Ish-prokurori Aurel Zarka në KPK | Foto; LSA.
KPA Lajme

Vetingu i Aurel Zarkës, palët paraqesin në KPA qëndrimet për provat

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të enjten më 29 dhjetor me qëndrimet për aktet e reja në çështjen e vetingut të ish-drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, i arrestuar në korrik të vitit 2024 për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm në çështjen e “Toyota Auris”.

Prokurori Adnan Xholi i cili përfaqëson drejtuesin e SPAK, Klodian Braho, në këtë çështje, parashtroi se Autoriteti Kombëtar i Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, AKSIK kishte vlerësuar në raportin e përditësuar se Zarka është i papërshtatshëm në kriterin e figurës. Sipas Xholit, AKSIK konstaton se ka të dhëna sipas të cilave Zarka ëhstë përfshirë në korrupsion në periudhën 2019-2024, si dhe në favorizimin e një shtetasi me aktivitet në sektorin e ndërtimit.

Në vijim, Xholi paraqiti gjetje për dy çështje, një prej të cilave e hetuar nga Zarka, duke vlerësuar se subjekti është i papërshtatshëm për të vijuar detyrën. Në një prej çështjeve për të cilën është vendosur mosfillimi procedimit për ndërtimin e një hoteli në Vlorë, pretendohet për ndikim të paligjshëm. Në tjetrën rezulton se Zarka ka kërkuar dënimin minimal për një të pandehur për kultivim e shitje të narkotikëve, si dhe pezullimin e dënimit, por pa analizuar rrethanat përse duhej të pezullohej masa.

Sipas Xholit, këto rrethana marrin peshë kur vlerësohen së bashku me informacionet e institucioneve ligjzbatuese.

Po ashtu, prokurori Xholi vërejti se është konfirmuar se Zarka ka përdorur aplikacione të kriptuara dhe ka bashkëpunuar për të ndikuar tek funksionarët e drejtësisë. Sipas tij, subjektit i janë ofruar para, për t’ia dhënë një prokurori tjetër.

Në seancën e të enjtes paraqiti qëndrim lidhur me aktet e të dhënat e administruara së fundmi edhe përfaqësuesi ligjor i Zarkës, avokati Julian Mërtiri. Ai u shpreh se është evaziv dhe i paqartë dyshimi i AKSIK për përfshirje të Zarkës në veprime korruptive në vitet 2014-2024. Mërtiri pyeti nëse AKSIK kishte paraqitur në SPAK ndonjë kallëzim penal për këto dyshime dhe nëse ishite regjistruar ndonjë procedim penal. Sipas tij, e njëjta pyetje vlen dhe për pretendimin për përfshirje të Zarkës në veprimtari të kundërligjshme, shfaqur në formën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, me qëllim lehtësimin e pozitës së të pandehurit”.

Po ashtu, Mërtiri pyeti nëse katër informacionet që janë përcjellë në SPAK nga institucionet verifikuese, lidhen me ato që vetë SPAK ka hetuar më parë dhe dërguar për gjykim Zarkën, apo nëse janë të ndryshme.

Sipas tij, Zarka është akuzuar vetëm një në rast për korrupsion pasiv dhe është e paqartë se ku është bazuar konkluzioni se subjekti është implikuar në veprimtari korruptive në më shumë se një rast.

Mërtiri theksoi se gjetjet apo të dhënat e reja të referuara në raportin e përditësuar të AKSIK, burojnë vetëm nga procedimi i SPAK ndaj Zarkës, që bazohet mbi akte dhe informacione të cilat kanë ardhur nga autoritetet franceze, pa asnjë përfshirje, informacion apo referim tjetër nga institucione verifikuese në Republikën e Shqipërisë, ashtu siç pretendohet në raportin e përditësuar nga AKSIK.

Lidhur me gjetjen e vëzhguesit ndërkombëtar, Mërtiri vërejti se bazohet në aktet e dërguara nga SPAK dhe gjykatat e Strukturës së Posaçme.

Avokati Mërtiri solli në vëmendje të Kolegjit se Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë e ka dënuar Zarkën për kryerjen e veprave penale në bashkëpunim, ndërsa Apeli e prishi vendimarrjen e Shkallës së Parë dhe e riktheu për gjykim, duke e cilësuar kryerjen e veprimeve në cilësinë e grupit të strukturuar kriminal. Sipas tij, vendimarrja e Apelit u prish me vendim të datës 15 janar të Gjykatës së Lartë, që vendosi rikthimin e çështjes në të njëjtën gjykatë për shqyrtim nga tjetër trup gjykues.

Në vijim, avokati Mërtiri nënvizoi se, aktualisht, për çështjen penale në ngarkim të Zarkës nuk ka ende një vendim të formës së prerë, por mbetet vetëm një vendim i Gjykatës së Posacme të Shkallës së Parë, i ankimuar nga subjekti i cili kërkon pafajësi.

Mërtiri argumentoi se çështjet që trajtohen në këtë procedurë rivlerësimi janë ato të procesit penal, që është ende në zhvillim e sipër. Sipas tij, përderisa nuk ka ende një vendim të formës së prerë për procesin penal, të dhënat dhe gjetjet nuk mund të cilësohen si fakte të konfirmuara në këtë proces rivlerësimi.

Avokati Mërtiri theksoi se nuk janë vërtetuar kontakte sistematike të Zarkës me të pandehurit e tjerë në çështjen penale në ngarkim të tyre, si dhe se ai nuk mund të penalizohet për atë çfarë kanë biseduar të tjerët lidhur me atë. Sipas Mërtirit, nuk është konfirmuar se Aurel Zarka ka përdorur telefona të koduar SkyEcc, pasi dhe në komunikime identifikohet

Theksojmë se nuk janë vërtetuar kontaktet sistematike dhe të përsëritura të subjektit të rivlerësimit Aurel Zarka me E.D., me avokatin mbrojtës R.Ç. dhe A.I. dhe as ndërmjetësia e tij për trajtimin e procedimeve penale konkrete. Nuk është konfirmuar se Aurel Zarka ka përdorur telefona të koduar SkyECC.

“Të gjitha bisedat përmbajnë të dhëna të prejardhura kur flitet për subjektin Aurel Zarka, duke mos rezultuar dhe mos u provuar asnjë rol konkret i tij në veprimet që kanë ndërmarrë dy personat e tjerë E.D. dhe R.Ç.”, tha Mërtri.

Lidhur me vendimin e mosfillimit të procedimit penal për ndërtimin e një hoteli në Vlorë, Mërtiri vërejti se ushtrimi ndikimit të paligjshëm kryhet tek funksionari që e kryen funksionin publik, që në këtë rast ka qenë prokurori i asaj çështjeje. Sipas Mërtirit, në këtë rast është provuar se vendimarrja e prokurorit të çështjes ka qenë e ligjshme dhe e miratuar nga gjykata.

Për kërkimin e masës minimale të dënimit dhe pezullimin e saj për një të pandehur për kultivim e shitje të narkotikëve, Mërtiri theksoi se arsyetimi i bërë nga SPAK, nuk përkon me rrethanat e faktit në rastin konkret. Sipas avokatit, Zarka ka kërkuar pezullimin për dy të pandheurit në atë çështje dhe jo vetëm për njërin, ashtu si pretendon SPAK. Po ashtu, Mërtiri vërejti se Gjykata e Vlorës kishte vendosur pezullimin e masës së dënimit për të katër të opandehurit dhe jo vetëm për dy që kishte kërkuar Zarka.

Mërtiri pretendoi se bisedat e pretenduara se janë kryer nga Zarka nuk korrespondojnë me faktet. Kjo është akoma më me rëndësi në kushtet kur, ashtu siç pohon dhe vetë Prokuroria e Posaçme në episodin konkret,  në këto biseda nuk janë pasqyruar mesazhet që subjekti Aurel Zarka pretendohet se ka marrë nga shtetasi A.I. dhe bashkëbiseduesi tjetër, por vetëm mesazhet të cilat pretendohet se janë  dërguar nga subjekti Aurel Zarka.

Sipas avokatit Mërtiri, në gjetje ka rrethana që nuk janë ende të provuara, të cilat mund të vërtetohen vetëm me vendim gjyqësor fajësie, të formës së prerë. Ai theksoi se kjo kishte qenë dhe arsyeja përse kanë kërkuar shtyrjen e shqyrtimit të çështjes deri sa të ekzistojë një vendim penal i formës së prerë. Mërtiri kërkoi të mos pranohen gjetjet e vëzhguesit ndërkombëtar.

Në përfundim të seancës, KPA vendosi të administrojë fashikujt gjoqësor, gjetjet e ONM-së dhe qëndrimet e palëve, të cilat i ftoi të përgatisin konkluzionet përfundimtare, për t’i paraqitur në seancën e ardhshme me datë 10 shkurt, në orën 14:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *