Vendimi i Kolegjit: Lapsuset e Luan Kaloçi-t ishin “lojë” për fshehjen e pasurisë

Kolegji i Posaçëm i Apelimit Lajme
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur të mbajë në fuqi vendimin e KPK-së për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Apelit Tiranë, Luan Kaloçi.

Prokurori i Apelit të Tiranës, Luan Kaloçi dhe avokati Ardian Visha përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto: Besar Likmeta.

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga gjyqtarët: Rezarta Schuetz si kryesuese, Natasha Mulaj, relatore  dhe Ardian Hajdari, Ina Rama dhe Luan Daci anëtarë, e ka gjetur të drejtë vendimin e Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për shkarkimin e prokurorit në Prokurorinë  Apelit Tiranë Luan Kaloçi, duke i cilësuar si të pabazuara pretendimet e mbrojtësit së tij Ardian Visha i cili në ankimin e tij është bazuar kryesisht në procedurat e ndjekura nga komisioni.

Interpretimi i legjislacionit dhe Kushtetutës nga ana e Vishës nuk i ka bindur anëtarët e trupës gjykuese të KPA-së, të cilët kanë dhënë edhe arsyetimin e tyre rast pas rasti.

Kaloçi ishte pjesë e listës prioritare të vetingut si njëri prej 19 kandidatëve për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.  Ai e ka ushtruar detyrën si prokuror Apeli në Tiranë që nga viti 2002.

Në ankimin e tij, prokurori Kaloçi kërkoi ndryshimin e vendimit të shkarkimit dhe konfirmimin e tij në detyrë me pretendimin se procesi kishte qenë i paragjykuar, në shkelje të Kushtetutës dhe si rezultat i mos bërjes së një analize të hollësishme të provave që iu nënshtruan shqyrtimit gjyqësor të çështjes, por këto pretendime janë rrëzuar nga kolegji.

Pretendimet dhe argumentet për procesin

Përfaqësuesi ligjor i prokurorit Kaloçi, Ardian Visha, shprehet në ankimin e tij se rivlerësimi i subjektit vetëm për kriterin e pasurisë është bërë në kundërshtim me ligjin 84/2016 dhe se është zhvilluar një proces i paragjykuar.

“Procesi i rivlerësimit duhet të përfshijë kontrollin e pasurisë, të figurës dhe të aftësive profesionale, kjo për efekt të një procesi të rregullt ligjor. Gjykimi me një kriter, siç është ai i pasurisë për subjektin Luan Kaloçi, tregon për një proces të paragjykuar që në fillim. Përfundimi i procesit vetëm për një kriter e paragjykon atë…”, citohet ndër të tjera në mbrojtjen e prokurorit Kaloçi.

Por, trupa gjykuese e KPA-së ka dalë në konkluzionin se provat që janë administruar në dosje, janë analizuar në mënyrë të tillë duke mos shkelur asnjë dispozitë e Aneksit të Kushtetutës. “Provat janë trajtuar në harmoni me njëra- tjetrën dhe komisioni ka dalë në konkluzion të drejtë” citohet në vendimin e KPA.

Lidhur me pretendimin e mbrojtësit ligjor të Kaloçit, se rivlerësimi duhej të ishte kryer në të tre kriteret, Kolegji i Posaçëm e Apelimit ka arsyetuar se Komisioni, ka vendosur të përfundojë procesin e rivlerësimit për prokurorin Kaloçi, vetëm për kriterin e vlerësimit të pasurisë dhe se gjithçka është kryer bazuar në legjislacionin përkatës.

“Në bazë të këtij parashikimi ligjor, komisioni ka filluar hetimin administrativ për të tria kriteret e vlerësimit. Gjatë këtij hetimi, komisioni pasi ka vlerësuar se ka hetuar në mënyrë të plotë kriterin e pasurisë, bazuar në provat e grumbulluara dhe vlerën e tyre provuese, ka arritur në përfundimin se vlerësimi i subjektit të rivlerësimit mund të bëhej edhe vetëm për këtë kriter, pa qenë nevoja e përfundimit të hetimit të plotë edhe të dy kritereve të tjera”, ka arsyetuar trupa gjykuese e KPA që ka shtuar më tej se: “përfundimi i procesit të rivlerësimit vetëm për një kriter nuk e paragjykon atë, pasi subjektit të rivlerësimit i është dhënë mundësia për të paraqitur argumentet e tij kundërshtuese gjatë fazës së hetimit administrativ, si dhe për t’u dëgjuar në mënyrë të drejtë edhe gjatë seancës dëgjimore publike”.

Më tej, avokati Visha ka argumentuar në ankimin e tij se KPK, duhet të verifikojë dhe të vlerësojë vetëm deklaratën e pasurisë “Vetting” 2017, për efekt të këtij procesi duke kërkuar kështu “amnisti” për klientin e tij lidhur me deklarimet e mëparshme të pasurisë.

“Nuk është kushtetuese që ai të mbajë përgjegjësi për deklarimet që ka bërë ndër vite. Për deklarimet ndër vite subjekti ka qenë objekt kontrolli ligjor nga ILDKPKI-ja. Pasaktësitë dhe parregullsitë në deklarimet e mëparshme janë trajtuar nga ligji i kohës. Për sa kohë që pasaktësitë e konstatuara në deklarimet e subjektit janë të pranuara nga ana e tij, ato nuk mund të konsiderohen si deklarim i rremë, pasi mungon dashja, lidhur me këto pasaktësi”, shkruhet në vendimin e KPA lidhur me pretendimet e mbrojtjes së prokurorit të Apelit Tiranë Luan Kaloçi.

Sipas Vishës, përderisa klienti i tij i ka pranuar pasaktësitë e konstatuara në deklarimet e tij, nuk mund të konsiderohen si deklarim i rremë, pasi mungon dashja apo qëllimi për ta bërë një gjë të tillë.

Edhe ky pretendim për shkelje të Kushtetutës është rrëzuar në arsyetimin e trupës gjykuese të KPA. Sipas kësaj të fundit, në kushtetutë është parashikuar se rivlerësimi nuk mund të bëhet pa bazë krahasimore mes deklarimeve periodike dhe deklarimit të pasurisë “veting” 2017.

“Ballafaqimi i deklarimeve periodike me atë të bërë për efekt “vetting” në vitin 2017 u jep mundësi institucioneve të rivlerësimit për të arritur në përfundimin nëse është bërë deklarim i saktë ose i pasaktë i pasurisë, është bërë ose jo fshehje e kësaj pasurie, nëse është i justifikuar burimi i të ardhurave dhe pasurisë së deklaruar etj. Për sa më sipër, nuk qëndron pretendimi i ankuesit”, citohet në vendimin e KPA -së.

Mospërputhjet dhe pasaktësitë e deklarimeve të subjektit, janë cilësuar në ankim si “lapsuse apo pakujdesi nga ana e subjektit”. Mbrojtësi ligjor i Kaloçit ka theksuar se bazuar në legjislacionin e mëparshëm për deklarimin dhe kontrollin e pasurive njiheshin pasaktësitë dhe lapsuset në deklarimet e pasurisë, madje deri në një vlerë prej 2 milionë lekësh në deklarimet periodike dhe 3 milionë lekësh në deklarimet për herë të parë.

Lidhur me këtë pretendim, trupi gjykues ka vlerësuar se në dispozitat ligjore u njihej e drejta subjekteve deklaruese që të ndreqnin gabimet apo lapsuset në deklarime, por se në rastin konkret prokurori Luan Kaloçi, në asnjë moment, nuk i ka ndrequr këto “gabime njerëzore” apo “lapsuse”, siç pretendon ai. Sipas trupës gjykuese, ai me dashje ka lejuar që ato të qëndrojnë të tilla në deklarimet e tij, duke sjellë pasojat përkatëse.

Në vendim thuhet se mospërputhjet e deklarimeve të subjektit në çmim dhe në sipërfaqe të apartamentit të banimit, trupi gjykues i çmon se kanë pasur qëllim që subjekti të fshehë pasuritë e deklaruara. “’Lapsus’, siç pretendon subjekti, nuk mund të quhen pasaktësitë e përsëritura në çdo pasuri të deklaruar në deklarimet e tij periodike dhe në deklaratën e pasurisë ‘veting’ 2017”, citohet në vendim.

Mbrojtësi i prokurorit Kaloçi ka shkuar më tej, duke pretenduar se KPK ka përdorur standarte të dyfishtë në shqyrtimin e çështjeve. “Komisioni nuk duhet të ketë standard të dyfishtë në shqyrtimin e çështjeve, siç është rasti i dy anëtarëve të Gjykatës së Lartë (çështja D. dhe çështja Z.), çështjet e të cilëve u shqyrtuan menjëherë pas subjektit të rivlerësimit, me të njëjtët komisionerë dhe me të njëjtat problematika mbi lapsuse kontraktuale, të cilët u ri konfirmuan në detyrë nga Komisioni”, ka këmbëngulur avokati Visha në ankimin e tij.

Trupa gjykuese e KPA është shprehur se Kolegji  si një nga institucionet e rivlerësimit shqyrton ankimet e subjekteve të rivlerësimit dhe Komisionerëve Publikë rast pas rasti, duke përdorur të njëjtin standard gjykimi, por pa dhënë një arsyetim krahasimor lidhur me rastet e pretenduara nga mbrojtësi prokurorit Kaloçi.

Mospërputhjet e deklarimeve dhe fshehja e pasurisë

Prokurori i Prokurorisë së Apelit në Tiranë, Luan Kaloçi u shkarkua nga KPK pasi në deklarimet periodike që ai kishte kryer për pasurinë dhe midis deklaratës “veting” ishin konstatuar mospërputhje dhe pasaktësi që sillnin për pasojë deklarime të rreme. Edhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit i ka vlerësuar si të drejta gjetjet e KPK-së, duke lënë në fuqi vendimin e marrë prej kësaj të fundit. Pasaktësitë dhe mospërputhjet në deklarimet e pasurisë së prokurorit Kaloçi janë vlerësuar si të qëllimshme nga KPA, për të fshehur pasuritë.

Kështu, për apartamentin prej 145 m2 në njësinë 10 në Tiranë, prokurori Kaloçi ka deklaruar fillimisht në vitin 2003 se është blerë nëpërmjet shitjes së një apartamenti në Elbasan për 4.8 milionë lekë. Në vitin 2005 ka ndryshuar deklarim dhe e ka justifikuar burimin me një kredi prej 55,000 eurosh, ndërsa në deklaratën “veting” ka pretenduar se e ka paguar për vetëm 52,000 USD. Ndërkohë, veç tre shumave të ndryshme të delaruara ndër vite, ka rezultuar se në aktin e shitblerjes së apartamentit me djalin e xhaxhait të tij është shënuar vlera 2.5 milionë lekë.

KPK dhe KPA kanë gjetur mospërputhje dhe deklarim të rremë dhe për blerjen e një dyqani prej 132 m2, ku në deklaratën “veting” deklarohet si burim shitja e apartamentit në Elbasan, ndërsa në deklaratën periodike të vitit 2003, të depozituar në ILDKPKI shkruhet se burim janë të ardhurat nga llotaritë sportive dhe një hua prej 1.5 milionë lekësh. Gjithashtu, midis deklaratave periodike dhe asaj “veting” si dhe klasifikimit të të ardhurave nga Xhoi Lloto, janë gjetur mospërputhje edhe për vlerën e dyqanit. Dyqani në vitin 2003 është deklaruar si 86 m2, ndërsa në deklaratën “veting” është deklaruar si 132 m2. Ndërkohë, po për këtë dyqan egziston një kontratë dhurimi midis ndërtuesit dhe bashkëshortes së prokurorit.

Kaloçi akuzohet se ka fshehur disa depozita bankare në emër të bashkëshortes me vlerë 5000 USD dhe 20,300 euro në vitin 2007; 15,000 USD të depozituar cash në bankën Intesa San Paolo në vitin 2009, si dhe një makinë të blerë nga vajza e tij në vitin 2015. Ndaj tij ka pasur dhe 3 denoncime nga publiku.