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë

Prokurori i Dibrës, Urim Buci u konfirmua me shumicë votash më 27 prill 2023, por vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, u ankimua në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit mbi bazën e një rekomandimi të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Komisionerja Publike, Irena Nino ngriti shkaqe ankimi për pasurinë dhe për gjendjen e dyshuar të konfliktit të interesit, të cilat ajo i parashtroi edhe gjatë shqyrtimit në Kolegj duke kërkuar shkarkimin nga detyra të Bucit për deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë.

 

Prokurori Buci i cilësoi të pabazuara pretendimet e Komisioneres dhe këmbënguli se kishte vërtetuar ligjshmërinë e burimeve në pasurinë e tij. Po ashtu, ai solli në vëmendje të trupit gjykues të KPA-së edhe faktin se pasuritë që ai zotëron janë krijuar para fillimit të detyrës.

 

Vlerësimi i ankimit

Buci ka shënuar në deklaratën “veting” si burime krijimi për blerjen e një toke dhe ndërtimin e një godine banimi tre kate + papafingo në Kamëz të Tiranës, të ardhurat e tij nga emigracioni në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe të ardhurat e vëllait po nga emigracioni.

Subjekti i rivlerësimit ka deklaruar se të ardhurat e tij nga emigracioni të përfituara në shtetin anglez nga muaji nëntor 2000 – maj 2004 kanë qenë rreth 60 mijë GBP. Gjatë hetimit administrativ në Komision dhe gjykimit në Kolegj, ai ka pretenduar se gjatë viteve 2000-2004 ka qenë emigrant në Angli në mënyrë informale, pa leje qëndrimi e pune dhe për rrjedhojë ka qenë në pamundësi objektive për deklarimin e këtyre të ardhurave si individ në atë shtet për kryerjen e pagesës së detyrimeve tatimore përkatëse. Sipas subjektit, fakti që ai ka qenë në emigracion rezulton të jetë deklaruar prej tij edhe në formularin e dekriminalizimit.

Subjekti ka shpjeguar gjatë hetimit administrativ se kursimet i ka dërguar pjesë-pjesë nëpërmjet Western Union, si dhe nëpërmjet shokëve që ishin me dokumente të rregullta – shuma që i janë dorëzuar nënës pasi në atë kohë babai dhe vëllai kishin probleme shëndetësore. Ai ka dorëzuar si provë një përgjigje të Western Unionit Financiar Tiranë, ku sqarohet se të dhënat personale të klientëve mbaheshin deri në pesë vjet.

Buci ka deklaruar se ka bërë përpjekje maksimale për kërkimin e provave mbi ekzistencën e vlerave monetare të disponuara prej tij në atë periudhë, por për shkak të kohës së gjatë ka qenë e pamundur për të siguruar dokumentacionin që justifikon ligjshmërinë e krijimit të pasurisë. Megjithatë, ai ka këmbëngulur se këto të ardhura janë investuar në ndërtimin e shtëpisë.

Lidhur me kostatimin e mosdeklarimit të këtyre të ardhurave si gjendje cash, Buci ka shpjeguar se në vitin 2008 kur kishte marrë lejen e ndërtimit, nëna kishte ruajtur një pjesë të këtyre parave pa i treguar në parë dhe ia kishte dhënë për të ndërtuar shtëpinë. Sipas tij, kjo është dhe arsyeja që këto para nuk janë deklaruar si gjendje cash, pasi nuk disponoheshin prej tij, por prej nënës në ekonominë familjare.

Në vendimin e Komisionit, lidhur me burimin e krijimit të pasurisë, është analizuar dhe konkluduar se duket se subjekti për periudhën para fillimit të detyrës ka rezultuar me pamundësi financiare me vlerë prej 6.4 milionë lekësh dhe për periudhën nëntor 2015 – 2016, pasi është emëruar si prokuror me një vlerë negative prej 745 mijë lekësh. Kjo balancë negative e pranuar prej Komisionit është vlerësuar prej tij si proporcionale dhe është konkluduar se Buci ka arritur nivel të besueshëm për kriterin e vlerësimit të pasurisë.

Këtë konkluzion, KPK e ka argumentuar me faktin se pamundësia vjen për shkak të mospërfshirjes në analizën financiare të të ardhurave nga emigracioni para detyrës, të cilat kanë qenë burim krijimi për ndërtimin e objektit.

Ndërsa Komisionerja Publike, Irena Nino pretendoi se subjekti ka kryer deklarime kontradiktore lidhur me këto pasuri, si në deklaratën “veting” e në ato periodike, ashtu dhe në përgjigjet e dhëna prej tij gjatë procesit administrativ. Sipas Komisioneres, deklarimet kontradiktore lidhur me vlerën e investuar për këtë pasuri dhe burimet e përdorura për krijimin e saj, çojnë në pamundësi të kontrollit dhe verifikimit të saktë të kohës, vlerës dhe burimit të krijimit.

Kolegji konstaton se nga leximi i përgjigjeve të subjektit përgjatë hetimit administrativ, rezulton se ai ka dhënë përgjigje të paplota dhe jo shteruese, duke shtuar elementë dhe fakte të reja në secilin prej pyetësorëve në varësi të çështjeve të ngritura prej Komisionit, duke krijuar në fund të këtij procesi një tablo të paqartë, të pashpjeguar dhe me të dhëna kontradiktore, të cilat i vendosin organet e rivlerësimit në pamundësi për të konkluduar me siguri për kohën e krijimit, vlerën e investimit e burimet e krijimit të kësaj pasurie.

Buci gjatë gjykimit të çështjes në Kolegj, prapësoi pretendimet e Komisioneres Publike duke parashtruar se në kushtet kur objekt kontrolli për procesin e rivlerësimit kalimtar është deklarata ‘veting’, ai duhet konsideruar se ka deklaruar në mënyrë të saktë në këtë deklaratë kohën, mënyrën e krijimit dhe vlerën totale të investuar. Subjekti ka theksuar se në deklaratën “veting” ka shënuar se investimi është kryer me të ardhurat e tij nga emigracioni dhe se kati tretë është investuar nga z. G. D.. Po ashtu, ka shtuar se për blerjen e tokës ku është ndërtuar objekti kanë shërbyer të ardhurat e vëllait nga emigracionit.

Ashtu si Nino, edhe KPA konstaton deklarime kontradiktore të Bucit për vlerën e godinës. Kolegji vëren se subjekti në deklaratën “veting” ka shënuar për herë të parë se vlera e kësaj pasurie është rreth 6.9 milionë lekë dhe se pjesa takuese e tij ëstë 100%, ndërsa përgjatë hetimit administrativ ka pretenduar se ai zotëron vetëm vlerën korresponduese të dy kateve të investuara prej tij që kapin shumën prej rreth 3.5 milionë lekësh, ndërsa pjesa tjetër i takon vlerës së objektit që është investuar prej kunatit të tij, shtetasit G.D..

“Përgjatë hetimit administrativ, subjekti ka modifikuar edhe shpjegimet përreth fazave të ndërtimit të objektit dhe investimit të tij në raport me kunatin, z. D., në secilën fazë ndërtimore”, vëren KPA dhe vlerëson se konstatohen kontradikta edhe për sa i përket kohës së ndërtimit të kësaj pasurie, e cila fillimisht deklarohet si e përfunduar e më pas jo si e tillë, si dhe e përfshirjes së investimit të kunatit në ndërtimin e katit të tretë, pasi ishte ndërtuar si karabina prej subjektit.

KPA i ka dhënë të drejtë Komisioneres Nino për pretendimin e ngritur në ankim, se Buci ka bërë deklarime të ndryshme për burimet e financimit të përdorura për ndërtimin e këtij objekti. Vlerësohet se burimet e financimit të përmendura prej subjektit përgjatë hetimit administrativ, në rrethanat e vështirësisë për të provuar burimet e krijimit të deklaruar për këtë pasuri në deklaratën “veting”, por edhe atë para fillimit të detyrës, si “prej emigracionit”, nuk arrijnë nivel besueshmërie. Kolegji i gjen ato si nevojë e përmbysjes së rezultatit të mundshëm negativ dhe jo një deklarim i vullnetshëm dhe që i përgjigjet të vërtetës.

Në vijim konstatohet se në rubrikën e të ardhurave në deklaratën “veting”, nuk janë shënuar të ardhurat e siguruara nga punësimi i subjektit në Mbretërinë e Bashkuar. Ky element vlerësohet se përforcon konsideratën se përcaktimi i shumës 60 mijë GBP me burim nga punësimi i subjektit në Mbretërinë e Bashkuar është deklaruar vetëm në funksion të mbulimit të kostove të ndërtimit të objektit.

Bazuar në këto rezultate nga Kolegji arrihet në konkluzionin se Buci, në kundërshtim me detyrimin kushtetues të nenit D të Aneksit të Kushtetutës dhe legjislacionin e vetingut të magjistratëve, ka kryer deklarime të pasakta e të paplota, si dhe ka mbajtur qëndrime kontradiktore për të dhënat e deklaruara rreth këtyre pasurive, duke e bërë të pamundur kontrollin e plotë lidhur me to.

Po ashtu, Kolegji ndan të njëjtin qëndrim me Ninon përsa i përket pretendimit të saj, se Buci nuk provoi të ardhurat e pretenduara nga emgracioni. Sipas KPA, subjekti nuk i provoi jo vetëm në drejtim të ligjshmërisë, por edhe të vetë ekzistencës së tyre, për shkak edhe të deklarimeve të tij të paplota e të pasakta, duke u gjendur në çdo rast në mungesë të burimeve të ligjshme për të blerë tokën dhe godinën në pronësi të tij.

Kolegji i ka dhënë të drejtë Ninos edhe për pretendimin se konkluzioni i KPK për zbatimin e parimit të proporcionalitetit është i gabuar.

Kolegji sjellë në vëmendje, se megjithëse subjekti nuk ka ushtruar funksionin e prokurorit, kur është kryer investimi, ai ka qenë pjesë aktive e strukturës së prokurorisë, në cilësinë e oficerit të Policisë Gjyqësore.

Trupi gjykues vlerëson se deklarimet kontradiktore lidhur me vlerën dhe burimet e krijimit të pasurisë apo edhe me të ardhurat e krijuara në emigracion, shpjegimet e dhëna përgjatë procesit të hetimit administrativ jo në funksion të pasqyrimit me vërtetësi të rrethanave faktike, por edhe modifikimit të tyre në funksion të zvogëlimit të balancave negative dhe shmangies së konkluzioneve që mund të ngarkonin me përgjegjësi, të para në harmoni me situatën financiare që rezulton me pamundësi në shumën rreth 7.9 milionë lekë për të dy pasuritë, nuk lejon thirrjen për zbatim e parimeve të objektivitetit dhe proporcionalitetit.

Sipas KPA, qëndron dhe shkaku tjetër i Komisioneres Publike, se subjekti ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit nga përfitimi të ardhurave nga fondet publike, pasi ka dhënë me qira objektin për Bashkinë Kamëz. Megjithatë, ky konstatim nuk është gjetur me peshë përcaktuese në marrjen e vendimit.

Njëlloj është arsyetuar dhe për dy denoncime nga publiku, ku megjithëse Kolegji ka gjetur mangësi profesionale, i vlerëson ato të pamjaftueshme për penalizim.

Në përfundim, Kolegji ka çmuar se prokurori Urim Buci duhet shkarkuar për deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *