Gjyqtarja Nurjeta Pogaçe pas seancës dëgjimore me KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK

Gjyqtarja Nurjeta Pogaçe përballet me vetingun

Gjyqtarja e Gjykatës së Durrësit, Nurjeta Pogaçe (Tafa) u përball të hënën më 31 tetor me gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK në të tre kriteret e rivlerësimit, për të cilat dha shpjegime në mënyrë të përmbledhur gjatë seancës dëgjimore. Rivlerësimi kalimtar për gjyqtaren Pogaçe po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Brunilda Bekteshin. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Maria Tuma.

Pasi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës dhe stazhin në Gjykatën  Tiranës, Nurjeta Pogaçe (Tafa) u emërua në vitin 2015 në Gjykatën e Durrësit, ku dhe vijon ta ushtrojë detyrën.

Relatorja Qirko sqaroi në fillim të seancës dëgjimore se hetimi administrativ për Pogaçen ishte përfunduar në të tre kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Sipas KPK, subjekti ka kryer deklarim të pasaktë për sipërfaqen e një shtëpie banimi në Tiranë në bashkëpronësi me anëtarët e familjes së origjinës, ku Pogaçe zotërin 1/6 pjesë takuese dhe ka shënuar se ka një sipërfaqe 443 m2.

Qirko tha se nuk janë gjetur probleme në mënyrën e përfitimit të pjesës takuese me trashëgimi ligjore nga babai bazuar në një vendim gjykate të vitit 2003, kohë para se Pogaçe të fillonte detyrën, por nga hetimi ka rezultuar se shtëpia ka sipërfaqe ndërtimi rreth 177 m2, ndërsa pjesa tjetër është oborr.

Pogaçe shpjegoi se deklarimin e kishte kryer në funksion të shtëpisë së banimit, duke ju referuar certifikatës së pronësisë, pa specifikuar se sa ishte pjesa e ndërtimit dhe ajo e truallit.

Relatorja pohoi se Komisioni nuk ka gjetur probleme për një makinë të blerë nga subjekti prej vëllait në vitin 2013, para fillimit të detyrës, me burime të deklaruara të ardhurat familjare dhe shpërblimet si studente ekselente me medalje ari. Po ashtu, kanë rezultuar të sakta deklarimet për një llogari banakre me gjendje 15 mijë lekë, një overdraft të marrë në vitin 2016 dhe një kartë krediti në shumën 150 mijë lekë të krijuar po në 2016-ën, të pashpenzuar.

Sipas KPK-së, Pogaçe ka kryer deklarim të saktë dhe për përdorimin e një apartamenti të marrë me qira nga bashkëjetuesi në Durrës në vitin 2017, aktualisht bashkëshorti i subjektit, për të cilin Qirko evidentoi se edhe ai është subjekt rivlerësimi.

Komisioni e ka shtrirë hetimin edhe në pasuritë e familjarëve të origjinës së subjektit dhe të bashkëshortit të saj.

Qirko vërejti se një prej vëllezërve ka rezultuar në pamundësi për një prej pesë mjeteve motorike të blera në vite. Për rrjedhojë, analiza financiare e vitit 2014 ka rezultuar me balancë negative në shumën 264 mijë lekë.

Lidhur me këtë konstatim, Pogaçe deklaroi se pamundësia finaciare lidhet me vëllain e saj. Ajo vërejti se vëllai nuk është përpjekur të krijojë burime të rreme për blerjen e mjetit dhe se është përpjekur të vërtetojë të ardhurat e siguruara nga shërbimet e kryera si inxhinier. Pogaçe solli në vëmendje një vendim të KPK-së, ku është vlerësuar se mospagimi i detyrimeve nga punëdhënësi personit të lidhur, nuk duhet të rëndojë mbi subjektin e rivlerësimit.

KPK nuk ka gjetur probleme për një automjet që bashkëshortit të subjektit ia kanë blerë prindërit e tij në vitin 2011, para fillimit të detyrës dhe para nisjes së bashkëjetesës.

Duke ju referuar deklarimit të subjektit se ka përdorur për pushime një shtëpi banimi që prindërit e bashkëshortit e kanë blerë në Radhimë të Vlorës në vitin 2014, Komisioni ka hetuar për krijimin e kësaj pasurie. Sipas Qirkos, ka rezultuar se prindërit e bashkëshortit të gjyqtares Pogaçe kanë marrë një kredi në vlerën 4 milion lekë për blerjen e kësaj pasurie dhe nuk janë gjetur probleme.

Po ashtu, nuk janë gjetur probleme as për një banesë në përdorim në Tiranë, në pronësi të prindërve të bashkëshortit, të blerë prej tyre në vitin 2007, para fillimit të bashkëjetesës dhe përpara fillimit të detyrës.

Nga analiza financiare e periudhës 2013-2016, ka rezultuar bilanc negativ vetëm në vitin 2014 në shumën totale 264 mijë lekë, për pamundësi të vëllait të subjektit për blerjen e një automjeti.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka dorëzuar raport pozitiv për gjyqtaren Nurjeta Pogaçe. Qirko qaroi se subjekti ka deklaruar në lidhje me një dënim penal të vëllait të saj në Itali, por nga hetimi administrativ ka rezultuar se në dukje ka mospërputhje mes shpjegimeve të saj me të dhënat e siguruara nga Ministria Italiane e Drejtësisë lidhur me dënimin e dhënë dhe vuajtjen e dënimit.

Gjyqtarja Pogaçe deklaroi se kur kishte filluar procesi i rivlerësimit i kishte pyetur të gjithë familjarët nëse kishin pasur ndonjë procedim apo dënim penal dhe se e kishte kryer deklarimin në funksion të asaj pjese që kërkon legjislacioni për pastërtinë e figurës.

Komisioni nuk ka gjetur probleme në tre dosjet e përzgjedhura nga subjekti në funksion të rivlerësimit profesional dhe as në ato pesë të shortuara.

Ndërkohë, janë analizuar 11 denoncime nga publiku të mbërritura në KPK dhe pesë pranë Operacionit ndërkombëtar të Monitorimit, për të cilat i janë kërkuar shpjegime për gjashtë çështje.

Gjyqtarja Pogaçe i cilësoi të pabazuara të gjithë pretendimet e ngritura në gjashtë denoncimet për të cilat i janë kërkuar shpjegime.

Në përfiundim, gjyqtarja Nurjeta Pogaçe(Tafa) u shpreh se vlerësonte se kishte arritur nivel të besueshëm në të tre kriteret e rivlerësimit dhe kërkoi konfirmimin e saj në detyrë.

Komisioni njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 2 nëntor, në orën 09:45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *