Prokurori Arian Ndoja pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: LSA
KPK Lajme Veting

Kontaktet e papërshtatshme, KPK shkarkon prokurorin Arian Ndoja

Prokurori i Durrësit Arian Ndoja u shkarkua të premten nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pas rivlerësimit në dy prej kritereve.

Gjatë seancës dëgjimore trupa e përbërë nga Olsi Komici kryesues, Xhensila Pine anëtare dhe Firdes Shuli relatore vunë në dukje lidhjet e Ndojës me të paktën dy persona që u cilësuan me precedentë penalë dhe të rrezikshëm.

Po ashtu KPK vuri në dukje probleme të Ndojës sa i përket disa dosjeve. Vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs i tha Ndojës se ai i kishte shtyrë sëtepërmi kufijtë e etikës.

I hetuar nga Komisioni vetëm për figurën dhe profesionalizmin, Ndoja i mohoi akuzat dhe i cilësoi ato thashetheme dhe pa fakte. Ai po ashtu përmendi sulmet nga kryeministri Edi Rama dhe ish-zv.kryeministri Erion Braçe pas arrestimit të një prej drejtuesve të hipotekës së Durrësit, si sulme politike ndaj tij. Pas vendimit të shkarkimit Nodja tha se do e apelonte vendimin dhe përmendi gjykatën e Të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Ndoja u sulmua në një atentat në nëntor të vitit 2019, në të cilin ai dhe një person i identifikuar si Aleksandër Laho u plagosën, ndërsa shoferi i Ndojës Andi Maloku mbeti i vrarë. Disa persona janë të akuzuar për atentatin, por çështja është ende në proces.

Atentati ishte kyç edhe në procesin e vetingut të Ndojës. Laho, i njohur me disa emra, u cilësua nga KPK si një prej kontakteve të papërshtatshme të prokurorit. Po ashtu u cilësua edhe ndërtuesi E.Sh, me të cilin ata ishin takuar para atentatit.

Arian Ndoja përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002 dhe punoi fillimisht si prokuror në Prokurorinë e Durrësit. Në vitin 2004, Ndoja u largua nga prokuroria dhe punoi si avokat deri në vitin 2008, kur u rikthye në sistem.



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *