Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho ndryshoi qëndrimin e tij në çështjen e vetingut të prokurorit të Tiranës, Enklid Gjini. Pasi u njoh me provat, shpjegimet dhe argumentet ligjorë të parashtruar nga subjekti në seancat parardhëse, lidhur me shkaqet e ngritura në të tre kriteret, Braho gjatë konkluzioneve përfundimtare të hënën më 12 janar, i cilësoi ato bindëse dhe kërkoi përfundimisht lënien në fuqi konfirmimit të prokurorit Gjini.
Prokurori Enklid Gjini u konfirmua më 10 korrik të vitit 2023, me shumicë votash. Shumica e trupës së Komisionit konkludoi se subjekti arriti nivel të besueshëm për pasurinë dhe pastërtinë e figurës, si dhe nivel kualifikues për profesionalizmin. Ndërsa pakica vlerësoi se duhej shkarkuar për mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë; se ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm e ndërmarrë hapa për të fshehur pasurinë; si dhe se në vlerësimin tërësor të çështjes, ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia.
Për një apartament me sipërfaqe 53.5 m2 në Tiranë të blerë nga subjekti në vitin 2007, në ankim dhe gjatë parashtrimeve u konstatua se Gjini kishte nënshkruar akte me çmime të ndryshme për këtë pasuri, si dhe se rezulton me pamundësi financiare. Po ashtu, u vërejt se subjekti është përpjekur ta paraqesi në mënyrë të pasaktë këtë pasuri. Sipas ankimit, nga deklarimet e mëparshme të subjektit rezulton se para marrjes së kredisë, ishte paguar vlera 1.9 milionë lekë.
Gjini kundërshtoi gjatë parashtrimeve konstatimet e drejtuesit të SPAK, duke pretenduar se po anashkalohej fakti themelor në verifikimin e kësaj pasurie, ai i pagesës së çmimit me anë të një transferte bankare me shumën 20 mijë euro të marrë kredi, ku përcaktohet se ky transaksion është kryer sipas kontratës së shitblerjes. Lidhur me konstatimin se çmimi apartamentit 1.9 milionë lekë ishte shlyer jashtë zyrës noteriale, subjekti shpjegoi se një gjë e tillë është shënuar pasi ishte lënë ky apartament si garanci për kredinë. Sipas tij, pagesa e vetme ishte ajo në vlerën 20 mijë euro, e kryer me shumën e marrë kredi.
Braho konstatoi të hënën se, pasi u njoh me pretendimet dhe provat e subjektit, rezulton e provuar se prokurori Gjini ka transferuar vlerën 20 mijë euro tek shitësi apartamentit. Ai vërejti se subjekti kur ka kryer deklarimin e parë për këtë pasuri në vitin 2007, ka shënuar se çmimi ka qenë 1.9 milionë lekë. Po ashtu, ka deklaruar marrjen e kredisë 20 mijë euro për blerjen e apartamentit. Sipas Brahos, subjekti, veç kredisë, nuk ka deklaruar burim tjetër për këtë pasuri dhe se ai ka mbajtur gjithmonë të njëjtin qëndrim.
Drejtuesi i SPAK, deklaroi se shpjegimet e prokurorit Gjini janë bindëse, si për burimin e krijimit të kësaj pasurie, ashtu dhe për vlerën e saj. Ai shtoi, se dhe nëse do të konsiderohej pagesa e shumës tjetër, pamundësia që do mbetej, bazuar në parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit, nuk është e tillë që të sjellë shkarkim.
Lidhur me kriterin e figurës, Braho deklaroi se ishte njohur me raportin kofidencial të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, prej nga nuk ishin konstatuar dyshime lidhur me informacionet për dy çështje.
Po ashtu, nga shpjegimet e subjektit u gjetën të shëruar thuajse të gjitha shkaqet e ngritura në aspektin profesional. Konstatimi për mosnjoftimin e një vendimi, u vlerësua se i vetëm nuk mund të sjellë pasoja.
Në përfundim, drejtuesi i SPAK, Klodian Braho kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për konfirmimin në detyrë të prokurorit Enklid Gjini.
Subjekti paraqiti në mënyrë të përmbledhur konkluzionet e tij përfundimtare, kryesisht shpjegime që kishin të bënin me shkaqet e ngritura për apartamentin e blerë në 2007-ën dhe kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit.
Pasi u njoh me qëndrimet përfundimtare të palëve, Kolegji vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 15 janar, në orën 15:00.




