Lidhjet me krimin e organizuar ngrenë pikëpyetje mbi integritetin e prokurorit Shpëtim Kurti
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Lidhjet me krimin e organizuar ngrenë pikëpyetje mbi integritetin e prokurorit Shpëtim Kurti

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mbajti të enjten seancën dëgjimore për prokurorin e Prokurorisë së Tiranës, Shpëtim Kurti, duke zbardhur lidhjet e tij me një trafikant të qenieve njerëzore, si dhe probleme me justifikimin e pasurisë së tij dhe atë të personave të lidhur.

Lidhjet me krimin e organizuar ngrenë pikëpyetje mbi integritetin e prokurorit Shpëtim Kurti
Prokurori Shpëtim Kurti (djathtas) dh avoakti i tij gjatë seancës dëgjimore në KPK | Foto : Besar Likmeta

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i udhëhequr nga Brunilda Bekteshi si kryesuese, Lulzim Hamitaj relator dhe Roland Ilia anëtar, mbajti të enjten në mëngjes seancën dëgjimore si pjesë të procesit të rivlerësimit të prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Shpëtim Kurti.

Kurti, i cili është shortuar si pjesë e listës prioritare gati 1 vit më parë për shkak të kandidaturës së tij në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ishte prezent në seancë dhe u asistua gjithashtu nga një avokat.

Relatori i çështjes Lulzim Hamitaj shpjegoi gjatë fjalës së tij se prokurori Kurti ishte hetuar vetëm për dy nga tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë dhe pastërtisë së figurës. Fillimisht trupa e KPK-së i kishte mbyllur hetimet vetëm me një kriter me 18 maj 2018, por i kishte rihapur përsëri më një vendim të dytë me 4 korrik për të tre kriteret. Në përfundim me 13 nëntor KPK ka mbyllur hetimin për 2 kritere dhe ka thirrur prokurorin në seancë dëgjimore.

Si pjesë e hetimit KPK ka administruara raportin e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit për subjektin. Sipas këtij raporti, prokurori Kurti ka bërë deklarim jo të saktë, nuk ka burime të mjaftueshme pasurie, ka bërë fshehje pasurie, ka bërë deklarim të rremë, por nuk është konstatuar se është në gjendje konflikti interesi.

I pastrehë me shtëpi dhe tokë

Si pjesë e procesit të rivlerësimit kalimtar, KPK ka ndërmarrë një hetim të pavarur administrativ mbi pasuritë e prokurorit dhe ato të personave të lidhur me të.

Pjesë e këtij hetimi janë bërë një apartament me sipërfaqe 83.7 m2, në rrugën Sulejman Pasha në Tiranë, i blerë në vitin 2002 për 1.5 milionë lekë dhe shitur në vitin 2011 tek i vëllai i subjektit për 10.88 milionë lekë. Një apartament 48 m2 tek Fusha e Aviacionit në Tiranë, si dhe një apartament 64 m2 në lagjen 13, në plazhin e Durrësit me vlerë 1.6 milionë lekë, ku zotëron 50 %. Një truall 146 m2 me një ndërtim prej 52 m2 me vlerë 5.5 milionë lekë, për të cilën është lidhur një kontratë sipërmarrje me kompaninë “A,” nga e cila pritet të përfitohen 2 apartamente, 2 garazhe dhe 2 dyqane. Tokë arë me sipërfaqe 6310 m2 në Has, marrë më ligjin 7501- ku subjekti zotëron 1/6. Një makinë Citroen C3 me vlerë 6 mijë euro.

Sipas relatorit Hamitaj për apartamenti në rrugën Sulejman Pasha në Tiranë me sipërfaqe 83.7 m2, Komisioni ka zbuluar se çmimi në deklaratën periodike në ILDKPKI në vitin 2003 është deklaruar në 2 milionë lekë, kurse kontrata e lidhur për blerjen e këtij apartamenti në vitin 2002, ka një çmim shitje prej 1.5 milionë lekë.

Gjithashtu, Komisioni nënvizoi se burimi për blerjen e apartamentit 48 m2 tek Fusha e Aviacionit në Tiranë, ka shërbyer shtija e një apartamenti 84 m2, i blerë nga Enti i Banesave për 850 mijë lekë. Relatori u shpreh se për përfitimin e këtij apartamenti si i pastrehë nga prokurori Kurti, KPK ka ndërmarrë një hetim të thelluar duke shqyrtuar një seri dokumentesh, ligjesh dhe vendimesh të Këshillit të Ministrave, nga i cili ka rezultuar se subjekti e ka përfituar në mënyrë të padrejtë këtë status, për shkak se kishte shtëpi dhe kishte përfituar tokë nëpërmjet ligjit 7501.

Gjithashtu KPK ka gjetur mospërputhje midis deklaratave të subjektit për sipërfaqen e tokës të përfituar sipas ligjit 7501. Sipas ATMP-së së vitit 1995 toka ka qenë 1 hektarë, ndërkohë në deklaratën periodike 2003 dhe atë veting është deklaruar si 6310 m2. Sipas përgjigjeve të subjektit të ardhura në KPK, mospërputhje vjen për shkak të shpërndarjes së tokës në veri të Shqipërisë sipas kufijve të trashëguar ndër breza dhe jo sipas vendimeve të komisioneve të ndarjes së tokës. Ndërkohë për statusin si pastrehë, prokurori ka deklaruar se nuk është përgjegjës ligjërisht dhe moralisht, pasi ai kishte aplikuar por ky status i është dhënë në kundërshtim me ligjin nga Këshilli Bashkiak.

Për sa i përket truallit prej 146 metra dhe 52 metra ndërtim të blerë në vitin 2012 për 5.5 milionë lekë, KPK u shpreh se shlyerja e pagesës është bëra jashtë zyrës së noterisë në kundërshtim me legjislacionin e kohës.

Personat e lidhur nuk justifikojnë burimin e pasurisë

Analiza financiare e investimeve dhe shpenzimeve të  subjektit, ka zbuluar se prokurori Kurti ka dy persona të lidhur, babai Murat Kurti dhe vëllain Zamir Kurti. Si burim për blerjen e truallit dhe ndërtesës prej 5.5 milionë lekë në vitin 2012, subjekti ka listuar të ardhurat nga shtija e apartamentit me sipërfaqe 83.7 m2 në rrugën Sulejman Pasha vëllait Zamir Kurti për 10.88 milionë lekë.

Sipas KPK personi i lidhur Zamir Kurti nuk ka pasur burime financiare për pagesën prej 10.8 milionë lekë, sepse s’ka depozita bankare, nuk ka pasur të regjistruar biznes dhe për pretendimin se ka të ardhura nga emigracioni në Angli gjatë periudhës 1999-2007, nuk ka dokumentacion të ligjshëm. Në përgjigjen e tij për Komisionin subjekti ka sjellë një dokument, sipas të cilit gjatë periudhës 7 shkurt 2000 – 20 janar 2006, vëllai i tij Zamir Kurti ka punuar 1208 ditë si nënkontraktor për kompaninë ‘Carillion Construction’ në Angli, me pagesë ditore nga 115 paund deri në 135 paund britanikë. Si rrjedhoje pretendohet se personi i lidhur ka përfituar nga puna në Angli 136 mijë paund britanikë. Sipas subjektit personi i lidhur nuk ka dokumente bankare se ka qenë në Britaninë e Madhe pa dokumente. Në datë 18 korrik, Zamir Kurti ka dhënë dëshmi përpara KPK, ku ka deklaruar se përveç shtëpisë ai i ka dhënë në përdorim vëllait të tij Shpëtim Kurti, një automjet Benz Mercedez fouristradë me vlerë 11 mijë euro. Ai ka shtruar se nuk mund të përgjigjej nëse kompania ‘Carillion Construction’ i kishte paguar taksat për të ardhurat e tij. Të ardhura në Shqipëri i kishte transferuar nëpërmjet dërgesave me Western Union dhe emigrantëve të tjerë që udhëtonin drejt Shqipërisë. Zamir Kurti gjithashtu ka arritur të dokumentojë të ardhura të ligjshme në Shqipëri për periudhën 2008-2011 me vlerë 2.3 milionë lekë.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka hetuar mbi deklaratën e paraqitur nga personi i lidhur mbi të ardhurat në Angli dhe ka zbuluar se kompania Carillion Construction është në likuidim që nga viti 2007. Gjithashtu deklarata në emër të kompanisë për subjektin, është nënshkruar nga një kontrollor financiar me inicialet P.S.  Përfaqësuesit e kompanisë i kanë thënë ONM që shkresa e paraqitur nga personi i lidhur nuk është nga kjo kompani dhe ajo nuk ka pasur të punësuar një kontrollor financiar me inicialet P.S – çfarë sipas KPK-së konfirmon mungesën e burimeve të personit të lidhur Zamir Kurti.

Diku midis viteve 2008 dhe 2011, prokurori Kurti ka lëvizur për të jetuar në një apartament të blerë nga babai i tij Murat Kurti në rrugën M. Fortuzi në Tiranë. Deklarimet e prokurorit mbi datën se kur ka lëvizur për të jetuar në rrugën M.Fortuzi kanë qenë kontradiktore – në ILDKPKI këtë adresë e ka deklaruar në deklaratën periodike të vitit 2009, në deklaratën veting ka dhënë datën 2011 dhe në deklaratën në DSIK ka dhënë datën 2008. Subjekti i ka justifikuar mospërputhjet në deklaratat e tij si “gabim njerëzor.” Babai i subjektit e ka blerë apartamentin në rrugën M. Fortuzi, me sipërfaqe 135 m2 në vitin 2004 për 59,400 euro dhe në vitin 2007 ka blerë një garazh me 2 vende për 10 mijë euro. Kontratat e shitblerjes janë nënshkruar Murat Kurti me shoqërinë e ndërtimit “A”. Sipas KPK, Murat Kurti nuk ka pasur burime financiare për t’i blerë këto asete, sepse që nga viti 2000 ka qenë pensionist me pension 12,200 lekë në muaj. Murat Kurti s’ka pasur biznes të regjistruar dhe s’ka pasur as automjet –çfarë ngre dyshime për përdorimin e garazhit të blerë për 10 mijë euro në vitin 2007. Subjekti ka deklaruar se këto asete të babit kanë pasur burim remitancat nga djemtë në emigrim.

Gjithashtu subjekti ka deklaruar se në vitin 2008 ka blerë një automjet Ford Fiesta për 260 mijë lekë dhe e ka shitur në vitin 2010 për 600 mijë lekë, 2-fishin e çmimit fillestar. Sipas subjektit çmimi fillestar i automjetit ka qenë okazion, kurse çmimi i shitjes ka qenë çmimi i tregut. Ai pretendon se e ka përdorur shumë pak automjetin dhe ka investuar për mirëmbajtjen e tij.

Lidhjet me trafikantin e qenieve njerëzore

Sipas raportit te DSIK-së subjekti ka pasur kontakte të papërshtatshme me anëtarë të krimit të organizuar, si dhe akuzohet për favore dhe mitëmarrje ndaj anëtarëve të organizatave kriminale. Relatori Hamitaj njoftoi se me 6 shtator 2018, DSIK ka dërguar një përditësim të raportit për subjektin. Gjithashtu me 14 nëntor DSIK ka dërguar një përditësim të dytë për prokurorin Kurti. Të dhënat shtesë të dërguara nga DSIK konfirmojnë papërshtatshmërinë e subjektit, për shkak se dyshohet se ka favorizuar persona të proceduar në shkëmbim të mitmarrjes. Subjekti është përgjigjur se akuzohet për kontakte të papërshtatshme me një person me iniciale H.M. Personi asokohe nuk ka qenë i proceduar penalisht dhe nuk ka pasur përfshirje në krimin e organizuar. Për shkak se raporti i DSIK-së është i klasifikuar pjesërisht, relatori Hamitaj deklaroi se KPK do të shprehej për këtë raport në vendimin e arsyetuar.

Përveç raportit të DSIK-së, në KPK kanë ardhur disa denoncime në lidhje me integritetin e figurës, sipas të cilave prokurori Kurti ka kontakte të papërshtatshme me një trafikant të qenieve njerëzore me destinacion Anglinë dhe ka mbyllur dosjet e këtij grupi të strukturuar kriminal. Lidhjet e papërshtatshme presupozohen me shtetasin H.M, i proceduar për trafik qeniesh njerëzore drejt SHBA. Gjithashtu denoncimi nënvizon se subjekti ka fshehur pasuri në emër të babait dhe vëllezërve. Në bazë të këtyre denoncimeve KPK ka ndërmarrë një hetim të thelluar duke administruar disa dosje penale, ku përfshihet dosja 8/2006 e Prokurorisë për Krime të Rënda – e transferuar në vitin 2007 në Prokurinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, ku është regjistruar si dosja 202/2007; si dhe dosjen 5156 të Prokurorisë së Krime të Rënda të transferuar në Prokurorinë e Tiranës.

Sipas KPK dosja 8/2006 e Prokurorisë për Krime të Rënda, për kalim të paligjshëm të kufirit dhe organizatë të strukturuar kriminale ka pasur të pandehur shtetasit H.M, P.B, etj. Në dosjen hetimore rezulton se është përgjuar një sms midis personit të hetuar P.B dhe një personi tjetër, ku P.B i dërgon emrin dhe numrin  e telefonit të prokurorit Shpëtim Kurti. Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka transferuar dosjen për P.B dhe H.M në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër. Në janar 2008 Prokuroria e Gjirokastrës e ka pushuar çështjen ndaj shtetasit H.M.

Dosja 5165/2013 është transferuar gjithashtu në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë  nga Krimet e Rënda pasi ka rënë akuza për grup të strukturuar kriminal. Në prokurorinë e Tiranës, dosja është supervizuar nga subjekti, në atë kohë me detyrë zv. Prokuror i Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe është hetuar nga prokurori E.K. Dosja ka pasur të akuzuar shtetasin H.M dhe të tjerë për trafikimin të qenieve njerëzore. Në 29 maj 2016, shtetasi H.M është dënuar me 5 vjet heqje lirie, por ka përfituar 1/3 e uljes së dënimit. Sipas hetimit administrativ të KPK-së, për këtë dosje Prokuroria e Tiranës ka bërë hetime të kufizuara në periudhën 2013-2014, Një javë pas transferimit të çështjes, prokurori E.K ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë së të pandehurve, duke i liruar nga burgu. Mbas 34 ditësh nga transferimi i dosjes prokurori E.K i ka kthyer 3 celularë dhe 1 makinë shtetasit H.M, me argumentin se nuk duheshin si prova. Prokuroria i ka shtyrë disa herë hetimet me afat 3 mujor, duke u justifikuar me përkthimin në frëngjisht të një letër porosie. Relatori Hamitaj tha se veprimet hetimore të Prokurorisë së Tiranës kanë qenë pasive dhe joeficente dhe ajo është mjaftuar me hetimin e Krimeve të Rënda. Prokurori i çështjes ka kërkuar dënimin e subjektit H.M me 5 vjet burgim, masë minimale sipas Kodit Penal që parashikon deri në 10 vjet burgim për këtë vepër penale. Arsyetimi për këtë kërkesë për dënim minimal është shprehja e pendimit të thellë nga autorit për veprën penale. Ky pretendim i prokurorit nuk është i mbështetur nga dokumentet në dosje.

Sipas KPK-së prokurori Kurti nuk ka ushtruar kompetencat e tij si prokuror më i lartë për të përmirësuar hetimin e kësaj çështjeje. Gjithashtu KPK konstaton se prokurori nuk ka deklaruar kontaktin me personin e lidhur me krimin e organizuar, shtetasin H.M.

Në fjalën e tij prokurori Kurti tha se hetimi i KPK-së ndaj tij kishte zgjatur për 11 muaj. Avokati i tij kundërshtoi statusin e personit të lidhur për babain dhe vëllain, pasi pretendoi se sipas ligjit ky status i jepet vetëm personave me të cilët subjekti ka huadhënie ose dhurim. Më tej subjekti tha se do të bënte disa saktësime në lidhje me pasurinë dhe kontrollin e figurës.

Gjatë fjalës së tij ai shpjegoi disa çështje mbi mospërputhjet mbi çmimin e apartamentit në rrugën Sulejman Pasha, sipërfaqen tokës së përfituar me ligjin 7501, tokës së dhënë për ndërtim në Tiranë, shitjes së pronës dhe të ardhurave të vëllait në Angli. Për këto të fundit Kurti deklaroi se do sillte dokumente shtesë nga Western Union. Ndërkohë ai u ndal dhe në raportin e DSIK dhe lidhjen e tij me shtetasin H.M. Subjekti deklaroi se ai dhe shtetasi H.M e kishin origjinën nga njësia administrative Golaj në bashkinë e Hasit. Ai pranoi se me këtë shtetas është takuar rastësisht me 8 janar 2013.

“Raporti shprehet se futen në lokal 3 shtetas, dhe pasi dalin janë përshëndetur dhe shpërndarë,” tha Kurti.

Ai nënvizoi se Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka regjistruar çështjen ndaj shtetasit H.M në dhjetor 2013 pa autor.

“Në momentin e takimit tim rastësor, nuk pasur ndjekje penale ndaj shtetasit H.M,” tha Kurti, duke shtuar se H.M është marrë i pandehur 3 muaj më vonë në 29.03.2013, “pas takimit tim rastësor.”

Kurti tha se në raportin e DSIK konsiderohet si subjekt me tendenca kriminale.

“Si ka mundësi që në 11 vite vëzhgim të vazhdueshëm nuk më kanë gjetur veçse një takim të rastësishëm me shtetasin H.M,” pyeti ai.

Ai kundërshtoi pretendimin e DSIK se shtetasi H.M, e ka ndihmuar të dërgoi djalin e xhaxhait në Angli në 09.06.2013, i cili sipas Kurtit është i sëmurë me azotemi.

“H.M ka qenë i arrestuar gjatë kësaj periudhe dhe nuk ka pasur mundësi ta dërgojë E.K në Angli,” tha Kurti.

Në fund të fjalës së tij prokurori kërkoi konfirmimin në detyrë. Vendimi i KPK-së jepet të premten me datë 23 nëntor, ora 9.40.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *