Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

ONM kundër vendimit të KPK-së për gjyqtarin Gentian Medja

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i ka rekomanduar Komisionerit Publik të ankimojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili konfirmoi në detyrë gjyqtarin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Gentian Medja.  

Gjyqtari Gentian Medja në seancën dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit më 30 korrik 2018. Foto: Gent Shkullaku/LSA

“Në datë 1.8.2018, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Gentian Medja, magjistrat/gjyqtar në Gjykatën Administrative, Shkalla e Parë, Tiranë, dhe anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi,” tha Institucioni Komisionerëve Publik nëpërmjet një njoftimi për shtyp të enjten.

“Sot, më datë 9.8.2018, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për ta ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të z. Gentian Medja,” shtoi ai.

Medja iu nënshtrua procesit të vetingut si pjesë e listës me përparësi në kohë për shkak të kandidimit të tij për anëtar të Këshillit e Emërimeve në Drejtësi.

Trupa e gjykuese e KPK-së e përbërë nga Roland Ilia, Firedes Shuli dhe Xhensila Pine vendosi konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Medja me shumicë votash.

Legjislacioni parashikon procesin e ankimimit në mbrojtje të interesit publik dhe standardeve të procesit të rivlerësimit.

Medja është gjyqtari i tretë për të cilin Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i ka rekomanduar Komisionerit Publik që të apelohet vendimi.  Më herët ONM ka kërkuar apelimin e vendimit të KPK-së për kreun e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja dhe kreun e Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori.

Komisioneri Publik deri tani ka ankimuar vetëm vendimin për konfirmimin në detyrë të Bashkim Dedjes, ndërsa vendimet e KPK-së për Zaganjorin dhe Medjan nuk janë zbardhur akoma.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *