Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të hënën më 27 janar me parashtrimet në çështjen për prokuroren e Tiranës, Elfrida Bregova. Ky subjekt rivlerësimi u konfirmua në detyrë më 8 prill 2022 pasi e bindi Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për ligjshmërinë e burimeve të krijimit të pasurive, si dhe për rrethanat e një transferte bankare në emër të bashkëshortit për pagesën e çmimit të një apartamenti, që subjekti pretendoi se ishte kryer duke falsifikuar nënshkrimin dhe e kishte kallëzuar në prokurori.
Gjetjet për mënyrën e pagesës së çmimit në Tiranë, përbëjnë shkakun e ngritur në ankimin e ish-institucionit të Komisionerëve Publikë lidhur me kriterin e pasurisë. Në ankim vlerësohet i pambështetur në prova përfundimi i Komisionit lidhur me pagesën në shumën 21 mijë e 493 euro të kryer në rrugë bankare për blerjen e apartamentit me sipërfaqe 97.3 m2 dhe verandë 73.5 m2 në Tiranë, kundrejt çmimit 104 mijë euro. Sipas Komisionit, subjekti ka depozituar dokumente që vërtetojnë se në ditën dhe në momentin kur rezulton të jetë kryer transferta bashkëshorti i saj nuk ndodhej në Tiranë, por në Shkodër, ku ka marrë pjesë në seanca gjyqësore në cilësinë e prokurorit.
Bregova pretendon se pagesat për apartamentin janë kryer cash dhe se ajo e bashkëshorti nuk kanë lidhje me transfertat bankare në fjalë. Ajo ka kryer kallëzim penal në Prokurorinë e Elbasanit lidhur me këtë rrethanë, prej nga është konstatuar nëpërmjet një akt ekspertimi se nënshkrimi është i falsifikuar.
Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani tha të hënën se u qëndronte gjithë shkaqeve të ngritur në ankim, me argumentin se vendimi i Komisionit nuk është i bazuar në një hetim shterues. Sipas tij, ka të dhëna kontradiktore lidhur me pagesën dhe mënyrën e transaksionit për apartamentin. Dumani kërkoi çeljen e hetimit gjyqësor dhe administrimin e informacioneve nga ana e shoqërisë ndërtuese lidhur me pagesat e kryera për apartamentin. Po ashtu, kërkoi që KPA të mundësojë administrimin e akteve të Prokurorisë së Elbasanit lidhur me hetimin e kryer bazuar në kallëzimin e kryer për falsifikim të mandatit bankar.
Prokurorja Bregova këmbënguli se pagesat për çmimin e apartamentit janë kryer në cash, në dy këste, i pari prej 97 mijë euro në momentin e nënshkrimit të kontratës së sipërmarrjes dhe 7 mijë euro kur është hipotekuar banesa. Sipas saj, kur është kryer pagesa në bankë në Tiranë, bashkëshorti ka qenë duke ushtruar detyrën në Prokurorinë e Shkodrës dhe nuk mund të gjendej në të njëjtën kohë në dy vende.
Subjekti pretendoi se ka qenë shoqëria që ka depozituar pjesë-pjesë në bankë vlerën e marrë cash, por se bashkëshorti dhe ajo skanë lidhje me ato pagesa. Ajo shtoi se, lidhur me transfertat bankare ka kryer kallëzim për falsifikim dhe shpërdorim detyre pranë Prokurorisë së Elbasanit dhe se çështja është dërguar për gjykim.
Bregova deklaroi se kishte depozituar kopje të gjithë fashikujve të hetimit të kryer në funksion të kallëzimit të saj.
Lidhur me figurën, Dumani vërejti se raporti i dërguar nga ish-Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar nuk përfshinte të dhënat e dërguara nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe kërkoi që të riparohet kjo mangësi duke ripërtërirë raportin për figurën.
Prokurorja Bregova tha se është e hapur për çdo lloj verifikimi lidhur me figurën dhe kërkoi që të mos pranohet ankimi e të lihet në fuqi vendimarrja e KPK.
Subjekti u pyet nga vëzhguesi ndërkombëtar lidhur me kontradiktat e konstatuara në kontratat e nënshkruara në të njëjtën kohë për apartamentin. Subjekti pretendoi se bëhej fjalë për dy modalitete që përdoreshin nga gjithë blerësit e që nuk kanë fuqi ligjore, ndërsa në kontratë ishte përcaktuar çmimi real dhe mënyra e pagesës. “Ne kemi respektuar kontratën e sipërmarrjes”, tha ajo.
Ndërkohë, Bregova pranoi konstatimin e Jacobs se shoqëria ndërtuese kishte informuar se pagesat ishin kryer nëpërmjet bankës, por ajo pretendoi se kjo kishte ndodhur për arsye të pakujdesisë së punonjësve të kompanisë, pasi ai që mbante të dhënat e shoqërisë kur ishte kryer transaksioni, kishte dalë në pension.
Në përfundim, Kolgji çeli hetimin dhe administroi provat e dorëzuara nga subjekti. Po ashtu, u vendos që të merreshin informacione nga shoqëria ndërtuese dhe t’i kërkohej Autoritetit Kombëtar të Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar të përditësonte raportin e figurës për Bregovën.




