Gjyqtarja Iliba Bezati pas seancës së KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme

KPA njihet me kërkimet përfundimtare në çështjen e gjyqtares Iliba Bezati

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të enjten më 25 korrik me konkluzionet përfundimtare në çështjen e gjyqtares së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Iliba Bezati. Komisioneri Publik Florian Ballhysa, në përfundim të procesit në KPKA, vlerësoi se Bezati nuk arrin nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë dhe ashpërsoi kërkimin e tij të ankimit, duke i qëndruar vetëm alternativës së shkarkimit të saj nga detyra. Ndërsa subjekti i rivlerësimit e cilësoi të drejtë vendimarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin e saj në dytë dhe kërkoi që të lihet në fuqi.

KPK vendosi më 1 mars 2021 të konfirmojë në detyrë gjyqtaren e Apelit Vlorë, Iliba Bezati, pasi rrëzoi dy raporte negative të institucioneve ndihmëse ndaj saj për pasurinë dhe figurën. Komisioni vlerësoi se Bezati nuk mbante përgjegjësi mbi ligjshmërinë e burimit të të ardhurave të vjehrrës që kishin shërbyer si burim kryesor i pasurisë së saj.

Komisioneri Ballhysa vlerësoi se konkluzionet e Komisionit nuk bazoheshin në një hetim të plotë. Ai i kërkoi Kolegjit që të vlerësojë ligjshmërinë e dhurimeve në vlera të konsiderueshme që kanë shërbyer për krijimin e pasurive dhe të një vendimi të Apelit Vlorë të rrëzuar nga Gjykata e Lartë, si dhe të vendoste në mënyrë alternative, lënien në fuqi ose ndryshimin e vendimit të KPK për Bezatin.

Ballhysa tha të enjten se shkaku ankimor mbi ligjshmërinë e burimeve të dhurimeve nga persona të tjerë, është ezauruar si pasojë e evoluimit të jurispudencës së Kolegjit.

Lidhur me një hua 30 mijë euro të marrë nga Bezati dhe bashkëshorti i saj për blerjen e një apartamenti në Tiranë, për të cilën Komisioneri ngriti në ankim pikëpyetje mbi analizën e ligjshmërisë së burimeve që kanë shërbyer, ai konkludoi në fund të procesit se mangësitë e konstatuara lidhur me dokumentimin e plotë të rrethanave faktike për kalimin e shumës së deklaruar si të marrë hua, nuk e ngarkojnë me përgjegjësi subjektin e rivlerësimit.

Në vijim, Komisioneri paraqiti përfundimet e tij për analizën financiare lidhur me burimet që kanë shërbyer për krijimin e pasurive dhe mbulimin e shpenzimeve. Ai u shpreh se ka vlerësuar të marrë në konsideratë prapësimet e paraqitura nga subjekti lidhur me mënyrën e deklarimit të kursimeve cash, në deklaratat periodike vjetore.

Ballhysa konstatoi se për të ardhurat e deklaruara nga qiradhënia e apartamentit të banimit në Tiranë, për vitet 2011- 2015, nga verifikimi i akteve në dosje ka rezultuar se në deklaratën “veting”, subjekti ka deklaruar të ardhura nga qiraja në vlerën totale 2 milionë e 950 mijë lekë, si dhe ka shënuar se nga çmimi i qirasë është zbritur tatimi mbi të ardhurat individuale.

Sipas tij, Bezati ka deklaruar në vite dhënien me qira të apartamentit në Tiranë, për periudhën 2010 – 2015. Po ashtu, ka rezultuar një kontratë qiraje për pagesën e shumës 50 mijë lekë në muaj, si dhe se ka pasur konsum të utiliteteve në këtë pasuri. Këto rrethana, sipas Komisionerit, e bëjnë të besueshëm deklarimin e Bezatit mbi marrëdhënien e qiradhënies në kohën e pretenduar.

Ndërkohë, ai konstatoi se detyrimet tatimore për të ardhurat nga qiraja në janar të vitit 2017, kur dhe është dorëzuar deklarata “veting”.

Për të ardhurat e bashkëshortit të subjektit nga shitja e librit në vitin 2011 në masën 365 mijë lekë, Komisioneri evidentoi kontratën e lidhur për porosinë e shitjeve si dhe një kreditim në shumën 350 moijë lekë, me përshkrimin për likujdimin e librave. Detyrimet tatimore nga shitja e librit dhe në këtë rast janë shlyer në janar të vitit 2017, së bahsku me ato për qiratë.

Komisioneri Publik, duke ju referuar edhe jurispudencës së Kolegjit, vlerëson se gtë ardhurat për të cilat janë paguar detyrimet tatimore pas hyrjes në fuqi të legjislacionit për vetingun e magjistratëve, të mos përfshihen si burime të ligjshme.

Bazuar në këto rrethana, Ballhysa vlerëson se Bezati rezulton me mungesë të burimeve financiare të ligjshme në shumën rreth 3.6 milionë lekë, për të mbuluar shpenzimet dhe kursimet e deklaruara ndër vite. Sipas tij, kjo pamundësi nuk mund t’i nënshtrohet parimit të proporcionalitetit.

Komisioneri konstatoi se, në këtë vlerë pamjaftueshmërie, të ardhurat e deklaruara si të përfituara nga qiraja e apartamentit për vitet 2011-2015 janë në total në shumën 2,4 milionë lekë. Pjesa tjetër e diferencave negative të konstatuara ndër vite, sipas Ballhysës ka të bëjë me shpenzimet e jetesës së vitit 2007; përjashtimin e të ardhurae t përfituara në formën e dietave, si dhe shpenzimet e udhëtimit.

Në përfundim të konkluzioneve për pasurinë, Ballhysa u shpreh se gjyqtarja bezari nuk arrin nivel të besueshëm në këtë kriter.

Në aspektin profesional, ai kërkoi që Kolegji të vlerësojë një vendimarrje të subjektit të vitit 2013. Komisioneri i kërkoi trupit gjykues të KPA-së që të shkarkojë nga detyra gjyqtaren Iliba Bezati.

Gjyqtarja Bezati u shpreh se në kushtet kur Komisioneri ka konsideruar mënyrën e deklarimit të kursimeve cash, nga aktet e administruara rezulton se vendimi i Komisionit është i drejtë.

Ajo vërejti se pagat dhe honoraret e bashkëshortit janë vërtetuar me dokumentacion bankar, që kanë vlerën e provës. Sipas saj, pasaktësitë e pashoqëruara me bilance negative nuk mund të jenë penalizuese.

Sipas Bezatit, KPK ka verifikuar gjithë udhëtimet dhe dietat, prej nga është konsideruar se kanë qenë të mbuluara nga punëdhënësit.

Lidhur me të ardhurat nga qiradhënia e apartamentit në Tiranë dhe prej shitjes së librit nga bashkëshorti, subjekti theksoi se provohet ekzistenca e tyre në kohëmn kur janë deklaruar. Subjekti tha se i kishte shlyer detyrimet para deklaratës veting. Sipas saj, e kishte konstatuar mospagimin e detyrimeve për këto të ardhura kur ishte duke plotësuar deklaratën “veting” dhe i kishte kërkuar bashkëshortit që t’i shlyente.

Ajo solli në vëmendje se ka raste kur subjekteve u janë konsideruar të ardhurat, edhe kur janë shlyer me vonesë detyrimet tatimore. Bezati argumentoi se shlyerja me vonesë e detyrimeve parashikohet dhe në legjislacionin përkatës që përcakton sanksionet. Subjekti këmbënguli se detyrimet për këto të ardhura janë paguar para dorëzimit të deklaratës “veting” dhe për rrjedhojë I përmbushin kushtet për t’u konsideruar si burime të ligjshme.

Bezati kërkoi që të lihen në fuqi edhe konkluzionet e tjetra të Komisionit lidhur me shpenzimet e vitit 2007. Sipas saj, në raste të tjera të ngjashme nuk ka pasur ankim.

Lidhur me shpenzimet e udhëtimit, subjekti shpjegoi se kanë depozituar dokumente për rastet kur kanë qenë të mbuluara nga puna apo nga organizatorët e trajnimeve.

Ajo këmbënguli se përfundimet e KPK për pasurinë e saj, janë të drejta e duhet të lihen në fuqi. Po ashtu, ajo kërkoi të lihet në fuqi edhe konstatimi për çështjen në aspektin profesional, duke theksuar se kishte vendosur bazuar në prova dhe në bindjen e brendshme.

Kolegji njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 30 korrik, në orën 10:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *