Komisioneri i qëndron ankimit ndaj prokurorit Gentian Osmani
Lajme

Komisioneri i qëndron ankimit ndaj prokurorit Gentian Osmani

Duke i qëndruar thuajse të gjitha kërkimeve në ankimim, Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shkarkimin e anëtarit të KLP Gentjan Osmani. Avokati i prokurorit këmbënguli në lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Anetari i KLP, Gentjan Osmani, duke folur gjate nje mbledhje te Keshillit te Larte te Prokurorise, KLP. Foto LSA

Komisioneri Publik ndryshoi qëndrim vetëm për një nga kërkesat e paraqitura në ankimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ndaj prokurorit dhe anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gentjan Osmani. Komisioneri Dariel Sina këmbënguli gjatë seancës së konkluzioneve të palëve se megjithë provat e reja Osmani nuk bindi sa i përket një huaje dhe po ashtu kishte pamjaftueshmëri në deklarim e mungesë burimesh të ligjshme.

Në krahun tjetër avokati i prokurorit Osmani, Julian Mërtiri, kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe konfirmimin e anëtarit të KLP në detyrë. Avokati tha se pretendimet e Komisionerit ishin të pabazuara dhe të gabuara, ndërsa këmbënguli se gabimet apo deklarimet e paplota nuk ishin bazë për shkarkim.

Palët përplasen kryesisht mbi deklarimet periodike të prokurorit, një hua, një makinë Golf e blerë në vitin 2005 dhe kohën e pagesës së kësteve për blerjen e një apartamenti.

Komisioneri pranoi si të justifikuara të ardhurat e bashkëshortes së prokurorit. Ndërkohë disa denoncime ndaj tij që u hetuan nga Kolegji, u rrëzuan pasi u gjetën se nuk përputheshin me faktet.

Ish-deputeti i PD Ervin Salianji, dorëzoi një tjetër denoncim ndaj Osmanit, për atë që njihet si çështja “Babale”. Salianji pretendoi për komunikim miqësor mes prokurorit dhe të pandehurit Alfred Alizoti. Megjithatë në përgjimin e publikuar në media, Osmani mban qëndrim formal. Ai i kërkon Alizotit të komunikojë me të në cilësinë e prokurorit dhe e ndërpret bisedën duke i bërë me dije se e kishte thirrur për të dëshmuar në orën 10.00 në prokurori. Salianji pretendoi se një pjesë e përgjimit ishte fshirë.

Osmani u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 9 gusht prej trupës gjykuese të kryesuar nga Firdes Shuli, Roland Ilia relator dhe Pamela Qirko anëtare. KPK e gjeti atë të përshtatshëm në të tre kriteret. Megjithatë Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i kërkoi Komisionerit të ankimonte vendimin duke ngritur një sërë pikëpyetjesh mbi pasuritë e prokurorit dhe justifikimin e tyre.

Qëndrimi i Komisionerit Publik

Në fjalën e tij të shkurtër Komisioneri Publik mbajti të njëjtin qëndrim si në ankimin e bërë ndaj Osmanit, përveç provueshmërisë së 1.5 milion lekëve që bashkëshortja e prokurorit kishte sjellë me vete para martese.

Komisioneri pranoi se familja e bashkëshortes dhe kjo e fundit kishin pasur mundësitë për të kursyer 1.5 milion lekët që kjo e fundit kishte marrë pas martesës si pjesë e kontributit të saj në familjen e të atit.

Ndërkohë Sina i qëndroi ankimit sa i përket një huaje 20 mijë euro marrë nga një i afërm me interes 5 për qind. Sina tha se nuk provohej bindshëm ekzistenca e huasë. Ai tha se qëndrimet e Osmanit në këtë pikë ishin deklarative.

“Komisioneri Publik ka vlerësuar se provat dhe aktet e paraqitura mbi këtë shkak ankimi nuk mund të konsiderohen si dokumentacion justifikues ligjor mbi burimin e ligjshëm të huas, duke provuar të kundërtën për sa ka rezultuar, sikundër ato nuk provojnë dhe vërtetojnë ekzistencën e kësaj marrëdhënie huaje”, thuhet në parashtrime.

Ai po ashtu pretendoi se edhe nëse merrej e mirëqenë huaja, prokurori sërish kishte qenë në pamundësi të paguante këstet për apartamentin e blerë në vitin 2009, duke rezultuar me diferencë negative rreth 1 milion lekë.

Komisioneri Sina tha se nuk provohej pretendimi i prokurorit se pagesat për këtë apartament ishin bërë gjatë gjithë vitit 2009. Ai iu referua sërish një fature nga kompania e ndërtimit sipas të cilës pagesat ishin bërë deri në mars të atij viti duke e nxjerrë Osmanin me pamjaftueshmëri burimesh financiare.

Po ashtu Sina tha se prokurori ishte në pamundësi për shlyerjen e huasë së marrë. Ai vuri në dukje se prokurori rezultonte me pamundësi në vitet 2011 dhe 2013 për një shumë prej 2 milion lekë.

Duke iu referuar pretendimeve të Osmanit se në këtë rast kishim të bënim me deklarim të paplotë në deklaratën periodike, deklarim që ishte korrigjuar në deklaratën veting, në të cilin detyrimet zbriteshin nga shuma neto e të ardhurave shtesë vjetore, Komisioneri thotë se ato janë vetëm deklarative.

“Në vlerësimin e Komisionerit Publik, shpjegimet e subjektit mbeten në nivel pretendimi të paprovuara dhe janë në kundërshtim me ligjin nr. 9049/2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike”, të ndryshuar”, shprehet Komisioneri.

Ai po ashtu tha se Osmani kishte bërë deklarim të pasaktë në vite. Ndërsa kërkoi “Ndryshimin e vendimit nr. 61, datë 2.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit”.

Mbrojtja e prokurorit

Avokati i prokurorit Gentjan Osmani bëri një parashtrim të gjatë të të gjitha pretendimeve të ngritura nga Komisioneri dhe i kundërshtoi ato duke paraqitur për çdo rast një analizë financiare paralele që sipas tij rrëzonte pretendimet e IKP.

Avokati fillimisht ritheksoi sipas tij provat që dokumentonin ekzistencën e huas 20 mijë euro. Ai përmendi para Kolegjit një deklaratë me shkrim mes palëve, faktin që kjo hua ishte deklaruar në vitin 2009, faktin që ajo ishte paguar dhe pretendoi se ishte provuar mundësia e personit të lidhur, djali i dajës së prokurorit për të dhënë këtë hua.

Ai tha se bazuar në legjislacionin vendës marrëdhënia e huasë ishte e provuar. Ai ritheksoi se huadhënësi i kishte sjellë paratë në Shqipëri herë pas here dhe tha se kjo provohej prej sistemit TIMS që dëshmonte për vizitat e tij.

Tërthorazi Mërtiri e lidhi provueshmërinë e huasë me pagesën e kësteve për apartamentin në vitin 2009 nga prokurori. Ai shpjegoi se një nga arsyet pse pagesat ishin bërë deri në fund të vitit 2009 ishte edhe fakti se huaja e premtuar mund të merrej vetëm në gusht në kohën që huadhënësi A.Q kishte ardhur për të vizituar vendin.

Ai iu referua sërish kontratës së sipërmarrjes që detajonte mënyrën e pagesës dhe kohën kur do të paguheshin këstet dhe pretendoi se ajo kishte vlerë më të madhe si provë se fatura të cilës iu referua Komisioneri. Mërtiri tha se fatura ishte e njëanshme nga kompania dhe nuk ishte firmosur nga Osmani dhe se nuk kishte prova të tjera që t’i jepnin asaj vërtetësi.

Mërtiri kundërshtoi një sërë elementësh në analizat financiare të Komisionerit. Ai tha se ato në disa raste ishin kontradiktore, duke vënë në dukje se të ardhurat që në një moment konsideroheshin si kursime të prokurorit, në një moment të dytë në kohë nuk përfshiheshin në analizë duke bërë që ajo të dilte me bilanc negativ. Ai vuri në dukje një sërë elementësh të tillë dhe i konsideroi si paradokse.

Avokati përsëriti disa herë, duke ndaluar në secilin vit, se deklarimet vjetore të Osmanit nuk kishin qenë të plota, por ai shpjegoi se argumentet e provat e paraqitura mjaftonin për të sqaruar situatën dhe se kjo paplotësi nuk duhej të ndikonte në vendimin ndaj tij.

Si më herët ai shpjegoi se shuma neto e deklaruar në rubrikën kursime ishte në fakt totali i shtesës së pasurisë për vitin përkatës, hiq shpenzimet jetike, por jo kursimet e atij viti. Mërtiri tha se kësaj shume i duhej zbritur detyrimi financiarë ashtu siç ishte deklaruar në rubrikën përkatëse, duke vënë në dukje se kjo i bënte bilancet financiare të Osmanit pozitive.  Ai kërkoi që për këtë KPA t’i referohej deklaratës veting dhe deklarimeve të prokurorit që e sqaronin këtë situatë.

Ai tha se deklarimet e Osmanit për vetingun dhe deklarimet në vite bënin të qartë këtë situatë dhe shpjegoi se përtej pretendimeve të Komisionerit, kjo dëshmonte se prokurori nuk kishte bërë përpjekje për të fshehur pasurinë dhe se nuk ishte në kushte të pamjaftueshmërisë.

Ai dha po ashtu shpjegime mbi mosdeklarimin në vitin 2005 të një makine, duke pretenduar se ishte një harresë, që ishte korrigjuar në vitin 2009. Ai pranoi se në një vit, për shkak të llogaritjes së kursit të këmbimit, rrumbullakosjes së shifrave të shpenzimeve e probleme të ngjashme, diferenca ishte negative me 59 mijë lekë, por tha se kjo nuk ishte një shumë e madhe.

Avokati kërkoi lënien në fuqi të vendimit të KPK. Osmani tha se ishte dakord me parashtrimin e avokatit të tij. Trupa njoftoi se vendimi për këtë çështje do jepej më 31 korrik ora 10.00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *