Skeda e pasurisë së deklaruar-Manjola Xhaxho-gjyqtare e Gjykatës së Tiranës

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Skeda
Manjola Xhaxho, gjyqtare e shkallës së parë dhe kandidate për Këshillin e Lartë Gjyqësor do të përballet të enjten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Deklaratat e saj në ILDKPKI tregojnë se ajo është ndër të pakëtat gjyqtare me zvogëlim pasurie.

Prej 16 vitesh gjyqtare në Gjykatën e Tiranës, Manjola Xhaxho është bërë pjesë e listës prioritare të vetingut për shkak të kandidimit të saj për një post në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Xhaxho do të përballet të enjten në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, që përfaqësohet në këtë proces nga Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari.

Manjola Xhaxho e ka filluar karrierën në gjyqësor në vitin 2002 si gjyqtare në Gjykatën e Tiranës, pozicion të cilin e mban edhe sot. Ajo ka ushtruar për tre vjet edhe detyrën e këshilltares ligjore në Gjykatë të Lartë.

Xhaxho ka mbaruar shkollën e Magjistraturës si dhe ka kryer studimet Master për të drejtat ndërkombëtare të njeriut në universitetin e Lundit në Suedi. Ajo ka kryer gjithashtu një sërë kualifikimesh profesionale si dhe është përfshirë në rolin e ekspertes në disa projekte mbi Kodin Penal dhe drejtësinë për të miturit.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Manjola Xhaxho-ndër të pakëtat gjyqtare që ka shënuar zvogëlim të pasurisë së saj nga viti 2003 deri në fund të vitit 2016. [Kliko këtu për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar për vitet 2003-2016 e gjyqtares së Gjykatës së Tiranës, Manjola Xhaxho.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administratimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriatin i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtarja Manjola Xhaxho zotëronte një pasuri me vlerë rreth 5.6 milionë lekë në vitin 2003.  Në fund të vitit 2016, pasuria e saj rezulton të jetë rreth 2.9 milionë lekë ose 1.9 herë më e ulët se viti fillestar i deklarimit.

Rrudhja e pasurisë së zonjës Xhaxho lidhet me një apartament të deklaruar prej saj si pronë në vitin 2003, të cilën ajo u aka falur prindërve. Apartamentin e blerë për 5 milionë lekë me burim të deklaruar “dërgesa monetare nga vëllai”, Xhaxho e ka rivlerësuar në vitin 2011 në 13.3 milionë lekë dhe më pas u aka falur prindërve me kontratë dhurimi.

Të ardhurat e gjyqtares Xhaxho vijnë kryesisht nga paga nga funksioni dhe mësimdhënia, të cilat përbëjnë së bashku rreth 78 për qind të të ardhurave. Përgjatë karrierës së saj, të ardhurat totale të zonjës Xhaxho kapin vlerën e 13.1 milionë lekëve.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin artimetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Në rastin e zonjës Xhaxho, 13 deklarata pasurie iu nënshtruan kontrollit aritmetik-logjik, nga të cilat njëra prej tyre rezultoi me probleme.

Gjyqtarja Xhaxho rezulton me një shumë të pambuluar prej rreth 96 mijë lekësh në vitin 2011.  Kjo diferencë negative lidhet edhe me faktin se Xhaxho nuk ka deklaruar të ardhura nga funksioni në të njëjtin vit.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo mbulohet me burime të ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë për vitin 2003  

Deklarata e pasurisë për vitin 2004

Deklarata e pasurisë për vitin 2005

Deklarata e pasurisë për vitin 2007 

Deklarata e pasurisë për vitin 2008

Deklarata e pasurisë për vitin 2009  

Deklarata e pasurisë për vitin 2010  

Deklarata e pasurisë për vitin 2011

Deklarata e pasurisë për vitin 2012  

Deklarata e pasurisë për vitin 2013  

Deklarata e pasurisë për vitin 2014

Deklarata e pasurisë për vitin 2015

Deklarata e pasurisë për vitin 2016