Prokurori Lazër Çardaku pranë Prokurorisë së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm po përballet të enjten më 7 nëntor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i tij i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Alma Faskaj, Xhensila Pine dhe Pamela Qirko.
Lazër Çardaku e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 si prokuror në Prokurorinë e Shkodrës. Ai ka drejtuar Prokurorinë e Matit në vitet 2008-2012 dhe më pas e ka ushtruar funksionin si prokuror i shkallës së parë dhe i Apelit.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë familjare të prokurorit Lazër Çardaku nga viti 2003 deri në fund të vitit 2019.

Në deklarimin për herë të parë në vitin 2003, prokurori Lazër Çardaku deklaronte pasuri me vlerë 1.4 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2019, pasuria e tij familjare kap vlerën e 10.4 milionë lekëve.
Ai zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë gati 9.9 milionë lekë, kursime në cash prej 400 mijë lekësh si dhe pasuri të luajtshme prej 161 mijë lekësh.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 30 milionë lekë, nga të cilat 71% kanë si burim pagën e subjektit, gati 19% pagat e familjarëve dhe 8.8% burojnë nga rivlerësimi i pasurive të paluajtshme.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 16 vite të deklarimit, asnjë prej deklaratave nuk rezulton me probleme.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” një kontratë sipërmarrje të djalit të subjektit në vitin 2019. Sipas deklaratës përkatëse, djali i subjektit Lazër Çardaku deklaron kontratë për prenotim apartamenti me sipërfaqe 101 m2 dhe vlerë 5.8 milionë lekë, nga të cilat janë paguar vetëm 400 mijë lekë.




