Këshilltari ligjor i KLP, Erion Pano pas seancës dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.
KP Veting

Komisionerja Publike kërkon shkarkimin e prokurorit Erion Pano

Komisionerja Publike, Irena Nino ankimoi të premten më 6 janar 2023 vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, për konfirmimin në detyrë të prokurorit Erion Pano, aktualisht i komanduar si këshilltar ligjor pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP.

Pano u konfirmua në detyrë nga Komisioni më 24 nëntor 2022, pasi u vlerësuan bindëse shpjegimet e tij për balancat negative për krijimin e një pjese të burimeve financiare që kanë shërbyer për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 83 m2 + 9.8 m2 sipërfaqe e përbashkët, në Tiranë. Po ashtu, u çmuan bindëse prapësimet e subjektit për konstatimet për disa çështje profesionale, ndërsa një rast kur rezultoi se nuk kishte zbatuar urdhërimet e gjykatës, u konsiderua i pamjaftueshëm për të sjellë pasojë.

Por, Komisionerja Publike, Irena Nino e ka gjetur të pabazuar vendimin e KPK-së dhe kërkon shkarkimin e prokurorit Pano nga detyra për deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë dhe mangësitë profesionale.

Erion Pano e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2001 si oficer i policisë gjyqësore dhe u emërua si prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në vitin 2005. Prej vitit 2013 deri në 2018-ën ai e ka ushtruar funksionin e zëvendës drejtuesit në këtë prokurori dhe nga viti 2020 është komanduar si këshilltar ligjor në KLP.

Shkaqet e ankimit për pasurinë

Si burime krijimi të apartamentit në Tiranë, Pano ka deklaruar dy hua, një në shumën 10 mijë euro të marrë në vitin 2008 dhe tjetrën në vlerën 3 milionë lekë të marrë në vitin 2011. Po ashtu, ka deklaruar si burime bono thesari në shumën 1.9 milion lekë dhe 848 mijë lekë, të krijuara nga kursimet e tij dhe të bashkëshortes në vite; interesat e këtyre bonove; si dhe gjendje cash në banesë e akumular ndër vite – po nga pagat e tij dhe të bashkëshortes.

Komisioni ka konstatuar se huadhënësit kanë pasur mundësi për krijimin me burime të ligjshme të vlerave 3 milionë lekë dhe 10 mijë euro.

Ndërkohë, nga hetimi paraprak në KPK u konstatuan mospërputhje deklarimesh në lidhje me kursimet cash të pasqyruara në deklarimet periodike ndër vite me shpjegimet e subjektit gjatë hetimit, si dhe sqarimet e dhëna në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI. Sipas analizës paraprake të kryer bazuar në deklarimet periodike, Komisioni konstatoi fillimisht balancë negative në shumën 3.8 milionë lekë për vitet 2009-2011.

Po ashtu, rezultoi se subjekti nuk ka deklaruar në vite pakësimin e bonove të thesarit dhe shtesën e likuiditeteve cash nga tërheqja e tyre. Nga analiza financiare, mbi mundësitë për blerjen e bonove të thesarit, Pano rezultoi fillimisht me një balancë negative në shumën totale 590 mijë lekë për vitet 2005 dhe 2006.

Pas kalimit të barrës së provës për këto konstatime, Pano shpjegoi se ishte i vetëdijshëm mbi pasaktësitë në deklarimin e gjendjeve cash deri në vitin 2011. Ai shtoi se kjo situatë ka ardhur si pasojë e perceptimit të gabuar në mënyrën e plotësimit të deklaratave ndër vite; mungesa e eksperiencës; trajnimeve të duhura; si dhe mungesa e vëmendjes dhe dhënies së rëndësisë së duhur në plotësimin e deklaratave periodike. Subjekti pretendoi se këto pasaktësi i ka korrigjuar gjatë procesit administrativ.

Pano kundërshtoi analizën e Komisionit, duke shpjeguar se gjendja e likuiditeteve nuk është sipas mënyrës së paraqitur nga KPK, por sipas asaj çfarë ai ka deklaruar çdo vit në deklarimet periodike vjetore përkatëse dhe në shpjegimet e dhëna prej tij gjatë hetimit administrativ.

Më tej, subjekti argumentoi se analiza financiare e Komisionit për vitin 2010 paraqitet me diferencë negative në shumën 3 milion e 320 mijë lekë, ndërsa në vitin 2008 rezulton me një diferencë pozitive në shumën 3 milion e 619 mijë lekë. “…Ku është e qartë se shuma e deklaruar si e përdorur për pagesën e këstit të parë, ka qenë gjendje cash në shtëpi e mbartur nga vitet 2008 dhe 2009”, shpjegoi Pano dhe theksoi se gjatë periudhës gusht 2008 – mars 2010 nuk janë krijuar pasuri të tjera të paluajtshme apo të luajtshme të asnjë lloji, apo të jenë kryer shpenzime që do të justifikonin ndryshimin e destinacionit të përdorimit të shumës së disponuar nga bonot.

Po ashtu, ai solli në vëmendje jurispudencën e KPK-së dhe të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, sipas të cilave pasaktësitë në deklarime të pashoqëruara me mungesë burimesh, nuk mund të sjellin pasoja.

Komisioni i gjeti bindëse argumentet dhe provat e Panos dhe vlerësoi se deklarimet e subjektit përgjatë procesit të rivlerësimit gjejnë harmoni me situatën e pasqyruar në deklaratën “veting”. Pasi rishikoi analizën financiare duke marrë në konsideratë kursimet cash të saktësuara nga subjekti gjatë hetimit administrativ dhe pas prapësimeve, KPK përmbysi rezultatin negativ, prej nga rezultoi një pamundësi vetëm në vitin 2006, në shumën 117 mijë lekë – që u konsiderua e pamjaftueshme për të sjellë penalizim.

Komisionerja Nino e gjen të padrejtë këtë përfundim të KPK-së, duke arsyetuar se është marrë në kundërshtim me aktet e administruara dhe jurisprudencën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Sipas Ninos, nuk qëndon pretendimi i subjektit mbi “perceptimin e gabuar në mënyrën e plotësimit të deklaratave ndër vite”. “…nga mënyra e plotësimit të këtyre deklarimeve, duket se subjekti ka pasur të qartë mënyrën e deklarimit të kursimeve, duke specifikuar për çdo rast kur kursimet vjetore janë depozituar në sistemin bankar, në Bankën e Shqipërisë”, konstaton ajo dhe sjell në vëmendje jurisprudencën e Kolegjit lidhur me deklarimin e kursimeve apo likuiditeteve cash, të cilat duhet të lexohen dhe llogariten ashtu sikurse janë pasqyruar në deklaratat periodike vjetore.

Duke i përllogaritur kursimet e subjektit dhe të bashkëshortes së tij, ashtu si janë pasqyruar në deklaratat periodike vjetore, sipas Ninos do të rezultonte një balancë negative në shumën 1 milion e 235 mijë lekë për periudhën 2005-2007.

Duke ju referuar kësaj balance negative; pamundësisë së konstatuar në pagesën e këstit të parë të apartamentit si rezultat i mosdeklarimit të posedimit në cash të shumës së tërhequr nga llogaria bono thesari; si dhe diferencës negative prej të paktën – 361 mijë lekësh e konstatuar nga KPK për vitin 2016, Nino vlerëson se Pano ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm për pasurinë.

Profesionalizmi

Lidhur me aspektin profesional, Nino vëren se për prokurorin Pano, Komisioni është ndalur më së shumti në hetimin dhe dhe vlerësimin e të dhënave arkivore, informacionet e ardhura nga prokuroritë pranë gjykatave të shkallëve të para, si dhe denoncimet nga publiku.

Sipas një procedimi penal të regjistruar në vitin 2014 në bazë të një kallëzimi ndaj tre prokurorëve, mes tyre dhe subjekti i rivlerësimit, ka rezultuar se kallëzuesi ka pretenduar se Pano e ka pushuar hetimin padrejtësisht.

Mbi bazën e këtij kallëzimi, subjekti i rivlerësimit ka regjistruar procedimin penal, por në vijim ka vendosur pushimin e çështjes duke arsyetuar se mungojnë elementet e veprës penale të mashtrimit.

Kallëzuesi e ka ankimuar vendimin e Panos që është shfuqizuar nga Gjykata e Tiranës, e cila ka lënë detyra konkrete. Pano sërish e ka pushuar dhe kallëzuesi sërish i është drejtuar gjykatës që ka vendosur për të dytën herë shfuqizimin e vendimarrjes së Panos, si dhe ka urdhëruar vijimin e hetimeve. Ky vendim është lënë në fuqi dhe nga Apeli Tiranës.

Komisioni i ka gjetur bindëse shpjegimet e subjektit, se i kallëzuari është thirrur disa herë, por nuk është bërë e mundur gjetja e tij. KPK ka çmuar se në tërësi nuk ka pasur fakte apo rrethana, të cilat mund të ndikojnë në cenimin e aftësive profesionale të subjektit të rivlerësimit.

Komisionerja Nino ndan qëndrim të ndryshëm edhe në këtë pikë. Ajo vëren se hetimet e ndërmarra nga subjekti i rivlerësimit kanë qenë të mangëta dhe jo të gjithanshme, fakt që është konfirmuar dy herë nga kontrolli gjyqësor i hetimeve paraprake. Ajo i vlerëson të pajustifikueshme vonesat e konstatuara në ndërmarrjen e hetimeve për zgjidhjen e rastit.

“Shpjegimet e dhëna gjatë hetimit administrativ nga subjekti i rivlerësimit, i njëjtë me argumentin e përdorur në arsyetimin e vendimit për pushimin e çështjes në muajin dhjetor 2012, se i kallëzuari nuk gjendej, nuk duket bindës, pasi ky pretendim gjatë kontrollit gjyqësor të rastit është gjendur i pabazuar,” konstaton Nino dhe vlerëson se mangësitë e konstatuara në këtë procedim penal, së bashku me ato në dy denoncime nga publiku ndikojnë pozitën e prokurorit Erion Pano në drejtim të vlerësimit të aftësive profesionale, duke mos justifikuar kështu aplikimin e nenit 59, pika 1, të ligjit nr. 84/2016, për konfirmimin e tij në detyrë.

Nino kërkon që mangësitë profesionale të konstatuara në disa raste, duhen vlerësuar së bashku me problemet e vërjetura në kriterin e kontrollit të pasurisë, që sipas saj mund të çojnë në një vlerësim të ndryshëm me atë të arritur nga Komisioni.

Në përfundim, Komisionerja Publike kërkon që shkaqet e ankimit të merren në shqyrtim nga Kolegji dhe prokurori Erion Pano të shkarkohet nga detyra.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *