Skeda e pasurisë së deklaruar –Shpresa Beçaj –Gjykata e Apelit Tiranë

Skeda
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i rinis seancat dëgjimore me ish-kryetaren e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj. Si ka ndryshuar pasuria e saj familjare nga viti 2003 deri në fund të vitit 2018.  

Pas ndërprerjes 3 mujore për shkak të pandemisë së COVID-19, seancat dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit do të rifillojnë të mërkurën më 3 qershor me gjyqtaren e Apelit të Tiranës, Shpresa Beçaj. Trupa gjyqësore që po kryen procesin e vetingut për Znj. Beçaj përbëhet nga Suela Zhegu, Roland Ilia dhe Lulzim Hamitaj.

Shpresa Beçaj ka përfunduar studimet në drejtësi në vitin 1983 dhe e ka filluar karrierën si gjyqtare nga Gjykata e Gramshit. Ajo u emërua gjyqtare në Tiranë në vitin 1990 ndërsa në vitin 1994 u promovua si gjyqtare e Apelit të Tiranës.

Në vitin 2004, Beçaj u dekretua gjyqtare në Gjykatën e Lartë ndërsa 4 vjet më pas u emërua kryetare e kësaj gjykate. Me përfundimin e mandatit në vitin 2013, Beçaj udhëhoqi një betejë ligjore kundër Këshillit të Lartë të Drejtësi për t’u rikthyer në Gjykatën e Apelit të Tiranës dhe e fitoi atë. Megjithatë, vendimi për emërimin e saj në Gjykatën e Apelit u shty deri në vitin 2018.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar nga gjyqtarja Shpresa Beçaj nga viti 2003 deri në fund të vitit 2018. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar nga gjyqtarja Shpresa Beçaj nga viti 2003 deri në fund të vitit 2018.

Në deklaratën e parë të dorëzuar në vitin 2003, gjyqtarja Shpresa Beçaj deklaronte pasuri prej 840 mijë lekësh, ndërkohë që në fund të vitit 2018, pasuria familjare e deklaruar prej saj kap vlerën e 67.9 milionë lekësh.

Pasuria e patundshme zë pjesën kryesore të aseteve me vlerë 60.6 milionë lekë, por pjesa më e madhe e tyre zotërohet nga vajza e subjektit dhe bashkëshorti i saj. Beçaj deklaron gjithashtu familjarisht pasuri të luajtshme në vlerën e 5 milionë lekëve, kursime të akumuluara në cash prej 1.1 milionë lekësh dhe likujditete bankare prej 1 milionë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 27.6 milionë lekë. Rreth 62% e të ardhurave janë siguruar nga paga për shkak të funksionit të Znj. Beçaj, rreth 31% nga pagat e familjarëve si dhe rreth 2% të tjera nga qiraja dhe mësimdhënia.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik/logjik për 11 vitet e deklarimit të Znj. Beçaj nxorri një deklaratë me probleme.

Në vitin 2010, subjekti i rivlerësimit rezulton me 1.1 milionë lekë të pajustifikuara nga burimet financiare të deklaruara.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamuj të kuq” burimin e pasurive të patundshme të blera nga  vajza e subjektit të rivlerësimit dhe bashkëshorti i saj si dhe huatë e marra nga Znj. Beçaj për të përballuar nevojat familjare.

Më konkretisht në vitin 2012, vajza e subjektit deklaron shtesë pasurie të patundshme në vlerën e 179 500 eurove, me burim kredi bankare prej 100 mijë eurosh dhe pjesën tjetër nga aktiviteti privat i bashkëshortit. Edhe në vitin 2015, vajza e subjektit deklaron blerjen e pasurive të patundshme me vlerë 230 mijë euro, të financuara 100% nga kredia bankare.

Një tjetër “flamur i kuq” lidhet me huatë ndaj të afërmve të marra nga Znj. Beçaj pas largimit të saj nga Gjykata e Lartë; rreth 2.9 milionë lekë për mbulimin e nevojave familjare dhe 19 mijë dollarë për shkollimin e të birit, nga të cilat rezultojnë ende pa shlyer në fund të vitit 2018 rreth 2 mijë USD.

Duke qenë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2018

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al