Përfaqësuesi ligjor i gjyqtares Viola Canaj, njëherazi bashkëshorti i saj, Kreshnik Ziaj në seancë dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza KPK Veting

Viola Canaj u konfirmua në aplikim të parimit të ‘objektivitetit dhe proporcionalitetit’

Gjyqtarja e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Viola Canaj u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 13 nëntor 2022, pasi balancat negative të konstatuara për blerjen e një apartamenti dhe të një makine u konsideruan të pamjaftueshme për të sjellë penalizimin e saj. Në aplikim të parimit të objektivitetit dhe proporcionalitetit, Komisioni arriti në përfundimin se Canaj ka arritur nivel të besueshëm në kriterin pasuror.

Po ashtu, një vendimarrje e saj për lehtësimin e një mase sigurie ndaj një personi të akuzuar për vrasje të dyfishtë – e rrëzuar si e pabazuar nga Apeli – është gjetur edhe nga KPK në kundërshtim me dispozitat ligjore, por u vlerësua si rast i izoluar dhe në përfundim Canaj u cilësua ‘e aftë’ profesionalisht. Ajo mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës.

Procesi i rivlerësimit për gjyqtaren Canaj u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Pamela Qirkon.

Viola Canaj përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Durrësit, u emërua në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ku vazhdon ta ushtrojë edhe aktualisht funksionin.

Konstatimet për pasurinë

Sipas vendimit të arsyetuar të KPK-së, subjekti ka deklaruar një shtëpi banimi me sipërfaqe 78 m2 në Vlorë, të ndërtuar në vitin 2008 kundrejt çmimit 32 mijë euro, ku ajo dhe bashkëshorti zotërojnë pjesë takuese ½ secili. Si burime krijimi të kësaj pasurie, Canaj ka deklaruar një kredi në vlerën 20 mijë euro; 10 mijë euro nga kursimet e bashkëshortit, në atë kohë i fejuari; si dhe shumën 2500 euro që është përballuar prej saj.

Komisioni ka hetuar mbi ligjshmërinë e burimeve të apartamentit. Shuma 10 mijë euro e deklaruar si kursim i të fejuarit të subjektit dhe të familjarëve të tij në atë kohë, rezulton të jetë paguar në momentin e nënshkrimit të kontratës së porosisë, në gusht të vitit 2007. Këtë burim subjekti nuk e ka deklaruar në deklaratën periodike vjetore të 2007-ës.

E pyetur nga KPK për burimin e krijimit të shumës 10 mijë euro, subjekti ka shpjeguar se kanë qenë kursime të bashkëshortit dhe familjes së tij, të kursyer nga ai, prindërit dhe halla e cila ka jetuar së bashku me ta.

Canaj ka deklaruar se këto kursime të të gjithë familjes përgjatë gjithë jetës së tyre, ia kanë dhënë bashkëshortit si djalë i vetëm që ishte, me qëllim blerjen e banesës me rastin e martesës së ardhshme. Ajo ka depozituar disa dokumente për të provuar të ardhurat e bashkëshortit, por nga analiza financiare paraprake është konstatuar pamundësi e familjes së origjinës së bashkëshortit në shumën 789 mijë lekë për mbulimin e shpenzimeve dhe kursimin e vlerës 10 mijë euro. Veç për këtë balancë negative, KPK i ka kaluar subjektit barrë prove edhe për deklarim të pasaktë në vitin 2007, pasi nuk është pasqyruar burimi i krijimit të këstit të parë në shumën 10 mijë euro.

Canaj ka kundërshtuar duke këmbëngulur se familjarët e të fejuarit kanë pasur të ardhura për të mbuluar shumën 10 mijë euro, që i kanë dhuruar djalit të tyre për blerjen e apartamentit. Ajo ka depozituar si provë një kopje të diplomës së babait të bashkëshortit si ndihmësmjek, duke pretenudar se ai e ka ushtruar profesionin jo vetëm në shtet, por edhe privatisht, ashtu si dhe vijon ta kryejë aktualisht.

Ajo ka shtuar se vjehrra ka punuar në ish-ndërmarrjen artistike në Vlorë dhe vazhdimisht ka punuar në banesë punime artistike, si sixhade e qilima, që i ka tregtuar dhe ka siguruar fitime të konsiderueshme. Sipas Canajt, edhe halla e bashkëshortit ka pasur të ardhura të mira, pasi ka qenë financiare e lartë dhe ka ofruar konsulenca ekonomike për shumë shoqëri. Po ashtu, ka pretenduar se bashkëshorti ka kryer punë të ndryshme, si sekretar pranë Shoqatës Kombëtare të Minifutbollit, agjent shitjesh, banakier, si dhe punëtor pranë një kompanie bastesh, fakt që sipas saj e ka deklaruar edhe në deklaratën periodike vjetore të vitit 2008.

Subjekti ka argumentuar se duke qenë se asnjë prej familjarëve të bashkëshortit nuk ka qenë subjekt deklarues, nuk kishin arsye objektive të ruanin faturat e veprimtarisë tregtare. Po ashtu, ka theksuar se të ardhurat objekt hetimi i përkasin një kohe para 20 vjetësh, gjatë së cilës nuk ka qenë as në një marrëdhënie njohje me bashkëshortin.

Ajo ka kontestuar analizën financiare të Komisioni për përllogaritjen e shpenzimeve jetike dhe ka sjellë në vëmendje se familjarët e bashkëshortit rezultojnë të kenë pasur vazhdimisht likujditete bankare deri në vitin 2007.

Canaj ka këmbëngulur se shuma 10 mijë euro është pasuri e krijuar para martese, si dhe nuk ka asnjë informacion që bashkëshorti apo familjarët e tij të kenë kryer ndonjë veprimtari të kundërligjshme.

Lidhur me mosdeklarimin e burimit të këstit të parë në vitin 2007, subjekti ka shpjeguar se kjo rrethanë është plotësuar në shpjegimet e dhëna në vitin 2008 pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI. Gjithashtu, Canaj ka parashtruar se kjo pasaktësi nuk është mbartur në deklaratën “veting”, në të cilën ajo ka sqaruar burimin e kësaj shume.

Për mosdeklarimin e burimit të këstit të parë, Komisioni konstaton se subjekti ka lidhur martesë më 21 janar të vitit 2008 dhe për rrjedhojë, në këtë vit i ka lindur detyrimi ligjor si subjekt deklarues për bashkëshortin. Nisur nga fakti se Canaj e ka pasqyruar këtë burim në deklaratën “veting” dhe në porcesverbalin e mbajtur në vitin 2008 në ILDKPKI, çmon se mosdeklarimi i burimit në vitin 2007 mbetet një pasaktësi, që në raport me deklarimet e tjera nuk mund të sjellë pasoja.

Lidhur me ligjshmërinë e burimit në shumën 10 mijë euro, trupi gjykues vlerëson se subjekti nuk provoi me dokumentacion ligjor të ardhurat nga punësimi në Shoqatën Kombëtare të Minifutbollit të bashkëshortit të saj. Po ashtu, edhe pretendimi tjetër i subjektit për të ardhurat nga punësimi i familjarëve të bashkëshortit ka mbetur në nivel deklarativ.

Pas rikryerjes së analizës financiare duke marrë në konsideratë pretendimet e subjektit, balanca negative e vitit 2007 është pakësuar, duke mbetur në shumën 503 mijë lekë.

Komisioni ka gjetur pamundësi financiare në shumën 356 mijë lekë edhe për pagesën e këstit të fundit në shumën 2500 euro në vitin 2008, vlerë që është deklaruar prej subjektit se është përballuar nga të ardhurat e saj. Por, edhe në këtë rast, balanca negative është konsideruar e pmjaftueshme si shkak autonom për të sjellë penalizim. Në lidhje me kredinë 20 mijë euro nuk janë gjetur probleme.

E njëjta situatë si për pamundësitë për pagesat e dy kësteve të apartamentit, është konstatuar edhe për blerjen e një automjeti në vitin 2012 kundrejt çmimit 3000 euro. Balancën negative në shumën 140 mijë lekë, bazuar në parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit, KPK e konsideron jodomethënëse në vlerësimin e kriterit të pasurisë.

Nga analiza financiare për periudhën 2006-2016, është konstatuar balancë negative në vlerën totale 1 milion lekë. Komisioni shpjegon se gjysma e kësaj pamundësie financiare është rrjedhojë e mospërfshirjes së kursimeve të familjarëve të të fejuarit si burim krijimi përpara martesës dhe bashkëjetesës së subjektit me të.

“Trupi gjykues çmon se pavarësisht se këto të ardhura nuk janë sipas standardit të nenit D të Kushtetutës, dokumentacioni i depozituar nga subjekti dhe shpjegimet e dhëna prej saj vlerësohen të tilla se ato nuk cenojnë në nivel të mjaftueshëm kriterin e pasurisë. Problematika e konstatuar në drejtim të pamjaftueshmërisë financiare të shpërndarë në dy vite në raport me rrethanat e tjera vlerësohet nga trupi gjykues se subjekti i rivlerësimit gjendet në kushtet e parashikuara në nenin 33, pika 5, germa ‘b’ e ligjit nr. 84/2016, por bazuar në parimet e objektivitetit dhe proporcionalitetit, kjo problematikë nuk mund të shërbejë për t’u kualifikuar se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pamjaftueshëm”, vlerëson Komisioni.

Aftësitë profesionale

Gjetjet për të cilat i janë kërkuar shpjegime subjektit kanë pasur të bëjnë me çështjet e denoncuara nga publiku dhe një në media. Për numrin me të madh të denoncimeve, Komisioni vlerëson se pretendimet kanë të bëjnë me themelin e çështjes dhe se janë jashtë juridiksionit të rivlerësimit kalimtar. Ndërsa në një rast, konkludohet se subjekti ka ndryshuar një masë sigurie duke mos vlerësuar në përputhje me dispozitat ligjore.

Një prej denoncuesve është ankuar se gjyqtarja Canaj ka ndryshuar masën e sigurimit për një të pandehur të akuzuar për vrasjen e dy shtetasve në vitin 1998, nga “arrest në burg” që kishte kërkuar prokuroria, në “arrest shtëpie”. Sipas denoncuesit, gjyqtarja Canaj e ka ndryshuar masën e sigurimit për të pandehurin për vrasje të dyfishtë, pa pasur asnjë rrethanë justifikuese.

Komisioni i ka gjetur të drejta pretendimet e denoncuesit, duke konkluduar se aplikimi i nenit 237 të Kodit të Procedurës Penale, duke ndryshuar masën e sigurimit, nuk përputhet me kriteret ligjore të kësaj dispozite, si dhe nuk u përgjigjet rrethanave dhe provave të kësaj çështjeje.

Po ashtu, vërehet se në vendim nuk rezulton të jetë kryer arsyetim i plotë, analitik dhe logjik lidhur me aplikimin e këtij neni të Kodit të Procedurës Penale.

KPK konstaton se nga verifikimi akteve të fashikullit gjyqësor dhe arsyetimit të subjektit në këtë vendim, konstatohet se ajo në pjesën arsyetuese shprehet se i pandehuri duhet të vijohet me masën e caktuar “arrest me burg”, pasi plotësohen kushtet dhe kriteret ligjore për këtë masë; se gjatë gjykimit nuk ka rezultuar të kishte ndonjë shkak padënueshmërie të shuarjes së veprës penale; si dhe për faktin se i pandehuri ka rrezik që të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj.

Megjithëse në pjesën arsyetuese, Canaj argumenton se masa më e përshtatshme për të pandehurin është masa e “arrestit në burg”, në dispozitiv ka vendosur ndryshe, duke shuar masën e mëparshme dhe ka caktuar “arrest në shtëpi”.

Subjekti është mbrojtur duke pretenduar se ngjarja kishte ndodhur kohë më parë dhe për rrjedhojë i pandehuri nuk mund të ndikonte në marrjen dhe vërtetësinë e provave. Ajo ka pohuar se i është referuar gjendjes së akteve të dosjes dhe ka konkluduar se masa e sigurimit më e përshtatshme për të pandehurin kishte qenë ajo e “arrestit në shtëpi”. Lidhur me ndryshimin e vendimit të saj nga Gjykata e Apelit Vlorë, Canaj ka pohuar se nuk është konstatuar prej shkallës së dytë që vendimarrja e saj të jetë e paarsyetuar apo kontradiktore.

Shpjegimet e subjektit nuk janë gjetur bindëse nga Komisioni, që çmon se në këtë çështje Canaj shfaq mangësi në pasqyrimin e analizës faktiko-juridike dhe argumentit logjik, pasi rezulton mospërputhje e pjesës arsyetuese të vendimit, me dispozitivin e tij ku disponohet ndryshe.

Megjithatë, problemet e konstatuara në këtë vendimarrje nuk janë gjetur vijuese prej Komisionit, që në përfundim e ka vlerësuar gjyqtaren Viola Canaj ‘të aftë’ profesionalisht.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *