Prokurorja Lindita Ziguri Male pas vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Foto: LSA
Korrupsioni KPA Lajme Vendi

Kolegji konfirmon me shumicë votash prokuroren Lindita Ziguri

Shumica e trupës gjykuese në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit i konsideroi të pamjaftueshme shkaqet e ngritura nga Komisioneri Publik për prokuroren Lindita Ziguri Male – duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë.

Prokurorja Lindita Ziguri Male pas vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Foto: LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit shpalli të hënën vendimin për lënin në fuqi të konfirmimit në detyrë të prokurores së Tiranës, Lindita Ziguri Male, aktualisht inspektore pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Kryesuesja e trupi gjykues, Ina Rama deklaroi se vendimi i konfirmimit ishte marrë me shumicë votash – duke arritur në përfundimin se shkaqet e ngritura nga Komisioneri Publik nuk ishin të mjaftueshme për ndryshimin e vendimit të KPK-së.

Në seancën e konkluzioneve përfundimtare më 2 dhjetor, komisioneri Florian Ballhysa kërkoi shkarkimin e prokurores Lindita Ziguri Male për ‘deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë dhe cënim të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë’.

Komisioneri konstatoi se megjithëse rezultonte se bashkëshorti i subjektit apo shoqëria e tij nuk kishin kryer investime dhe nuk kishin pasur përfitime nga veprimtaria në fushën e ndërtimit për periudhën 2005-2007, ai theksoi se nuk është plotësuar detyrimi për të deklaruar transaksionet. Gjithashtu, Ballhysa theksoi se nuk ishte dokumentuar kthimi i një shume 40 mijë euroshe, që sipas një kontrate porosie shënohej se ishte përfituar nga bashkëshorti i subjektit prej porositësit.

Shumica e trupës gjykuese të KPA argumentoi se shumat rezulton të jenë pagesa të kryera për llogari të shoqërisë dhe jo të bashkëshortit të subjektit. Gjithashtu, prej Kolegjit është konkluduar se bashkëshorti i Zigurit nuk mbarte detyrimin për deklarimin e këtyre transaksineve dhe për rrjedhojë, subjekti nuk gjenedet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe as në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm.

Për huamarrjet e bashkëshortit në vitet 1993-1994, KPA konstaton se u provua që subjekti nuk është gjendur asnjëherë në kushtet e konfliktit të interesit me huadhënësit.

Po ashtu, Kolegji vlerëson se subjekti nuk ka qenë në dijeni gjatë deklaratës ‘veting’ të një detyrimi që i ka lindur bashkëshortit nga një vendim i Gjykatës së Përmetit të vitit 2002 për zëvendësimin e debitorit.

Lidhur me konstatimin e Komisionerit për mungesën e burime të dajës së subjektit për dhënien e një huaje 5000 euro në vitin 2008 për blerjen e një apartamenti, Kolegji vlerëson se nuk është provuar bindshëm pamundësia e huadhënësit.

Duke marrë në konsideratë faktin se vajza e huadhënësit ka jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, KPA çmon se mungesa e burimeve për pagesën e këstit të parë mbështetet në të dhëna jo të plota.

“Analiza e kryer në Kolegj nuk konfirmon plotësisht mungesën e burimeve të ligjshme dhe nuk mund të konsiderohet si deklarim i pamjaftueshëm,” tha Rama.

Për pretendimin e Komisionerit për mungesën e një arsyetimi të plotë nga ana e KPK lidhur me mosdeklarimin në deklaratën “veting” të detyrimit të bashkëshortit sipas vendimit të gjykatës së Përmetit, në Kolegj u krijua bindja se subjekti nuk kishte pasur dijeni dhe se nuk kishte pasur motiv apo arsye për mosdeklarim.

Në fund, kryesuesja Ina Rama tha se subjekti kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë dhe figurën si dhe nivel të mirë për profesionalizmin, duke fituar votat e shumicës për konfirmimin e saj në detyrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *