Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA e gjeti të drejtë vendimarrjen e Komisionit për shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Korçës, Ariola Kristo, për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë. Një hua 1.5 milionë lekë e deklaruar në vitin 2005 se kishte shërbyer si burim për një banesë, mbeti declarative dhe në KPA e nuk u konsiderua në analizë. Po ashtu, në analizën e përgjithshme u gjet pamundësi financiare në vlerën 4 milionë, që u konsiderua se nuk mund të lejonte aplikimin e parimit të proporcionalitetit.
Ariola Kristo përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2003 dhe u emërua gjyqtare në Gjykatën e Korçës, ku punoi prej gati dy dekadash, deri në momentin e shkarkimit. Ndryshe nga konkluzioni për pasurinë, ajo u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe për profesionalizmin u konkludua se kishte arritur nivel kualifikues.
Vlerësimi i pasurisë
Komisioni konkludoi se gjyqtarja Kristo nuk arriti të provonte burimet e ligjshme që kanë shërbyer për blerjen e një trualli dhe ndërtimin e një banese me tre kate + bodrum në qytetin e Korçës. Po ashtu, u konstatua se Kristo nuk ka deklaruar në vitin 2006 ndërtimin e objektit dhe prishjen e banesës së vjetër të blerë prej bashkëshortit në nëntor të 2005-ës. Tjetër gjetje kishte të bënte me mosdeklarimin në vitet 2006 dhe 2007 të lejes së ndërtimit, kontratës me shoqërinë ndërtuese, si dhe lejen për prishjen e ndërtimit dhënë kësaj kompanie.
Si burime të krijimit të kësaj pasurie janë deklaruar një hua e marrë me kontratë verbale në vitin 2005 nga xhaxhai i bashkëshortit S.K., në vlerën 1,5 milionë lekë; dy kredi marrë në “Alpha Bank”, e para ka vlerën 30 mijë euro dhe e dyta 2,5 milionë lekë; si dhe një hua marrë nga Th. L., me kontratë noteriale të tetorit 2011 në shumën 2,5 milionë lekë. Huaja e marrë në vitin 2011 është përdorur kryesisht për të shlyer kredinë e dytë nga “Alpha Bank”, në vlerën 2,5 milionë lekë.
Kristo ka deklaruar si burime dhe kursimet e gjithë familjarëve para martesës, në shumën totale 2.1 milionë lekë, që kanë qenë të depozituara në dy llogari bankare, si dhe kursime të tjera në vlerën 400 mijë lekë. Gjithashtu, ka deklaruar se prindërit e bashkëshortit kanë kontribuar dhe me një vlerë 20 mijë euro të përfituar nga shitja e banesës.
Komisioni vlerësoi se Kristo nuk provoi marrjen e huasë 1.5 milionë lekë në nëntor të vitit 2005 që është deklaruar se ka shërbyer për blerjen e truallit, si dhe as burimet e ligjshme të huadhënësit për kursimin e kësaj shume.
Pamundësi financiare e pjesshme ka rezultuar dhe në krijimin e kursimeve para martesës. Ndërkohë, është konkluduar se subjekti dhe bashkëshorti kanë pasur mundësi për të kursyer vlerën 400 mijë lekë nga të ardhurat prej pagave gjatë vitit 2015.
Komisioni nuk ka gjetur probleme në kredinë me vlerë 30 mijë euro, ndërsa për vlerën 2.5 milionë lekë është konstatuar mospërputhje lidhur me qëllimin e marrjes së saj.
Në fund të analizimit të burimeve të krijimit të truallit dhe objektit tre kate + bodrum, si dhe të mobilimit dhe grilave të jashtme, Komisioni ka konstatuar balancë negative në shumën 3.2 milionë lekë.
Nga analiza financiare e përgjithshme për periudhën 2003 – 2016 është konkluduar pamundësi financiare në vlerën totale, 4.5 milionë lekë.
Subjekti në ankim ka kundërshtuar Komisionin lidhur me pasaktësitë, mosdeklarimet dhe mospërputhjet e konstatuara. Ajo u ka qëndruar deklarimeve të dhëna në KPK, duke shpjeguar se mosdeklarimi në vitin 2005 i ndërtesës ekzistuese mbi truallin 159 m2, ka ardhur si pasojë e faktit se objekti ka qenë tejet i amortizuar, i pabanueshëm, gjysmë i rrënuar dhe se çmimi në kontratën e shitblerjes përfaqësonte vetëm truallin dhe jo banesën, që më vonë është prishur për të ndërtuar mbi të shtëpinë ekzistuese.
Për mosdeklarimin në vitet 2006 dhe 2007 të prishjes së ndërtesës së vjetër dhe ndërtimit të banesës së re, Kristo ka deklaruar se vjen si pasojë e faktit se shtëpia ka qenë në ndërtim e sipër, duke mos pasur entitet si send, as fizikisht e as juridikisht. Subjekti ka konsideruar se kjo pasuri do të deklarohej kur të përfundonte e të regjistrohej.
Po ashtu, ajo nuk e gjen të drejtë konstatimin e Komisionit për deklarim të pasaktë lidhur me vlerën e ndërtimit dhe investimit të objektit, duke nënvizuar se ndryshe nga deklarata e periodike kur ka shënuar shumën 7 milionë lekë, në atë veting ka pasqyruar vlerën 14.9 milionë lekë që përfshin dhe vlerën e truallisht, shpenzimet e mobilimit dhe vendosjen e grilave të jashtme në vitin 2013.
Kolegji çmon se, në kushtet kur në deklaratën veting, Kristo ka shënuar gjithë të dhënat për banesën, pasaktësitë në deklaratat periodike vjetore mbeten pa lidhje në analizimin e kësaj pasurie. Për rrjedhojë, KPA vlerëson se mbetet me peshë verifikimi në drejtim të mjaftueshmërisë së burimit të të ardhurave të ligjshme.
Trupi gjykues i KPA-së konstaton se Komisioni ka njohur si vlerë të ndërtimit të banesës tri kate dhe bodrum, atë të deklaruar në deklaratën e pasurisë veting në vlerën 10 milionë lekë, duke e ndarë në vitet 2007 dhe 2008, respektivisht 7 milionë lekë dhe 2.9 milionë lekë. Ndërkohë gjendet i padrejtë konkluzioni i KPK, se subjekti dhe bashkëshorti kanë bërë deklarim të pasaktë lidhur me vlerën e ndërtimit dhe investimit në banesën me tri kate.
Sipas Kolegjit, është i drejtë pretendimi i Kristos se vlera 14.9 milionë lekë, përveç ndërtimit sipas akt kolaudimit, përfshin edhe vlerën e truallit, shpenzimet e mobilimit dhe vlerën e grilave të jashtme të banesës të vendosura në vitin 2013.
Për verifikimin e mundësisë financiare për krijimin e kësaj pasurie, Komisioni, në rezultatet e hetimit administrativ dhe në vendim, ka analizuar më vete secilin nga burimet.
Komisioni ka konstatuar se totali i burimeve të deklaruara rezulton në vlerën 13.1 milionë lekë, ndërsa investimi në total është deklaruar në vlerën 14.9 milionë lekë. Duke mos njohur si burim të ligjshëm, huanë në shumën 1.5 milionë lekë të deklaruar se është marrë në vitin 2005 me kontratë verbale, KPK ka arritur në konkluzionin se subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për krijimin e kësaj pasurie, pasi ka rezultuar me mungesë burimesh financiare të ligjshme në vlerën 3.2 milionë lekë.
Pretendimi i subjektit se Komisioni është kontradiktor në vendim, pasi për shtëpinë ka përcaktuar dy balanca të ndryshme negative, një herë 3.2 milionë lekë dhe një tjetër 5.6 milionë lekë, gjendet i drejtë dhe nga Kolegji, që e konsideron si një lapsus të KPK-së.
Në vijim, KPA analizon burimet e deklaruara. Për huanë 1.5 milionë lekë, KPK ka konstatuar se marrja dhe kthimi kësaj vlerë janë bërë jashtë sistemit bankar dhe e vetmja provë shkresore mbetet deklarimi i vitit 2005, 2006 e 2007. Komisioni ka vlerësuar se këto deklarime nuk janë të mjaftueshme për dhënien dhe shlyerjen e huasë. Po ashtu, është konstatuar se nuk është provuar bindshëm vlera e të ardhurave të deklaruara se janë fituar nga huadhënësi.
Kristo ka pretenduar në ankim, se kontrata e huasë është joformale, se nuk ka qenë detyrim të jetë me shkrim, e po kështu as marrja dhe shlyerja e huasë nuk kanë qenë detyrim të kryheshin nëpërmjet sistemit bankar. Ajo ka nënvizuar se, në bazë të parimeve të objektivitetit e të barazisë përpara ligjit, të ndërthurur me njëri-tjetrin, rezultojnë të plotësuara kushtet e kërkuara në legjislacionin e vetingut të magjistratëve përsa u përket burimeve të ligjshme. Subjekti ka pretenduar se nuk mund të penalizohet për faktin se huadhënësi ka ndërruar jetë në vitin 2019, ndërkohë që situata mund të paraqitej ndryshe nëse do ishte gjallë, duke konfirmuar marrëdhënien e huasë, e të paraqiste prova për të vërtetuar të ardhurat e tij.
Sipas Kristos, pamundësia e konfirmimit të kësaj marrëdhënieje huaje nga huadhënësi, apo mundësia e tij financiare, aktualisht është për arsye objektive, si dhe për shkak të marrëdhënieve jo të mira me familjarët e huadhënësit.
Kolegji vëren se në kuadër të procesit të rivlerësimit, legjislacioni kërkon konfirmimin e marrëdhënies së huasë, si dhe detyrimin e subjektit e të personit të lidhur për të justifikuar ligjshmërinë e burimit të krijimit të saj.
“Fakti që personi tjetër i lidhur ka ndërruar jetë në qershor të vitit 2019, nuk e përjashton subjektin e rivlerësimit nga detyrimi ligjor i cili ka lindur përpara se huadhënësi të ndërronte jetë, dhe përpara plotësimit të deklaratës së pasurisë vetting”, vëren Kolegji.
Pretendimet e paraqitura që gjatë një kontrolli të ushtruar nga ILDKPKI-ja në vitin 2015, se marrëdhëniet e mira me xhaxhain ishin prishur si pasojë e një konflikti gjyqësor për pjesëtimin e një apartamenti, gjenden deklarative nga KPA. Kjo, pasi çështja gjyqësore ka përfunduar me pajtim mes palëve dhe është çmuar se nuk u provua pamundësia objektive e subjektit, për shkak marrëdhënieve jo të mira, qoftë edhe nëpërmjet deklarimit të këtij fakti në deklaratën e pasurisë veting.
Po ashtu, edhe Kolegji vlerëson se me aktet e dorëzuara, nuk është arritur të provohej mundësia e xhaxhait për dhënien e huasë 1.5 milionë lekë në vitin 2005.
Përpos këtyre fakteve, KPA konstaton se, edhe në një qëndrim tejet garantist, nëse huaja do të konsiderohej në mesin e burimeve të ligjshme, subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur do të rezultonin me pamundësi financiare për shlyerjen e këtij borxhi, duke e konvertuar balancën pozitive të vitit 2006 në negative dhe duke thelluar balancën negative të vitit 2007.
Po ashtu, janë konfirmuar dhe bilancet e tjera negative, ku nga analiza financiare e përgjithshme e kryer në KPA për këtë pasuri, ka rezultuar pamundësia financiare në vlerën 3.4 milionë lekë. Me qëllim mos përkeqësimin e situtës, është konfirmuar bilanci negativ 3.2 milionë lekë, i konstatuar prej KPK-së.
Ndërkohë, nga kontrolli i analizës financiare të përgjithshme për të ardhurat, shpenzimet e investimet në vite, ka rezultuar balancë negative 4 milionë lekë, nga 4.5 milionë lekë që kishte konkluduar Komisioni. Kjo pamundësi financiare është vlerësuar se e bën të pamundur zbatimin e parimit të proporcionalitetit, edhe në këndvështrim të pretendimit të subjektit, se bilanci negativ i takon asaj dhe bashkëshortit, i cili ishte dhe ai subjekt rivlerësimi, e për rrjedhojë duhet të përpjesëtohet mes të dyve.
Bashkëshorti i subjektit është dorëhequr nga detyra e prokurorit, pasi një muaj pas shkarkimit të saj, i janë njoftuar rezultatet e hetimit vetëm për kriterin e pasurisë. Kristo ka pretenduar se Komisioni ka qenë tejet paragjykues, pasi e ka vlerësuar bashkëshortin vetëm për pasurinë, nga dihej që dhe ai do të shkarkohej.
Trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se nuk qëndrojnë pretendimet, pasi Komisioni nuk ka dhënë masë shkarkimi për bashkëshortin e Kristos, por ka qenë ai vetë që me vullntet të lirë ka kërkuar heqje dorë nga statusi i prokurorit, ç’ka ka sjellë dhe aplikimin e sanksionit që i ndalon rikthimin në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.
Në përfundim, Kolegji ka arritur në konkluzionin se gjyqtarja Ariola Kristo ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë dhe ka lënë në fuqi shkarkimin e saj nga detyra.




