Ndihmësi ligjor i Gjykatës së Lartë, Periand Teta pas vendimit të KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

Ndihmësi ligjor, Periand Teta konfirmohet në detyrë

Ndihmësi ligjor pranë Gjykatës së Lartë, Periand Teta u konfirmua në detyrë të martën më 1 tetor nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK, pas një sesance dëgjimore gjatë së cilës nuk u evidentuan probleme në asnjë prej kritereve të rivlerësimit kalimtar, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK e kryesuar nga Genta Tafa Bungo, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtar Roland Ilian. Procesi i vetingut për Tetën u monitorua nga vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs.

Periand Teta ka ushtruar funksionin e ndihmësit ligjor në Gjykatën e Lartë, prej shkurtit 2014 deri në korrik të 2017-ës, kur është liruar nga detyra me urdhër të ish-kryetarit të atëhershëm. Urdhri lirimit ka ardhur pasi Teta ka kërkuar të dijë për vijueshmërinë e punës së tij, në kushtet që gjyqtares pranë të cilës punonte si këshilltar, i kishte përfunduar mandati në qershor të vitit 2016.

Gjatë hetimit administrativ të mëparshëm për Tetën, Komisioni konstatoi se ai dhënë pëlqimin në mënyrë të heshtur për ndërprerjen e kontratës së tij të punës si ndihmës ligjor, pasi nuk e ka ankimuar atë në gjykatë. Megjithatë Teta ka parashtruar kërkesën për t’iu nënshtruar procesit të rivlerësimit vullnetarisht si ish-këshilltar, pasi plotësonte kriterin trevjeçar të punësimit që i jepte statusin si ndihmës ligjor.

Me argumentin se nuk provohej që Teta të kishte punuar si ndihmës ligjor për tre vjet, Komisioni çmoi se ai nuk bën pjesë në kategorinë e subjekteve të rivlerësimit ex officio dhe as nuk mund të trajtohet si ish-këshilltar. Për rrjedhojë, hetimi i mëparshëm administrativ u përmbyll pa një vendim përfundimtar.

Komisionerja Publike, Irena Nino e ankimoi si të pabazuar vendimmarrjen e Komisionit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA, duke e konsideruar arsyetimin e fakteve dhe rrethanave ligjore jo të qartë dhe të pamjaftueshëm për shmangien e zbatimit të nenit G të aneksit të Kushtetutës, ku përcaktohet se në rastet e dorëheqjeve të subjekteve të rivlerësimit, vendoset dhe sanksioni që u ndalon rikthimin në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

Teta paraqiti apel kundërshtues në KPA, kundër ankimit të Komisioneres Publike duke pretenduar se argumentet e ngritura janë hipotetike, në kontradiktë të hapur me logjikën arsyetuese dhe në mungesë të mirëfilltë të fakteve e provave. Në përfundim të procesit në Kolegj, Teta kërkoi lënien në fuqi të vendimmarrjes së Komisionit, ose urdhërimin e vijimit të hetimit administrativ ndaj tij.

KPA çmoi se Teta kishte dëshmuar në mënyrë të qartë vullnetin e tij për t’iu nënshtruar procesit të vetingut dhe urdhëroi Komisionin për vijimin e procesit kalimtar për këtë subjekt rivlerësimi.

Gjatë seancës dëgjimore të martën, nuk u relatuan probleme për një apartament në Pogradec të blerë nga subjekti për çmimin 3.5 milionë lekë dhe për një automjet të blerë në 2010-ën për 5000 euro, para fillimit të detyrës. Po ashtu, nuk janë gjetur probleme për një depozitë në bono thesari në shumën 2.2 milionë lekë dhe gjendje cash 1 milion lekë.

Komisioni e ka shtrirë hetimin dhe në pasuritë e nënës së subjektit. Për një apartament të blerë nga prindërit në vitin 2001, ka rezultuar një bilanc negativ në shumën 67 mijë lekë, që sipas KPK nuk sjellë pasojë. Po ashtu, nuk u evidentuan proleme për rreth 900 mijë lekë likujditete bankare në emër të nënës.

Në seancë nuk u evidentuan probleme as për analizën financiare e përgjithshme, të kryer për të ardhurat dhe shpenzimet e subjektit dhe familjarëve të tij.

Ndihmësi ligjor Periand Teta mori vlerësim pozitiv dhe për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Rreth gjysmë ore pas përfundimit të seancës dëgjimore, Komisioni shpalli vendimarrjen për konfirmimin në detyrë të këtij subjekti rivlerësimi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *