Kledian Llaho në KPK
Lajme

ILD kërkon procedim të dytë disiplinor për prokurorin e pezulluar për korrupsion

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ILD kërkon një masë disiplinore të dytë ndaj drejtuesit të Prokurorisë së Sarandës Kledian Llaho, gjatë muajve të fundit. Procedimi i parë disiplinor ka të bëjë me një çështje të hetuar nga prokurori Llaho, ndërsa kërkimi i dytë i ILD-së lidhet me mënyrën e ushtrimit të funksionit të drejtësit nga ana e tij. Ndërkohë, Llaho u pezullua nga detyra rreth 10 ditë më parë me vendim të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar pasi dyshohet se ka kryer veprime me natyrë korruptive, duke kërkuar përftime të parregullta materiale, nga të cilat do të përfitonte në mënyrë të drejtpërdrejtë vjehrri i tij.

Përfaqësuesit e ILD parashtruan më 10 janar konkluzionet e hetimit disiplinor të filluar ndaj prokurorit të Sarandës, Kledian LLaho lidhur me veprimet dhe mosveprimet e tij duke sjellë zvarritje në një çështje penale, si dhe për moszbatimin e detyrave të lëna nga gjykata. Përfaqësuesit e ILD-së pretenduan se Llaho kishte bërë shkelje të rëndë disiplinore dhe kërkuan të caktohet masa e uljes së pagës në masën 40% për një periudhë njëvjeçar. Llaho i cilësoi të pabazuara konstatimet dhe kërkimet e ILD-së dhe procesin disiplinor të ngritur ndaj tij si fyes. Lidhur me këtë kërkesë, Këshilli i Lartë i Prokuorisë do të shprehet me 30 janar.

Sipas ILD-së, procedimi i dytë lidhet me një tjetër shkelje disiplinore, që ka të bëjë me mospërmbushje të detyrimeve të përcaktuara në ligj në cilësinë e drejtuesit, si dhe me shkelje të përsëritura të rregullave të sjelljes në marrëdhëniet me magjistratët e tjerë.

Të hënën prokurori Llaho paraqiti kërkesë për shtyrjen e seancës dëgjimore lidhur me procesin e dytë disiplinor, me argumentin se do të përfaqësohet nga një avokat. Kërkesa u pranua nga KLP që vendosi të shtyjë seancën dëgjimore për më datë 27 shkurt, në orën 10:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *