Kryetarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Genta Tafa Bungo, Kryetarja e Kolegjit te Posaçëm të Apelimit të Gjykatës Kushtetuese, Natasha Mulaj dhe Komisionerët Publikë, Florian Ballhysa dhe Heral Saraçi, gjatë një mbledhje të komisionit parlamentar të Ligjeve, ku është diskutuar në lidhje me miratimin e strukturave të orgaveve të vetingut | Foto nga Malton Dibra/LSA
Korrupsioni Lajme Në Fokus

Akti anti-COVID i qeverisë ‘mban peng’ procesin e vetingut

Ndërsa Shqipëria po shkon drejt hapjes së plotë, procesi i vetingut ka ngelur në vendnumëro prej marsit për shkak të aktit ende të pashfuqizuar të qeverisë për masat e veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore.

Kryetarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Genta Tafa Bungo, Kryetarja e Kolegjit te Posaçëm të Apelimit , Natasha Mulaj dhe Komisionerët Publikë gjatë një mbledhje të komisionit parlamentar të Ligjeve. | Foto nga Malton Dibra/LSA

Shqipëria po shkon drejt hapjes së plotë pas emergjencës së shkaktuar nga përhapja e koronavirusit të ri SARS-CoV-2, por procesi i vetingut ka mbetur në vendnumëro që prej 12 marsit, kur seanca e fundit publike u zhvillua në prag të vendosjes së gjendjes së ndalim-qarkullimit.

Rifillimi i seancave dëgjimore pengohet nga akti normativ i qeverisë nr.9, datë 25 mars 2020, i miratuar me ligjin nr.30/2020 “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19”.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i tha BIRN se seancat dëgjimore do të rinisin menjëherë pas shfuqizimit të aktit normativ. Megjithatë, është ende e paqartë se kur kjo do të ndodhë.

“Aktualisht, Komisionerët dhe stafi ndihmës po punojnë intensivisht me dosjet për rivlerësimin e subjekteve. Menjëherë pas shfuqizimit të këtij akti, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ju garanton se pa asnjë vonesë do të rifillojë edhe me seancat publike, duke e plotësuar kështu deri në fund zinxhirin e procesit të punës së tij,” tha KPK përmes zëdhënëses.

KPK tha gjithashtu se përmes një protokolli të veçantë ka marrë të gjitha masat organizative për zhvillimin e veprimtarisë së Komisionit edhe në seancat dëgjimore, me qëllim krijimin e një ambienti sa më të sigurtë për pjesëmarrësit.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit po shkon drejt vitit të tretë të mandatit të vet 5-vjeçar dhe deri më tani ka shqyrtuar vetëm 1/3 e subjekteve të rivlerësimit. Seanca e parë dëgjimore u zhvillua në mars 2018 dhe prej asaj kohe kanë kaluar në veting 245 gjyqtarë, prokurorë dhe ndihmës ligjorë nga rreth 800 subjekte gjithsej.

Akti normativ i qeverisë ka penguar edhe aktivitetin e Komisionerit Publik si dhe seancat në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Prej 12 marsit, Komisioneri Publik ka pezulluar ankimet ose mosankimet ndaj vendimeve të shkallës së parë të vetingut.

Në një përgjigje më 12 maj, Komisioneri Publik i tha BIRN se akti normativ i 25 marsit i ka pezulluar të gjitha afatet e ankimit në veprimtarinë gjyqësore të Republikës së Shqipërisë. Zhbllokimi i kësaj situate ndodhet tashmë në duart e qeverisë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *