Gjyqtari Skënder Haluci (djathtas) dhe avokati i tij pas ndërprerjes së seancës dëgjimore në KPK. Foto:Vladimir Karaj.
Analiza Korrupsioni KPK Në Fokus

Vendimi i KPK: Kryegjyqtari Skënder Haluci dështoi të provonte burimin e pasurive

Kryetari i Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci u shkarkua nga detyra pasi rezultoi me mungesë burimesh financiare në vlera të mëdha për blerjen e pasurive dhe shpenzimet e jetesës.

Gjyqtari Skënder Haluci (djathtas) dhe avokati i tij pas një seance dëgjimore në KPK. Foto:Vladimir Karaj.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 5 mars 2020 që të shkarkojë nga detyra kryetarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Skënder Haluci, pasi konstatoi probleme të shumta për pasurinë si dhe një balancë negative në vlerën e 69 milionë lekëve.

Trupi gjykues i përbërë nga Olsi Komici kryesues, Roland Ilia relator dhe Valbona Sanxhaktari anëtare e përfunduan hetimin administrativ për Halucin vetëm në kriterin e pasurisë, pasi u konkludua se nuk mbulonte me burime të ligjshme shpenzimet dhe pasuritë për periudhën 1997-2016, si dhe kishte kryer deklarime të rreme, të pasakta e të pamjaftueshme.

Gjyqtari Skënder Haluci i kundërshtoi gjetjet e hetimit administrative dhe kërkoi riçeljen e hetimit për dy kriteret e tjera edhe përjashtimin e trupit gjykues, kërkesa që u rrëzuan prej KPK-së.

Nga hetimi i Komisionit rezultoi se Haluci ka blerë një sipërfaqe tokë arë 1400 m2 në Tiranë, ku është ndërtuar një objekt me tre kate. Sipas KPK-së, Haluci nuk e ka deklaruar këtë pasuri të paluajtshme në deklaratën e vitit 2003, ndërsa në vitin 2004 ka pasqyruar një kat apartament banimi me 800 m2 oborr, i paregjistruar në ZVRPP. Sipas Komisionit, Haluci nuk ka provuar pretendimin se trualli 1400 m2 në Tiranë është blerë nga një i njohuri i tij në vitin 1997 për shumën 1.4 milionë lekë, me anë të një marrëveshjeje verbale.

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se Haluci e ka blerë këtë pasuri me kontratë noteriale vetëm më 10 janar të 2015-ës. Ndërkohë, shtetasi I.Z. nga i cili Haluci deklaron se e ka blerë truallin në vitin 1997, nuk ka zotëruar atëherë dokumente pronësie.

“Nuk është dokumentuar dhe nuk është paraqitur asnjë marrëveshje me shkrim për të provuar se kjo pasuri është blerë që në vitin 1997 dhe as në vitin 2004 nga subjekti,” citohet në vendim.

Komisioni konsaton se deklarimet e Halucit për blerjen e tokës 1400 m2 në Tiranë në vitin 2017, nuk përkojnë me deklarimet periodike dhe me përgjigjet e pyetësorit. Në deklaratën veting ai e ka shënuar vlerën e blerjes së truallit në shumën 140 mijë lekë; në vitin 2004 vlerën 1.5 milionë lekë dhe në përgjigje të pyetësorit ka deklaruar se e ka blerë 1.4 milionë lekë.

Në vendim vërehet se mosdeklarimi i vlerës së saktë për blerjen e kësaj pasurie, ka sjellë shmangie të detyrimeve financiare në buxhetin e shtetit.

Sipas trupit gjykues, vlera e blerjes së truallit duket shumë më e ulët se vlerat e tregut për zonën në fjalë. Bazuar në çmimin e hartës së vlerës së tokës, të miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, Komisioni konstaton se çmimi i vlerësuar për këtë pasuri në analizën financiare është 37 milionë e 945 mijë lekë.

Komisioni konkludon se Haluci ka bërë deklarim të rremë në deklaratën veting lidhur me vlerën e blerjes së truallit dhe se ka qenë në pamundësi financiare për krijimin e kësaj pasurie në vitin 2015, kur është nënshkruar kontrata e shitblerjes.

Lidhur me këtë pasuri, Haluci ka shpjeguar në vitin 2015 në ILDKPKI se kishte investuar së bashku me vëllezërit në një objekt me tre kate dhe se ai zotëron katin e sipërm papafingo me sipërfaqe 242 m2, që asokohe ishte i papërfunduar plotësisht.

Komisioni konstaton se nuk korrespondon vlera e investimit të deklaruar nga Haluci për këtë pasuri, pasi në deklaratën veting është pasqyruar në shumën 2 milionë lekë, kurse në atë periodike të vitit 2004 në vlerën 1,5 milionë lekë. Nga hetimi ka rezultuar se vlera e ndërtimit është nën atë të tregut, duke konsideruar se vlera totale e objektit  është rreth 20.8 milionë lekë.

Haluci ka shpjeguar gjatë hetimit administrativ se objektin ka nisur ta ndërtojë në vitin 1997, kur sipas tij ka blerë edhe tokën me sipërfaqe 1400 m2. Nisur nga këto deklarime, KPK konstaton se gjyqtari Skënder Haluci ka kryer ndërtim pa leje, veprim që vlerësohet se komprometon figurën e tij si gjyqtar.

Tjetër problem që identifikon trupi gjykues është edhe mosdeklarimi i sipërfaqes totale ndërtimore, pasi nuk është pasqyruar një kat tjetër që gjendet poshtë atyre të deklaruar. Sipas KPK, sipërfaqja totale ndërtimore e objektit ka rezultuar 842 m2 dhe jo 640 m2.

Trupi gjykues i ka pranuar shpjegimet e Halucit se për krijimin e kësaj pasurie kanë investuar edhe vëllezërit, duke i përllogaritur shpenzimet e tij vetëm për 1/3 e gjithë vlerës së objektit ndërtimor.

Duke konsideruar 1/3 e sipërfaqes totale ndërtimore dhe çmimin mesatar të kostos së ndërtimit për periudhën 1997-2005, Komisioni konkludon se Haluci ka pasur pamundësi financiare për krijimin e kësaj pasurie, si dhe nuk ka arritur të provojë burimin e ligjshëm dhe mundësitë financiare të vëllezërve të tij për ndërtimin e pjesës tjetër të objektit.

Trupi gjykues evidenton probleme edhe në deklarimet e Halucit për shitjen e një objekti bar-kafe në vitin 2003, ku sipas kontratës vlera e përfituar ka qenë në shumën 1.9 milionë lekë. Po në këtë vit, ai ka deklaruar se me të ardhurat e përfituara nga shitja e lokalit ka shlyer plotësisht këstin e mbetur të një kredie të marrë nga ish-Banka Arabe Shqiptare Islamike, UBA në shumën prej 34 mijë e 965 USD.

Në shpjegimet e dhëna gjatë hetimit administrativ, ai ka deklaruar se në vitin 2002 kishte marrë një kredi nga UBA në shumën 50 mijë USD, për përfitimin e së cilës kishte vendosur kolateral objektin bar-kafe. Sipas subjektit, kur ishte duke negociuar me blerësin për shitjen e lokalit, ky i fundit ka rënë dakort që ta shlyente menjëherë këstin e mbetur prej 34 mijë e 965 USD.

Nisur nga deklarimet e ndryshme të dhëna në vite nga Haluci, Komisioni konstaton se ka pasur mospërputhje për vlerën e shitjes dhe për veprimet bankare për shlyerjen e kredisë.

KPK ka hetuar edhe mbi ligjshmërinë e burimeve financiare për blerjen e këtij lokali nga Haluci në vitin 1998. Bazuar edhe në përllogaritjet e shpenzimeve për ndërtimin e 1/3 së objektit tre kate në Tiranë, blerjen e tokës si dhe të shpenzimeve të tjera për periudhën 1997 – 2005, Komisioni konkludon se Haluci ka qenë në mungesë të burimeve financiare të ligjshme për blerjen e ambjentit bar-kafe në vitin 1998, në vlerën 8,876,115 lekë.

Mungesë burimesh për pronat e bashkëshortes

Komisioni arrin në përfundimin se edhe bashkëshortja e gjyqtarit Skënder Haluci nuk ka dokumentuar burimet financiare për blerjen e dy apartamenteve dhe një toke me sipërfaqe 890 m2.

Apartamenti me sipërfaqe 106 m2 në Tiranë është blerë në vitin 2003 kundrejt vlerës 1.6 milionë lekë. Nga verifikimet e KPK ka rezultuar se ky apartament është blerë në vitin 2000 nga nëna e palës shitjese, shtetasit F.V., për vlerën 4.5 milionë lekë dhe i është shitur bashkëshortes së Halucit tre vite më pas për 1.6 milionë lekë.

Haluci e ka pranuar se duket që kjo pasuri të jetë blerë me çmim favorizues dhe ka pretenduar se shitësi i këtij apartamenti, F.V. ishte njëkohësisht blerësi i dyqanit që zotëronte gjyqtari. “Për këtë kemi rënë dakord që, do t’ia shisja këtë lokal nëse ai më shlyente kredinë e mbetur në UBA, më jepte 1.900.000 lekë dhe shtëpinë e ndodhur në Rr. ‘***’, për të cilën ramë dakord se do t’i jepja 1.600.000 lekë,” ka deklaruar Haluci para Komisionit.

Trupi gjykues konstaton se deklarimet e tij nuk janë provuar me dokumentacion shkresor. “Rezultoi se për të tria pasuritë e deklaruara si të shkëmbyera nuk provohen veprimet juridike, të kryera konform legjislacionit shqiptar, por secila nga këto pasuri është finalizuar përmes kontratave të shitblerjes, ku përcaktohen edhe vlerat e blerjeve përkatëse,” vëren KPK.

Në vendim konkludohet se subjekti nuk vërtetoi të ardhurat e pretenduara të bashkëshortes nga punësimi në një gazetë për periudhën prill 1998-korrik 2005 në vlerën 13 milionë e 810 mijë lekë si dhe të ardhurat e ligjshme të burimeve financiare me të cilat deklaroi se shleu kredinë tek UBA. “Këto të ardhura, subjekti nuk i ka deklaruar as në deklaratat periodike vjetore të paraqitura në ILDKPKI, as në deklaratën ‘Vetting’”, thekson trupi gjykues.

Nga analiza financiare ka rezultuar se Haluci dhe bashkëshortja kanë qenë në pamundësi financiare në vlerën 5 milionë lekë për blerjen e apartamentit në vitin 2003.

Komisioni konstaton pamundësi financiare në vlerë të madhe edhe për blerjen e një apartamenti tjetër me sipërfaqe 65 m2 në Tiranë nga bashkëshortja, që e ka porositur në nëntor të vitit 2000 për shumën 3 milionë lekë.

Sipas trupit gjykues, shpjegimi i Halucit se për shlyerjen e këtij apartamenti ka përdorur një kredi në vlerën 40 mijë USD nuk qëndron, pasi transferta bankare e kryer në shkurt të 2004-ës ka qenë në shumën 39 mijë USD – ndërkohë që vlera totale e përcaktuar për banesën ka qenë 3 milion lekë, nga të cilat 1 milion lekë janë paguar nga bashkëshortja në nënshkrimin e kontratës së porosisë.

Komisioni konkludon se Haluci nuk arriti të provojë me dokumentacion shkresor se kredinë e marrë te Banka Amerikane në vitin 2004 e ka përdorur si burim për blerjen e këtij apartamenti.

Nisur nga pretendimet e subjektit se me kredinë e marrë ka kryer edhe shpenzime mobilimi të apartamentit, Komisioni i ka përfshirë këto të dhëna në analizën financiare, që ka sjellë përkeqësim të balancës negative të konstatuar më parë.

Gjatë hetimit administrativ ka rezultuar se bashkëshortja e gjyqtarit Haluci ka blerë në vitin 1999 një pasuri tokë arë me sipërfaqe 890 m2 për vlerën 1 milion  lekë. Komisioni kostaton mospasqyrim të kësaj pasurie në vitin 2003 si dhe shitjen dhe të ardhurat e përfituara në vitin 2004 dhe as në deklaratën veting.

Ndërkohë, nga analiza financiare ka rezultuar mungesë e burimeve financiare në vlerën 1 milion e 171 mijë lekë për blerjen e kësaj pasurie.

Miliona lekë minus

Komisioni konstaton pamundësi financiare të gjyqtarit Haluci edhe për blerjen e tre autoveturave.Në vendim thuhet se ai rezulton me balancë negative në vlerën 564,723 lekësh për blerjen e një autoveture tip “Benz” në korrik të vitit 2013 me çmimin 400 mijë lekë dhe për blerjen e një automjeti tip “Jaguar” në gusht të vitit 2015 në shumën 275,596 lekë.

Komisioni e quan të pavërtetë deklarimin e Halucit se e ka blerë personalisht automjetin tip “Jaguar” në Mbretërinë e Bashkuar, pasi ka rezultuar që në atë datë gjyqtari të ketë qenë me pushime në Antalia të Turqisë.

Nga hetimi konkludohet pamundësi financiare prej 260 mijë lekë dhe deklarim i pasaktë edhe për blerjen e një autoveture tip “Benz” në vitin 2012 kundrejt vlerës 200 mijë lekë, pa përfshirë doganën dhe taksat e tjera. Haluci e ka shitur këtë automjet në janar të 2016-ës kundrejt shumës 500 mijë lekë.

Sipas KPK, pretendimi i Halucit se shpenzimet e mirëmbajtjes të bëra për automjetin duhej të ishin shpërndarë në vitet pas blerjes deri në shitjen e tij, nuk përkon me qëndrimin e mbajtur në përgjigje të pyetësorit, kur ka deklaruar se makinën ia ka shitur pa letra të vëllait, menjëherë pasi i ka plotësuar dokumentacionin dhe i ka kryer një shërbim.

Në vendim thuhet se Haluci nuk e ka deklaruar këtë automjet në vitin 2012 dhe as nuk ka arritur të provojë pretendimin se burimi është nga një gjendje cash e krijuar për atë vit, për shkak se nuk ka deklaruar ndryshim të gjendjes cash.

Komisioni konkludon se Haluci nuk ka arritur të vërtetojë me dokumentacion të ardhurat e pretenduara të bashkëshortes nga disa punëdhënës. Sipas Komisionit, subjekti nuk arriti të paraqesë dokumentacion provues lidhur me pjesën më të madhe të të ardhurave të bashkëshortes që janë përfituar nga disa prej punëdhënësve privatë.

Haluci ka arritur të provojë të ardhurat e përfituara prej vajzës nga bursa e shkollimit në një universitet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej rreth 181 mijë USD gjatë periudhës 2014-2017, por Komisioni konstaton deklarime të pasakta lidhur me shpenzimet e kryera për jetesën dhe studimet.

Sipas KPK, Haluci nuk ka qenë i saktë edhe në deklarimin e shpenzimeve për shkollimin veror të vajzës në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2012.

Në vendim thuhet se nga analiza finanaciare ka rezultuar se për periudhën 1997-2016, Haluci nuk ka pasur të ardhura të ligjshme të mjaftueshme për shtimin e likuiditetit, shpenzimet e kryera për jetesë dhe blerjet e pasurive ndër vite, në total në vlerën 69 milionë e 165 mijë lekë.

Në përfundim trupi gjykues konkludon se gjyqtari Skënder Haluci ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë dhe kryerjen e shpenzimeve, ka kryer deklarim të rremë, të pamjaftueshëm dhe të pasaktë, si dhe ka vendosur shkarkimin e tij nga detyra.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *